Autor: Shejkh Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin

Burimi: Sherh ‘Umdetul-Ahkam, vëll.2/fq.650-651

 

 

Talaku (divorci) është ndarja e gruas mbasi që është bërë akti i nikahut (martesës) me të. Ai është një çështje e madhe dhe e rrezikshme, kurse disa njerëz sot luajnë me divorcin, aq sa është bërë divorci për ta më i lehtë sesa pirja e ujit, dhe kjo është gabim. Andaj është obligim që njeriu ta ndajë gruan ashtu siç ka urdhëruar Allahu – ‘Azze ue Xhel-le –, si:

1 – Kur ajo është shtatzënë, edhe nëse ka kryer marrëdhënie me të gjatë shtatzënisë së saj.

2 – Ta divorcojë kur ajo është e pastër (nga menstruacionet) dhe nuk ka kryer marrëdhënie me të gjatë kësaj kohe.

3 – Ta divorcojë përpara se të kryejë marrëdhënie me të për herë të parë ose përpara se të veçohet me të (mbas kryerjes së nikahut).

 

Kurse divorci i ndaluar është që ta ndajë gruan kur ajo është me menstruacione, ose kur është e pastër nga menstruacionet dhe ka kryer marrëdhënie me të gjatë kësaj pastërtie, dhe gruas i vijnë rregullisht menstruacionet dhe bie shtatzënë. Për këtë arsye është obligim për njeriun që kur do ta ndajë gruan e tij, të mendohet mirë, ta marrë shtruar dhe ta rishikojë (vendimin për divorc), pastaj të pyesë dijetarët përpara se ta ndajë. Sa e sa njerëz e kanë ndarë gruan jo në përputhje me Sheriatin, pastaj janë penduar e pikëlluar tej mase, dhe kanë shkuar të pyesin nga të gjitha anët, por a u hyn më në punë tani. Prandaj, kur ‘Abdullah Ibën ‘Umeri – radijAllahu ‘anhuma – e ndau gruan e tij kur ajo ishte me menstruacione, Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – u nxeh dhe u zemërua, si mund ta ndajë gruan pa qenë ajo në idetin (kohën e caktuar për divorc), ndërsa Allahu – Tebarake ue Te’ala – ka urdhëruar që ta ndajë në idet. Ai ka thënë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا طَلَّقْتُمُ النِّسَاءَ فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ

“O ti Pejgamber, nëse i ndani gratë tuaja, atëherë ndajini ato para kohës së tyre të pritjes.” [et-Talak, 1]

 

Kështu që, kjo ngjarje na sqaron neve kuptimin e ajetit fisnik: “O ti Pejgamber, nëse i ndani gratë tuaja, atëherë ndajini ato para kohës së tyre të pritjes.” Domethënë: në kohën kur gruaja pret idetin, duke e ndarë atë kur është shtatzënë ose kur është e pastër pa menstruacione dhe pa kryer marrëdhënie me të.

 

Pra, nëse ai e divorcon atë duke qenë shtatzënë, divorci hyn në fuqi dhe është i lejuar, sepse vetëm me divorcimin e saj fillon ideti, derisa të lindë atë që ka në bark. Ndërsa kur është e pastër dhe pa kryer marrëdhënie me të lejohet ta divorcojë, domethënë që ta divorcojë kur ajo nuk është me menstruacione dhe ai nuk ka bërë marrëdhënie me të gjatë kësaj pastërtie, sepse nëse e divorcon në këtë gjendje pastërtie dhe pa bërë marrëdhënie me të, për të ka filluar ideti prej tre ciklesh, pra tre menstruacione.

 

Ama nëse e divorcon atë kur të jetë e pastër nga menstruacionet dhe pasi ka bërë marrëdhënie në atë kohë, kjo është e haram, sepse nëse ka kryer marrëdhënie me të pastaj e divorcon, ne nuk e dimë, ndoshta ajo ka mbetur shtatzënë nga kjo marrëdhënie, kështu që ideti i saj duhet të jetë derisa të lindë atë që ka në bark, e nëse nuk ka mbetur shtatzënë, atëherë ideti i saj është tre cikle menstruacionesh.

 

Thelbi i kësaj është se kuptimi i ajetit:

فَطَلِّقُوهُنَّ لِعِدَّتِهِنَّ

atëherë ndajini ato para kohës së tyre të pritjes…”

Domethënë: ndajini ato kur janë të pastra dhe nuk keni kryer marrëdhënie me to, ose kur janë shtatzëna, sepse është haram nëse e ndan kur ajo është me menstruacione.

 

 

Përktheu: Alban Malaj