Autor: Shejkh ‘Abdul’Azijz Ali-Shejkh
Burimi origjinal: Kaseta me titull, Ahdaf el-Hamalatul-‘Ilmije Dhi-Wulat ue ‘Ulema Biladil-Haramejn, si dhe libri i Muhamed Ibn Fehd el-Husejn, el-Fetaua esh-Sher’ije fij el-Kadaja el-‘Asrije


Pyetje: Disa njerëz të njëanshëm e të dyshimtë po bëjnë propagandë në internet dhe po i thërrasin të rinjtë e këtij vendi që ta braktisin bindjen ndaj udhëheqësve të shtetit dhe të ngrihen kundër tyre. Gjithashtu, ata u bëjnë thirrje të rinjve që të mos ua vënë veshin dijetarëve për këtë çështje. Prandaj ne kërkojmë këshillë dhe komentet tuaja rreth kësaj.

Përgjigje: Allahu na ruajt nga të tilla rrethana të këqia! Këta janë munafikët. Ata janë të devijuar dhe zemrat e tyre ka sëmundje.

Ata lakmojnë Islamin dhe Muslimanët. Kush thërret për të kundërshtuar dhe për t’u rebeluar ndaj udhëheqësit, kush thërret për kryengritje ndaj autoriteteve dhe kush thërret në kaos, atëherë në zemrën e tij ka hipokrizi dhe sëmundje. Allahu i dhëntë fund dhe e turpëroftë atë person.

Ky person - Allahu na ruajt - është nga ata që thërrasin për sherr, ligësi, nga ata që i shkaktojnë popullit fatkeqësi. Ai është nga ata njerëz që kanë sëmundjen e hasedit në zemrat e tyre për Islamin dhe Muslimanët. Atyre u pëlqen që të përhapin kaos dhe anarki mes shoqërive Muslimane.

Kërkohet nga çdo Musliman që të jenë të vëmendshëm dhe ta kuptojnë plotësisht atë që dëgjojnë. Nuk ka dyshim se interneti është një nga mjetet më të përparuara të komunikimit. Megjithatë, për fat të keq ndodh që disa faqe interneti përmbajnë dhe lejojnë përhapjen e informacionit kriminal, devijues e të pavërtetë, që i largon të tjerët nga Allahu. Këta janë njerëz që u përkasin grupacioneve politike, të cilët nuk sjellin gjë tjetër përveç shkatërrimit.

Allahu Subhanehu ue Te’ala thotë:

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لا تُفْسِدُوا فِي الأرْضِ قَالُوا إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ (١١)أَلا إِنَّهُمْ هُمُ الْمُفْسِدُونَ وَلَكِنْ لا يَشْعُرُونَ (١٢)

Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” - ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” Por jo! Në të vërtetë, janë pikërisht ata shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse ata nuk e ndiejnë.” [el-Bekare, 11-12]

Kushdo që fton një person tjetër për të kundërshtuar e për t’u rebeluar kundër bindjes së atyre që janë në pushtet e për të mos i dëgjuar ata, atëherë gjëja më e keqe që mendon për të është se ai është një munafik dhe një gjynahqar i poshtër. Ai nuk ka besë, nuk ka fe dhe nuk ka miqësi, për shkak se - Allahu na ruajt - këto nxitje sjellin kaos, gjakderdhje, dhunim të pronës dhe shkelje të të drejtave të njerëzve. Shoqëria jonë lavdi Allahut është një shoqëri Muslimane nën udhëheqjen e një prijësi Musliman. Në të ka njerëz që janë në shërbim të mirëqënies së vendit, që e mbrojnë atë, disa prej të cilëve punojnë gjatë gjithë natës për ta ruajtur atë me çdo mënyrë që të jetë e mundur. Ata sakrifikojnë kohën dhe paratë e tyre për ta ruajtur këtë shoqëri. Sa herë që shfaqen rrugë që të shpien tek e keqja, Allahu i largon ato nga ky vend nëpërmjet mirësisë që gjendet në këtë vend, siç është përmirësimi, gjykimet ligjore dhe qëllimet e mira që kanë pushtetarët në këtë vend. Allahu u dhëntë atyre sukses dhe i udhëzoftë tek çdo gjë që është e mirë.

Pra, këto thirrje e ftesa që bëhen nëpërmjet internet dhe mjeteve të tjera vijnë nga njerëz ziliqarë dhe hipokritë të devijuar. Ato nuk mund të vijnë nga një Musliman që e ka frikë Allahun dhe është i ndërgjegjshëm për Të. Muslimani i frikësohet Allahut me vetëdije, thërret aty ku thërret Allahu: për të dëgjuar e për t’iu bindur udhëheqësve duke qenë në bindje me Allahun, duke i ndihmuar ata me anë të bashkëpunimit, përkrahjes, unifikimit të zemrave dhe qëllimeve dhe shtrëngimin e rradhëve të njerëzve - kjo është detyra që ka secili prej nesh. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që e takon Allahun (duke vdekur) pa patur besën e bindjes (ndaj udhëheqësit), atëherë ai vdes në një gjendje të Xhahilijetit.” [Transmetuar nga Muslimi (n. 4770).]

Kushdo që ka në zemrën e tij hased dhe armiqësi ndaj vendit dhe e përbuz bindjen dhe rendin, ai jeton një jetë të mjeruar dhe vdes me një vdekje të Xhahilijetit.

Muslimani duhet t’ia dojë të mirën Muslimanëve. Ai duhet të dëshirojë bashkimin e tyre dhe që zemrat dhe safet e tyre të jenë të pandara. Dihet mjaft mirë që këta armiq dëshirojnë vetëm kaos dhe trazira, dhe jo bashkim.

Ky vend lakmohet për shkak të fesë, sigurisë, udhëheqjes, begatisë, burimeve të pasura, unitetit dhe integritetit të tij. Ne i lutemi Allahut që të na mbrojë nga këto propaganda lajthitëse. Çdo Muslimani i kërkohet që kur t’i dëgjojë këto ligësi të mos ua vërë veshin atyre, t’i refuzojë dhe ta bëjë të ditur se kjo vjen nga njerëz që kanë zemra plot hased, armiqësi, devijim dhe ligësi, të cilët po luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

Allahu i ruajt tokat tona Islame nga çdo e keqe. Ne i lutemi Allahut për vetet tona, për Fenë tonë, për sigurinë tonë dhe për udhëheqjen tonë. Ai na bashkoftë në bindje ndaj Tij dhe Ai i ndaloftë kurthet e tradhëtarëve, ziliqarëve dhe armiqëve.

 

 

Përktheu Alban Malaj