Autor: el-Imam, Shejkh Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin (rahimehullah)
Burimi: Fetaua lil-Amirin bil-Ma’ruf uen-Nehji anil-Munker,
si dhe Lika’ el-Babul-Meftuh, 62/39


Pyetje: Shejkh i nderuar, është dikush që thotë, “Refuzimi i udhëheqësve në publik është prej menhexhit të Selefëve” dhe pastaj ai përdor si argument hadithin e Ebu Se’id el-Khudrij që refuzoi Meruan bin el-Hakem, kur ai mbajti hytbe në ditën e Bajramit, si dhe thënien e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), “Do ketë udhëheqësa tek të cilët ju do shikoni edhe të mira edhe të këqia. Dhe kush i urrejti (për të keqen e tyre), atëherë ai do të jetë i pastër (nga faji) dhe kush i refuzon (të keqet e tyre), ai do të jetë i sigurt.

Dhe gjithashtu hadithit: “Prijësi i shehidëve është ai që del përpara udhëheqësit tiran duke e urdhëruar dhe duke e ndaluar atë (nga të këqiat) derisa ai (udhëheqësi) e vret atë.

Pra, a janë të sakta këto fjalë? Dhe si mund të bëjmë bashkim midis këtyre haditheve të sakta dhe thënies së tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush do që t’i japë këshillë atij që është në pushtet, atëherë le mos ia japë atë në publik...

Përgjigje: “Kjo është një pyetje e rëndësishme, por përgjigja për të është më e rëndësishme sesa vetë pyetja në të vërtetë, dhe nuk ka dyshim se refuzimi i të keqes është obligim për çdo njeri që mund ta bëjë atë, për shkak të thënies së Allahut Tebarake ue Te’ala:

وَلْتَكُنْ مِنْكُمْ أُمَّةٌ يَدْعُونَ إِلَى الْخَيْرِ وَيَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ (١٠٤)

Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të këqija! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” [Ali-Imran, 104]

Dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ju ose do të urdhëroni të mirën dhe do ndaloni të keqen dhe do ta merrni zullumqarin për dore dhe do ta ktheni atë tek e vërteta, ose përndryshe Allahu do t’ju godasë me zemrat e njerëzve të tjerë dhe do t’ju mallkojë ashtu siç Ai i mallkoi ata.” Kjo do të thotë se Ai i mallkoi Beni Israilët (Çifutët), për të cilët Allahu ka thënë:

لُعِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْ بَنِي إِسْرَائِيلَ عَلَى لِسَانِ دَاوُدَ وَعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ ذَلِكَ بِمَا عَصَوْا وَكَانُوا يَعْتَدُونَ (٧٨)كَانُوا لا يَتَنَاهَوْنَ عَنْ مُنْكَرٍ فَعَلُوهُ لَبِئْسَ مَا كَانُوا يَفْعَلُونَ (٧٩)

Ata nga mesi i Beni Israilëve që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga veprat e këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” [el-Ma’ide, 78-79]

Megjithatë, ne e kemi detyrë që të dimë se urdhërat e Sheriatit për këto çështje kanë vendin e tyre dhe duhet patjetër që të përdoret urtësi. Kështu, kur e shohim se refuzimi i të keqes në publik do t’i japë fund të keqes dhe do të sjelli mirësi, atëherë ne e refuzojmë atë haptazi. Dhe kur e shohim se refuzimi në publik nuk i jep fund të keqes dhe nga kjo gjë nuk arrihet ndonjë mirësi, por veçse shtohet urrejtja e udhëheqësve për ata që duan të mirën dhe që refuzojnë të keqen, atëherë e mira këtu është që ne ta refuzojmë këtë të keqe në privat. Dhe në këtë mënyrë bëhet bashkimi midis argumenteve.

Kështu që, argumentet që tregojnë se refuzimi duhet të bëhet haptazi, kanë për qëllim vetëm atëherë kur ne presim disa dobi, si arritja e të mirave dhe largimi i të këqijave. Dhe argumentet që tregojnë se refuzimi duhet të bëhet fshehtazi, në privat, kjo është në rastin kur refuzimi i hapur do të çojë në shtimin dhe zmadhimin e të keqes dhe në mosarritjen e të mirës.

Prandaj është detyrë që t’i këshillojmë udhëheqësit, pikërisht ashtu siç ka ardhur në tekstin që ka përmendur pyetësi, “Kush do që t’i japë këshillë atij që është në pushtet, atëherë le mos ia japë atë në publik...

Dhe ne themi se tekstet nuk hedhin poshtë njëri-tjetrin dhe nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin. Kështu që, refuzimi bëhet i hapur atëherë kur dobia e këtij refuzimi është në mbarimin e të keqes dhe zëvendësimin e saj me mirësi; dhe bëhet në privat atëherë kur refuzimi nuk i shërben një qëllimi të mirë, domethënë e keqja nuk do të ndalet nga ky refuzim dhe as nuk do të zëvendësohet e keqja me mirësi. Dhe ne e dimë se udhëheqësit nuk mund t’ua bëjnë qejfin të gjithë njerëzve, madje edhe Imami i një xhamie nuk është i aftë që t’i kënaqë të gjithë ata që falen pas tij. Kështu, disa prej tyre thonë se ai e zgjat shumë namazin, kurse të tjerë thonë se ai e shkurton shumë, ndërsa disa të tjerëve u pëlqen që ta falin namazin në fillim të kohës së tij, kurse disa të tjerëve u pëlqen që ai të vonohet pak. Pra, këto janë rrethanat e Imamit të xhamisë, por si do jenë rrethanat me udhëheqësit, të cilët kanë përgjegjësi shumë herë më të mëdha sesa ai (Imami i xhamisë). Kështu që, kur robi bën refuzim të hapur kundër udhëheqësve, atëherë ata që e urrejnë unitetin e Muslimanëve do ta përdorin këtë kundër tij (për të realizuar qëllimet e tyre).

Prandaj, është detyrë e të rinjve që ata t’i shohin tekstet nga të gjitha këndvështrimet dhe të mos i japin përparësi asgjëje derisa të shohin pasojat e saj, ngase Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të thotë fjalë të mira ose përndryshe le të heshtë.” Kështu që, bëjeni këtë peshore të veteve tuaja për çdo fjalë që thoni, dhe poashtu për të gjitha veprat tuaja. Dhe Allahu është Dhënësi i suksesit.

Pyetësi: Shejkh i nderuar, fjalët që the më parë në lidhje me refuzimin kundër udhëheqësve, mos ato nënkuptojnë se është e ndaluar që të refuzohet hapur e keqja që është e pranishme në shoqëri?

Përgjigje: Jo. Por ne po flasim rreth refuzimit kundër udhëheqësve dhe jo për të këqijat e zakonshme që janë të pranishme.

Për shembull, ne kemi gjëra të këqija mes nesh, siç është kamata, kumari dhe sigurimet që gjenden tek ne, pjesa më e madhe e të cilave përbëhen nga kumari. Dhe është e çuditshme që njerëzit i kanë pranuar ato dhe nuk shikon njeri që t’i refuzojë ato, megjithë faktin që Allahu i ka vendosur ato bashkë me pijet dehëse, Ansabet (idhujt) dhe Azlamet (shigjeta me të cilat kërkohej fati). Por megjithatë, njerëzit nuk shfaqin refuzim kundër këtyre gjërave sot. Kështu që, nuk gjen askënd që t’i refuzojë këto lloj ndërveprimesh; ti merr siguracion për makinën tënde, për shtëpinë tënde, ti ofron pasurinë tënde dhe pastaj nuk e di nëse do ta humbasësh pjesën më të madhe ose veç një pjesë të saj, dhe ky është kumar.

Prandaj them se refuzimi i të këqiave që janë të zakonshme mes nesh duhet të bëhet dhe këtu nuk ka ndonjë dëm. Sidoqoftë, ne po flasim në lidhje me refuzimin kundër udhëheqësve, si për shembull, dikush ngrihet në xhami dhe thotë, “Shteti është zullumqar... shteti ka bërë këtë e këtë...” dhe pastaj flet në të njëjtën mënyrë kundër udhëheqësve, haptazi, pa marrë parasysh faktin se ata të cilët ky po i kritikon nuk janë të pranishëm në atë tubim.

Dhe ka një dallim të madh midis prijësit apo gjykatësit që ti kërkon t’i kritikosh ndërkohë që ata nuk janë të pranishëm, sepse të gjitha refuzimet që janë transmetuar nga Selefët, kanë ndodhur mu përballë prijësit apo gjykatësit. Kështu që, dallimi është se kur ai është i pranishëm, atëherë ai mundet që ta mbrojë veten e tij, të shpjegojë këndvështrimin e tij dhe ka të ngjarë që ai të ketë të drejtë kurse ne (që po e kritikojmë) të gabohemi. Prandaj, nëse je i zellshëm për arritjen e të mirës, atëherë shko tek ai, dil ballë për ballë dhe këshilloje mes veti.

 

Përktheu Alban Malaj