Autor: Shejkh Muhamed Alij Ferkus

Burimi: http://ferkous.com/home/?q=fatwa-1154

 

 

Nr. i fetvasë: 1153

 

Pyetje: A i lejohet gruas që ta kurojë burrin apo t’i bëjë rukje atij kur nuk ka ndonjë burrë që ta marrë përsipër kurimin e tij? Allahu ju shpërbleftë me të mira.

 

Përgjigje: Falenderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lëvdata dhe shpëtimi qofshin për atë që Allahu e dërgoi mëshirë për njerëzit dhe xhinët, për familjen e tij, shokët dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

Më tej:

Kurimi i burrit të huaj ose këndimi i rukjes për burrin e huaj nga ana e gruas, lejohet në raste nevoje, ose për ndonjë dobi më të madhe duke qenë brenda kritereve sheriatike, siç janë: ruajta nga fitneja dhe shmangia e vetmisë me të. Po ashtu, duke iu përmbajtur normave dhe dispozitave sheriatike që gruaja duhet t’u përmbahet në veshje, fjalë dhe zbukurim; po ashtu ajo duhet t’i shmanget shikimit (të panevojshëm) tek i huaji dhe i huaji duhet ta shmangë shikimin (e panevojshëm) tek ajo.

 

Pra, kur ajo e kuron atë ose kur ajo del prej shtëpie, të mos ketë ndonjë dëm, veçanërisht kur ka mungesë të burrave për kurimin e një burri tjetër. Argument për lejimin e këndimit të rukjes për burrin nga ana e gruas është ngjarja esh-Shifa-së, bijës së Abdullahut, në lidhje me një burrë që ishte prekur nga en-Nemla (sëmundja e ekzemës). El-Hakimi ka transmetuar me zinxhir të saktë se: “Një njeri nga Ensarët (banorët e Medinës) ishte prekur nga Nemla (plagë që dalin në ijët ose në vende tjera përveç ijëve). Dikush i tregoi këtij Ensariut se esh-Shifa, bija e Abdullahut, këndon rukje për kurimin e Nemla-së. Kështu, ai vajti tek ajo dhe i kërkoi që t’i këndonte rukje, e ajo i tha: “Pasha Allahun, nuk i kam bërë askujt rukje që prej kur kam hyrë në Islam.”

 

Ky ensarij shkoi tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe i tregoi për atë që i tha esh-Shifa-ja. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e thirri menjëherë esh-Shifanë e i tha: “Ma trego atë (rukjen sesi e bën).” Unë ia tregova dhe ai më tha: “Bëji rukje këtij dhe mësoja edhe Hafsës, ashtu siç ia mësove Kuranin.” Kurse në një transmetim tjetër qëndron: “Mësoja asaj shkrimin dhe leximin.” [1]

 

Transmeton Buhariu nga er-Rubejji’i, e bija e Mu’auidh-it – radijAllahu ‘ahnuma – se ka thënë: “Ne bashkë  me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – u jepnin ujë dhe i kuronim të plagosurit dhe i sillnim të vrarët në Medine (nga fusha e betejës).” [2]

 

Po ashtu, Buhariu dhe Muslimi se: “Aisheja dhe nëna e Sulejm-it – radijAllahu ‘anhuma – i mbartnin shakujt në shpinë (për në betejë) dhe ua sillnin njerëzve për të pirë ujë, pastaj ktheheshin dhe i mbushnin ato, pastaj përsëri vinin dhe u jepnin njerëzve të pinin ujë.” [3]

 

Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Enes ibën Malik – radijAllahu ‘anhu – se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nisej për në betejën e luftës, me të ishte Ummu Sulejm-i (nëna e Sulejmit) dhe disa gra të Ensarëve; ato u jepnin ujë njerëzve dhe i kuronin të plagosurit.” [4]

 

Po ashtu prej nevojës dhe dobisë është shërbimi i mysafirëve.

Në hadithin që është muttefekun ‘alejhi (që e transmeton Buhariu dhe Muslimi) se: “Kur Ebu Usejd es-Sa’idij u martua, e ftoi në dasmë Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe shokët e tij. Kështu, ai përgatiti ushqim për ta dhe atë ua shërbeu gruaja e tij Ummu Usejd.” [5]

 

Vërtet vepra të këtilla si, xhihadi dhe shërbimi i mysafirëve ose të ngjashme si këto, përmbushin një dobi sheriatike të cilën e ka lejuar Sheriati për gratë që ta kryejnë atë.

 

Ndërsa dija është tek Allahu. Lutjet tona të fundit janë se të gjitha lavditë i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Allahu dërgoftë salavate mbi Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij si dhe mbi ata që i ndoqën shokët e tij me përpikëri deri në Ditën e Gjykimit.

 

Algjeri: 5 Xhumadel-Ula 1418 h.

Që përkon me datë 7 Shtator 1997 m.

 

Fundnotat:

 [1] E ka nxjerr el-Hakimi në “el-Mustedrak” (6888) nga hadithi i esh-Shifa bint Abdullah – radijAllahu anhuma [shiko në “es-Silsiletu es-Sahihah” të Albanit (178)], kurse transmetimi që ka ardhur me fjalën “shkrimin dhe leximin” këtë e ka nxjerrë Ahmedi në “el-Musned” (27095), si dhe Ebu Daudi në “et-Tib” në kapitullin “Babu ma xhae fi er-Rukaa,” (3887), nga hadithi i esh-Shifa bint Abdullah – radijAllahu ‘anhuma.

[2] E ka nxjerrë Buhariu në “el-Xhihaad ue es-Sijer” në kapitullin “Mudauatu Nisa el-Xherha fil Gazui”, nga hadithi i er-Rubejji’i bint Mu’auidh – radijAllahu ‘anhuma.

[3] E ka nxjerrë Buhariu në “el-Xhihad ue es-Sijer” kapitulli “Babu Gazui en-Nisa ue Kitaluhunne me’a er-Rixhaal” (2880) dhe e ka nxjerrë Muslimi në “el-Xhihad ue es-Sijer” (1811), nga hadithi i Enes ibën Malik – radijAllahu anhuma.

[4] E ka nxjerrë Muslimi në “el-Xhihad ue es-Sijer” (1810) nga hadithi i Enes ibën Malik – radijAllahu ‘anhuma.

[5] E ka nxjerrë Hakimi në “en-Nikah” kapitulli “Babu Kijami el-Mereti ‘ala er-Rixhal fi el-‘Ursi ue Khidmetihim bi Nefs,” (5182) dhe Muslimi në “el-Eshribeh” (2006) nga hadithi i Sehël bin S’ad es-Sa’idij – radijAllahu anhuma.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari