Autor: Rabij bin Hadi el-Medkhalij

Burimi: http://www.rabee.net/ar/articles.php?cat=8&id=171

 

Lavdërimet i takojnë Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të Dërguarin e Allahut, familjen, shokët dhe këdo që pason udhëzimin e tij.

Dhe më pas:

Sigurisht që ne Selefijt e adhurojmë Allahun me mesataren dhe drejtësinë në të gjitha gjërat, në: besim, adhurime, moral dhe metodologji. Ne e kemi luftuar ekstremizmin dhe vazhdojmë ta luftojmë atë me të gjitha format e tij, qoftë ekstremizmin në besim, në adhurime dhe në lidhje me personat. Andaj, është zullum dhe shpifje që ne të akuzohemi me ekstremizëm nga njerëz që nuk kanë të bëjnë fare me këtë muhabet.

Ne e luftojmë vrazhdësinë dhe zbutjen me të gjitha format e tyre, në besim, në adhurime, në morale, në persona dhe në grupacione, dhe akoma vazhdojmë ta luftojmë atë. Kështu që, është padrejtësi dhe shpifje që të akuzohemi për vrazhdësi dhe zbutje.

Ne i bëjmë të gjitha këto, d.m.th. mbajmë mesataren dhe drejtësinë, si dhe luftojmë atë që i anulon ato, duke u nisur nga Libri i Allahut të Lartësuar, nga Suneti i të Dërguarit të Allahut, sal-la Allahu alejhi ue sel-lem, dhe nga metodologjia e selefëve të devotshëm. Këtu thërrasim gjithnjë dhe me këtë i edukojmë njerëzit.

Ai që na mvesh neve ndonjë metodologji tjetër veç kësaj, ai ka gënjyer dhe ka shpifur ndaj nesh një trillim të madh.

Peshorja e mesatares apo ekstremizmit, vrazhdësisë apo zbutjes qëndron te Libri i Allahut të Lartësuar, Suneti i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe metodologjia e Selefëve të devotshëm, e nuk qëndron te pasuesit e epsheve, as metodologjitë e tyre të prishura që lidhen me interesat e dunjasë.

Ne jemi sprovuar në këto ditë me ata që akuzojnë selefijtë e sinqertë me ekstremizëm dhe ashpërsi në xherh dhe tadil etj, si dhe i luftojnë ashpër selefijtë, nga ana tjetër bëjnë paqe me njerëzit e bidatit dhe të epsheve; i lavdërojnë dhe i lajkatojnë ata. Të tillët bashkojnë mes zbutjes kundrejt pasuesve të bidatit dhe mes ekstremizmit shkatërrimtar në luftimin e pasuesve të sunetit dhe të vërtetës.”

Ne u themi këtyre: Ku është “butësia juaj”? Ju jeni prej atyre që nuk e njihni metodologjinë e selefëve, as nuk ju pëlqen ajo! Ju nxitoni të kapni frerët e dunjasë dhe t’ua bëni qejfin njerëzve të dunjasë. Ju nuk e vrisni mendjen për Kënaqësinë e Allahut dhe Zemërimin e Tij, as për kundërshtimin e selefëve dhe kuptimin e tyre.

Kënaqësia dhe zemërimi i tij janë vetëm për epshin e tij dhe për atë që ai do nga pasanikët dhe njerëzit e dunjasë. Kjo është gjë e mirënjohur dhe e provuar, sado që të fshihen dhe sado që të mashtrojnë dhe t’i lustrojnë vetet e tyre me shprehje bombastike e pallavra.

Mjaftohem me kaq. I këshilloj selefijtë e sinqertë që të qëndrojnë të patundur në të vërtetën dhe të durojnë dëmet që ua shkaktojnë njerëzit e epsheve dhe i këshilloj ata që të thërrasin për te Allahu i Lartësuar me urtësi dhe këshilla të mira.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi