Autor: Shejkh Sulejman bin SelimuLlah er-Ruhejli

 

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, pyetësi thotë: Duke u nisur nga ajo që thatë dje, nëse ndonjëri nga dijetarët paralajmëron kundër një personi të caktuar dhe sjell argument për këtë paralajmërim që ai bën kundër tij, dhe disa dijetarë të tjerë nuk pajtohen me të për këtë paralajmërim, a të paralajmërojmë ne ndaj këtyre dijetarëve që nuk pajtohen me të? Dhe cili është argumenti për këtë gjë nga librat e Xherhit dhe Tadilit dhe nga Suneti?

 

Përgjigje: Kjo është ajo për të cilën fola, se nevojitet përvetësim i përpiktë i rregullave të Xherhit dhe Tadilit, dhe se është e nevojshme që të mbahet seminar për këtë çështje. Nëse një prej dijetarëve të kësaj fushe, paralajmëron kundër një personi dhe sjell argument për atë që thotë, si dhe nuk kundërshtohet me diçka të njëjtë, as nga ana e vet dijetarit që e ka thënë atë e as nga ana e vet argumentit, në këtë rast duhet të merret ajo që thotë ky dijetar, edhe nëse ai është i vetëm në atë paralajmërim që ka sjellë.

 

Ndërsa nëse një dijetar paralajmëron ndaj një personi të caktuar dhe sjell argument në bazë të asaj që ai mendon; në bazë të autenticitetit që ky argument ka tek ai, në të njëjtën kohë dijetarë të tjerë të kësaj fushe e kundërshtojnë atë dhe mendojnë se ky person nuk meriton që të paralajmërohet kundër tij, ose kjo çështje që i atribuohet atij nuk e bën atë bidatçi, në këtë rast nuk vlen argumentimi për faktin se në këtë çështje ka khilaf (mospajtime).

 

Nëse paralajmëruesi ka sjell argument për paralajmërimin që bën, ndërsa ai që e kundërshton atë nuk sjell argument për kundërshtimin e tij, në këtë rast pasohet ai që ka sjellë argument. Por, nëse ky (paralajmëruesi) sjell argument, njëkohësisht edhe ky tjetri (kundërshtuesi) sjell argument që e kundërshton atë, atëherë kjo çështje shqyrtohet në bazë të rregullave të dijetarëve; pra duke i dhënë epërsi fjalës së saktë të njërit prej tyre ndaj fjalës së tjetrit. Andaj, ai njeri që është sprovuar me këtë çështje, e ka detyrë që të përpiqet për t’ia qëlluar fjalës së saktë.

 

Pra, nëse atij i bëhet e qartë se fjala e saktë është paralajmërimi kundër tij duke u bazuar në argument për këtë çështje, jo duke u mbështetur vetëm te thënësi i kësaj fjale, atëherë ai e merr këtë fjalë. Por, në të njëjtën kohë, ai i justifikon dijetarët e kësaj fushe, të cilët nuk paralajmërojnë kundër tij, përderisa ata kanë sjellë argument për fjalën e tyre. Gjithashtu, i justifikon edhe ata që e kanë marr fjalën e këtyre dijetarëve duke menduar se kjo është fjala e saktë.

 

Pra, nuk e ka marr këtë fjalë për shkak të ëndjes e as duke u bazuar vetëm te khilafi, porse e ka marr atë fjalë në bazë të parimeve të sakta. Kjo është një temë e gjerë. Këtë çështje po e përmend shkurtimisht, sepse ne shohim disa nxënës dije që argumentohen në çështje të tilla vetëm për faktin se ekziston khilaf. Nëse i thuhet atij: “Filani ka kundërshtuar Sunetin”, “Ai ka bërë këtë dhe ka thënë kështu”, “Njerëzit që janë të specializuar në këtë fushë kanë paralajmëruar kundër tij dhe kjo gjë është sqaruar,” ai e refuzon këtë gjë duke thënë se filani (dijetari) i jep tezkije atij. Një tezkije e thjeshtë nuk mund t’i kundërvihet fjalës së sqaruar dhe të argumentuar.

 

Por, nëse për këtë devijim të tij ka argument, atëherë kjo shqyrtohet sipas asaj që përmendëm dje:

(E para): që argumenti duhet patjetër të jetë i saktë. 

(E dyta): argumentimi me këtë lloj argumenti të jetë i saktë.

(E treta): duhet patjetër që ky argument mos të kundërshtohet nga një argument i njëjtë si ai apo më të fortë se ai. Sepse nëse argumenti që e kundërshton atë është i njëjtë si ai, atëherë është obligim t’i jepet epërsi njërit prej tyre duke e lënë tjetrin. E nëse argumenti që e kundërshton atë është më i fortë se ai, pa marrë parasysh nëse gjendet te dijetari që paralajmëron për dikë ose te dijetari që e kundërshton këtë paralajmërim, atëherë në këtë rast merret argumenti më i fortë.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Muhamed Kallashi