Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Burimi: Sherh Kitab Teuhid, ligjërata 21, minutat 47:23

 

 

E tetëmbëdhjeta me radhë:

Pranimi i të pavërtetës nga shpirtrat. Si kapen njerëzit pas një të vërtete të vetme (që e thotë dikush) e nuk i marrin parasysh njëqind gënjeshtra të tjera?!

 

 

Shpjegimi i Shejkh Sulejman Ruhejlit:

Njerëzit e pranojnë të pavërtetën më shpejt se sa të vërtetën, ngase e pavërteta, në shumicën e rasteve, u flet epsheve dhe instinkteve të njeriut dhe nuk i ngarkon ata që të bëjnë ndonjë vepër, kurse e vërteta u flet mendjeve të njerëzve dhe kërkon nga ata që të bëjnë vepra. Nxitimi i njerëzve drejt pasioneve është më i madh sesa nxitimi i tyre drejt intelektit dhe mendjes. Për këtë arsye, thirrësit e të vërtetës, duhet që të bëjnë përpjekje për të bërë thirrje në fe më shumë se njerëzit e të pavërtetës, për arsye se nxitimi i njerëzve për tek e pavërteta, e cila zbukurohet dhe maskohet, është më i madh se nxitimi për t’iu përgjigjur të vërtetës.

 

Sepse kjo çështje është ashtu siç ju thashë, o vëllezër, dhe unë kam thënë vazhdimisht se: fjalët e njerëzve të pavërtetës të ngazëllojnë, të mahnitin dhe nuk të lodhin (duke kërkuar prej teje përmirësim dhe vepra, sh.p.). Madje një njeri, pasi që i dëgjon fjalët e njerëzve të pavërtetës, e llogarit veten se është nga njerëzit më të devotshëm, edhe në qoftë se ai është nga njerëzit e prishur. Kurse fjalët e njerëzve të vërtetës janë të rënda. Andaj, thirrësit e të vërtetës, duhet që të vazhdojnë drejt thirrjes së tyre dhe të kenë durim.

 

Po! Do të hasësh pengesa; do të hasësh pengesa nga të afërmit e tu. Rruga e përmirësimit është e vështirë! Shumë njerëz, nuk duan që ti t’i sulmosh për diçka duke u thënë se kjo e kjo është gabim. Përmirësimi është rrugë e hidhur, porse fundin e ka të lavdishëm. Përmirësuesi u bën ballë pasioneve dhe emocioneve me diturinë e tij dhe për këtë arsye të tjerët i dalin përballë këtij duke e sharë dhe ofenduar. Ai që bën përmirësim, u bën ballë pasioneve me dituri, me sqarime të thukëta, me argumente dhe me të vërtetën. Mu për këtë arsye, kundërshtarët e tij i kundërvihen duke e sharë dhe ofenduar.

 

Po ashtu, përpiqen që ta pengojnë nga rruga e tij dhe pretendojnë se këtë përmirësues nuk e dëgjon askush. Ne jemi rritur duke marr mësime te dijetarët tanë të mëdhenj dhe ka prej atyre që thonë: “këtë shejkh nuk e dëgjon ndonjëri në Mbretërinë (e Arabisë Saudite)! Ai është i panjohur!” Ata përmes këtyre fjalëve, duan që t’i largojnë njerëzit nga pasuesit e të vërtetës.

 

Përmirësimi është rrugë e vështirë, por atë që Allahu e ka furnizuar me ikhlas (sinqeritet), le të bëjë durim dhe le të pres sepse ai është në një rrugë të drejtë, që fillimin e ka në dunja dhe fundin e ka  në Xhenet. Nuk ka përmirësues që të jetë i sinqertë me Allahun, vetëm se Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – ka për ta nxjerrë atë si të vërtetë dhe të sinqertë, qoftë edhe pas vdekjes së tij dhe gjurmët e thirrjes së tij do t'u shfaqen njerëzve, qoftë edhe pas vdekjes së tij.

 

Kliko për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari