Autor: Shejkhul-Islam Ibën Tejmijjeh

Burimi: el-Fetaua el-Kubra, vëll.5/fq.209

 

Sektet që degëzohen nga Xhehmitë nuk e pranojnë dëshminë e Sahabëve të të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe as nuk i binden Librit të Allahut. Mes tyre ka të atillë që janë më të këqij se Muëtezilët në disa raste, mirëpo Muëtezilët në vija të përgjithshme janë origjina e tyre. Dhe mes tyre ka të atillë që nuk bëjnë tekfir dhe nuk e bëjnë të lejuar rebelimin me shpatë, ashtu siç bëjnë Muëtezilët dhe Rrafidat, e që ky është besimi i Khauarixhëve.

Për këtë arsye, shumicën e rasteve njerëzit e bidateve kur kanë forcë u ngjajnë qafirave, të cilët e bëjnë të lejuar vrasjen e muslimanëve dhe shpalljen e tyre të pafe, ashtu siç bëjnë Khauarixhët, Rrafidat, Muëtezilët, Xhehmijet dhe sektet e tjera që degëzohen prej tyre. Mirëpo ka prej tyre që luftojnë ndonjë sekt që nuk u bindet atyre, siç janë Khauarixhët apo Zejdijet, e ka prej tyre që orvaten ta vrasin ndonjë kundërshtar të tyre të shtypur, ose duke shfrytëzuar prijësin e tij ose duke shfrytëzuar dobësinë e tij.

Ama kur janë të pafuqishëm, bidatçijtë ngjajnë me munafikët, sepse përdorin tukjen dhe nifakun, ashtu siç bëjnë munafikët. Kjo për arsye se bidatet e tyre janë derivate të kufrit. E me të vërtetë që Mushrikët dhe Ehli Kitabët kur janë të fuqishëm i luftojnë besimtarët e vërtetë, ndërsa kur janë të pafuqishëm tregohen munafikë me ta.

Kurse besimtari kur është i fuqishëm është i urdhëruar që ta zbatojë fenë sa të mundet, qoftë duke luftuar e qoftë me gjëra të tjera. Ndërsa kur është i pafuqishëm, ai duhet të përmbahet përderisa nuk triumfon dot dhe duhet të durojë fatkeqësitë që i bien, por ama pa u sjellë si munafik. Madje ai e ka të ligjshme që të bëjë lëshime për gjëra të dynjasë e të flasë gjëra që janë të urryera, nëpërmjet të cilave Allahu do t’i japë atij çlirim dhe rrugëdalje.

Për këtë arsye Ehli Suneti veprojnë të kundërtën me bidatçijtë: kur janë të fuqishëm para tyre, ata nuk i dhunojnë bidatçijtë duke i shpallur qafira apo duke i vrarë apo duke u bërë gjëra të tjera, porse përdorin me ta drejtësinë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Ashtu siç bëri ‘Umer Ibën ‘Abdul-‘Aziz me sektin e Harurive dhe Kaderive. E nëse Ehli Suneti i luftojnë bidatçijtë, i luftojnë njësoj siç i luftoi ‘Aliu – radijAllahu ‘anhu – Haruritë, mbasi që i paralajmëroi dhe ua ngriti argumentin. Mirëpo kryesisht ata përdorin bojkotimin dhe ndalimin e tyre nga ato gjëra që mund t’i përdorin për të shfaqur bidatet e tyre. Për shembull ata e braktisnin diskutimin dhe uljen me ta, sepse kjo është rruga për shuarjen e bidateve të tyre.

Ama nëse Ehli Suneti janë të pafuqishëm përpara bidatçijve, atëherë ata nuk sillen si munafikë porse bëjnë durim te haku që e dërgoi Allahu me Profetin e Tij, njësoj siç bënë besimtarët e parë, e njësoj siç i urdhëroi Allahu ata në Librin e Tij. Kjo për arsye se Allahu i urdhëroi ata që të bënin durim te haku dhe i urdhëroi që të mos i shtyjë armiqësia që kishin ndaj një populli që të mos mbanin drejtësi.

 

Përktheu: Alban Malaj