Nga një numër dijetarësh

Fetvaja e parë nga Shejkh Uthejmini:

Pyetje: Cili është gjykimi i veshjes së rrobave të ngushta përpara grave dhe mahremëve?

Përgjigje: “Veshja e rrobave të ngushta nga të cilat duket dhe shfaqet bukuria e gruas është haram, ngase Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “ Dy lloje prej banorëve të zjarrit nuk i kam parë ende: burra me kamxhik si bishti i lopes që godasin me to njerëzit- pra, armiqësisht dhe padrejtësisht- dhe gra të veshura por të zhveshura, që përdridhen dhe i bëjnë njerëzit të dridhen”. Dhe shpjegimi që i është bërë thënies së tij: “Të veshura por të zhveshura”, është se ato vishen me rroba të shkurtra të cilat nuk e mbulojnë atë që është obligim të mbulohet prej pjesëve të turpshme. Po ashtu, është shpjeguar se ato vishen me rroba transparente prej të cilave duket lëkura e gruas. Është shpjeguar po ashtu se ato veshin rroba të ngushta të cilat e mbulojnë trupin por, ato i nxjerrin në pah hijeshitë e gruas; pra, për këto arsye, nuk i lejohet gruas të vishet me këto rroba të ngushta, përveç përpara atij të cilit asaj i lejohet t’ia shfaqë auretin e saj dhe ai është burri i saj, ngase midis burrit dhe gruas nuk ka turp nga thënia e Allahut, Te’ala:

وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (٥)إِلا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (٦)

 

Ata të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim, dhe, për këtë, nuk janë fajtorë.” [el-Mu’minun, 5-6]

Dhe ka thënë Aishah (radijAllahu ‘anha): “Lahesha unë dhe Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - pra prej xhunubllëkut - nga e njëjta enë dhe përziheshin duart tona me njëra tjetrën.”

 

Pra, midis burrit dhe gruas nuk ka turp.

 

Ndërsa përpara grave dhe mahremëve është obligim për të mbulimi i auretit të saj dhe veshjet e ngushta nuk lejohen as pëpara mahremit dhe as pëpara grave nëse janë aq të ngushta sa duken hijeshitë e saj.”

 

Nga Shejkh Salih bin Uthejmin

Marrë nga: ibnOthaimeen.com

 

 

Fetvaja e dytë nga Shejkh Ahmed en-Nexhmi:

 

Pyetje 1: Cili është gjykimi i veshjeve transparente përtej të cilave duken supet dhe kurrizi në prani të grave?

 

Përgjigje: “Veshja e këtyre rrobave nuk lejohet qoftë edhe përpara grave dhe në shoqërinë e tyre sepse këto veshje tregojnë shthurje, paturpësi dhe dobësi në fe.”

 

 

Pyetje 2: A lejohet veshja e fundeve të ngushtë apo të carrë nga para ose nga mbrapa vetëm në prani të grave? Dhe nëse këto gra këshillohen për këtë veprim të tyren, ato thonë: duhet të jetojmë në përputhje me shoqërinë dhe të ecim me të.

 

Përgjigje: “Veshja e fundeve prej të cilave duket fundshpina e femrës dhe pjesët e tjera e të trupit, nuk duhet të vishen qoftë edhe vetëm në prani të grave, madje është obligim që gruaja të vishet me rroba të bollshme dhe mbuluese të trupit.

 

Ndërsa ato që thonë se duhet të jetojmë në përputhje me shoqërinë, thënia e tyre është e gabuar dhe e kotë. Përkundrazi, është detyrë për muslimanin që të jetojë ashtu siç e ka urdhëruar Allahu në Librin e Tij, nëpërmjet të Dërguarit të Tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe jo sipas shoqërisë. Dhe gruaja e cila jeton ashtu siç do shoqëria edhe pse është e gabuar; do të jetë prej atyre që kur të pyeten në varr do të thonë: ah, ah nuk e di, dëgjoja njerëzit që thoshin diçka dhe e thoja edhe unë.”

 

 

Pyetje 3: Cili është gjykimi i veshjes së pantallonave të ngushta pëpara grave?

 

Përgjigje: “Pantallonat e ngushta të cilat përshkruajnë format e trupit, nuk lejohet t’i veshë gruaja, qoftë edhe në prani të grave, përveç në rastin kur ndodhet në shtëpinë e saj dhe vetëm përpara burrit të saj; por nëse ka fëmijë të rritur, atëherë nuk i lejohet t’i veshë ato përpara tyre.

 

Dhe pantallonat e ngushta kanë edhe një mangësi tjetër: ato i vështirësojnë namazfalësit uljen mes dy sexhdeve dhe uljen në teshehud.”

 

Shejkh Ahmed Jahja en-Nexhmij

Marrë nga libri: Fet’hur-Rabbi el-Uedud fil Fetaua uer-Resa`il uer-Rrudud, fq. 226.

 

 

Fetvaja e tretë nga Lexhnetud-Da`imeh:

 

 

Pyetje: A i lejohet gruas të veshë pantallona përpara mahremëve të saj?

 

Përgjigje: “Nuk i lejohet asaj që të veshë pantallona sepse në të ka shembëllim të grave me burrat.”

 

Nga Lexhnetud-Da`imeh (18/101-102)

Marrë nga libri: El kaul el-xhemil bixhem’ fetaua el-mer’ah fiz-zijneh uet-texhmil, fq. 136.

 

 

Fetvaja e katërt nga shejkh Feuzani:

 

Pyetje: Unë kam katër fëmijë dhe vishem përpara tyre me të shkurtra, cili është gjykimi për këtë?

 

Përgjigje: “Nuk i lejohet gruas që të vishet me rroba të shkurtra përpara fëmijëve të saj dhe mahremëve të saj. Në prani të tyre zbulohet vetëm ajo që konsiderohet normale, në të cilën nuk ka fitne dhe të shkurtrat i vesh vetëm përpara burrit të saj.”

 

Nga shejkh Salih el-Feuzan

Marrë nga libri: El kaul el-xhemil bixhem’ fetaua el-mar’a fiz-zijna uet-texhmil, fq. 171.

 

 

Fetvaja e pestë nga Shejk Albani:

 

 

Pyetje: A i lejohet motrës të shfaqë përpara vëllait të saj këcirin e këmbës, pjesën e sipërme të kraharorit dhe krahët?

 

Përgjigje: “Nuk i lejohet gruas që të shfaqë përpara mahremëve të saj dhe grave muslimane, veçse pjesët që marrin zbukurim(dmth pjesët në të cilat vendosen bizhuteritë dhe stolitë).

 

Thotë Allahu i Lartësuar:

 

وَلا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلا لِبُعُولَتِهِنَّ أَوْ آبَائِهِنَّ

 

“... dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre

ose baballarëve të tyre...” [En-Nur, 31]

 

Dhe pjesët të cilat zbukurohen janë: koka, pjesa ku vendoset varësja e gushës, pjesa ku vendoset byzylyku i dorës dhe po ashtu pjesa mbi brryl, në të cilin vendoset byzylyk, po ashtu këmbët (dmth kyçi i këmbës) dhe pjesa e këmbës ku vihet unaza.

 

Pra, vetëm këto pjesë lejohet që gruaja t’i shfaqë përpara mahremëve të saj dhe grave.”

 

Shejkh Muhamed Nasirudin el-Albani

Marrë nga libri: El kaul el-xhemil bixhem’ fetaua el-mar’a fiz-zijna uet-texhmil, fq. 95.

 

 

 

Fetvaja e gjashtë nga Shejkh Albani:

 

Pyetje: Cili është gjykimi i veshjes së pantallonave nga gratë?

 

Përgjigje: “Këto pantallona që gratë i veshin sidomos në ditët e sotme, përshkruajnë format e kofshëve dhe të fundshpinës dhe ndoshta më shumë se aq. Kush është ai që thotë se lejohen këto veshje?!

 

Këtë gjë nuk e thotë absolutisht muslimani; për këtë arsye, shfaqja e gruas me këto veshje të ngushta të cilat nxjerrin edhe formën e auretit, me mendimin se aureti është që nga kërthiza e deri tek gjuri, ky koncept bie ndesh me Kur’anin dhe Sunetin...

 

Kofshët janë auret dhe nxjerrja e formave të tyre nëprëmjet veshjes së këtyre pantallonave, nxit joshje më shumë nga çmund të nxisë një trup i thjeshtë tek disa femra për shembull; dmth disa gra nuk e kanë lëkurën joshëse, por veshin rroba joshëse dhe kjo është fitne e dyfishtë.”

 

 

 

Pra, përgjigja (e Shejkh Albanit) është se:

 

1- Aureti i grave në prani të njëra tjetrës nuk është prej kërthizës e deri tek gjuri, siç edhe u sqarua më lartë.

 

2- Edhe sikur të supozojmë se aureti i muslimanes përpara muslimanes është qe prej kërthizës e deri tek gjuri, prapë pantallonat janë harram sepse nxjerrin në pah format e kofshëve.

 

3- Veshja e gruas me këto pantallona është fitne e dyfishtë edhe midis njëra tjetrës;dhe kjo është ajo që kihet pë qëllim nga fjalët e shejkhut, rahimehullah, pasi e sqaroi se cilat janë pjesët që marrin zbukurim, të cilat i lejohen gruas që ti shfaqë përpara motrës së saj muslimane;dhe pantallonat nxjerrin auretin i cili duhet të fshihet edhe përpara muslimaneve, pra u vërtetua se ato janë harram.

 

Marrë nga libri: El kaul el-xhemil bixhem’ fetaua el-mar’a fiz-zijna uet-texhmil, fq. 138.

 

 

Përktheu: Umm ‘Akil