Shejkh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin

Burimi: “Lika’at el-Bab el-Meftuh,” vëll. 65 fq.14


 

Pyetje: Shejkh i nderuar, nëse muslimani vritet në çfarëdo beteje në mes muslimanëve dhe kufarëve, a ta cilësojmë atë se ai është shehid?

Përgjigje nga Shejkh Uthejmin (rahimehullah):

Së pari: Allahu të bekoftë, ai që është vrarë në xhihad nuk themi për të “Ai është shehid,” edhe në qoftë se (beteja) është në mes muslimanëve dhe kufarëve, ngaqë Pjegamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

وَاللَّهُ أَعْلَمُ بِمَنْ يُكْلَمُ فِي سَبِيلِهِ إِلاَّ جَاءَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَجُرْحُهُ يَثْعَبُ دَمًا اللَّوْنُ لَوْنُ دَمٍ وَالرِّيحُ رِيحُ الْمِسْكِ

“Allahu e din më së miri se kush plagoset në rrugën e Tij, por ai vjen Ditën e Kijametit, plaga e tij do të rrjedh gjak, do ta ketë ngjyrën e gjakut, ndërsa erën sikur aroma e parfumit.”

Ndërsa fjala e tij:

وَاللَّهُ أَعْلَمُ بِمَنْ يُكْلَمُ فِي سَبِيلِهِ

“Dhe Allahu është më i Dituri për atë që plagoset në rrugën e Tij.”

Kjo do të thotë se ne nuk kemi dije, por ne shpresojmë qe ai të jetë shehid, dhe për këtë arsye Bukhariu (rahimehullah) ka klasifikuar një kapitull për këtë çështje me fjalën e tij: “La jukal fulan shehid” (Nuk thuhet: Filani është shehid). Dhe e ka përmendur këtë hadith të cilin ua përmenda juve.

Dhe autori i “el-Fet’h” Ibn Haxheri ka përmendur një ether nga ‘Umeri (radijAllahu ‘anhu):

إنكم تقولون: فلان شهيد، وفلان شهيد، ولعله أن يكون قد غل، ولكن قولوا: فلان قتل أو مات في الجهاد أو كلمة نحوها

“Vërtetë ju thoni: Filani shehid dhe filani shehid, e ndoshta ai ka përvetësuar në mënyrë të pandershme plaçkën e luftës, porse thuani: Filani u vra apo vdiq në xhihad apo fjalë të ngjashme.”

Por, megjithëkëtë, shpresojnë për personin që të jetë shehid nëse e dimë korrektësinë e gjendjes së tij, apo se ai është njeri i devotshëm dhe nuk ka luftuar përveç se Fjala e Allahut të jetë më e larta, atëherë shpresojmë që ai të jetë shehid.

Pastaj, fjala jonë “shehid” për sa i përket këtij të vrari, ai nuk përfiton prej kësaj (fjale), sepse nëse ai është shehid tek Allahu, atëherë ç’farë? Atëherë ai është shehid, qoftë nëse e themi këtë apo nuk e themi. E në qoftë se nuk është shehid, atëherë nuk i bën dobi atij fjala jonë se ai është shehid. Dhe ai trajtohet nga ajo që duket, trajtohet se është nga shehidët, ashtu siç dihet, nga ajo që duket. Sepse në në dynja e trajtojmë personin sipas asaj që duket, ndërsa në ahiret njeriu trajtohet në bazë të asaj që ka në zemrën e tij, dhe i jepet gjykimi i shehidit sipas dispozitave, porse ne nuk dëshmojmë për të (se është shehid). Tani, a nuk po ua falim muslimanëve namazin e xhenazes?

Tani po ia falim namazin duke u bazuar në atë se ai është musliman, dhe e trajtojmë si musliman dhe përfundimi i muslimanit është xhenneti. Pra, a të dëshmojmë për këtë të vdekur se ai është nga banorët e xhennetit? Jo.

Pra, trajtimi nuk është sikur çështja e dëshmisë. Dëshmia (për dikë se është është në xhennet) është e vështirë.

Video në AudioSelefi.org


Përktheu: Jeton Shasivari