Autor: Imam Nasirud-Din el-Albanij

Burimi: Silsiletul-Huda ue Nur, kaseta 403, minutat 44:51

 

Shikimi personal i hënës së re nuk ka peshë dhe nuk ka vlerë në Sheriatin Islam për shkak të fjalës së tij – ‘alejhi salatu ue selam –:

الصوم يوم يصوم الناس و الفطر يوم يفطرالناس

“Agjërimi është ditën kur njerëzit agjërojnë dhe iftari është ditën kur njerëzit bëjnë iftar.”

 

Dhe për këtë arsye personi i cili e ka parë (hënën e re) kurse njerëzit akoma hanë dhe pinë, nuk duhet të agjërojë edhe pse ai e ka parë hënën, ngase është e udhës që të ecë rregullave të xhematit dhe të mos i përçajë ata dhe të mos i kundërshtojë ata.

Është e njohur tek të gjithë fjala e tij – ‘alejhi salatu ue selam –:

صوموا لرؤيته و أفطروا لرؤيته

“Agjëroni me shikimin e hënës së re dhe ndërprisni agjërimin më shikimin e hënës së re.”

 

Pa dyshim se kjo çështje nuk është nga çështjet personale për të cilat obligohet muslimani, siç është namazi për shembull, ti ke mundësi të falesh në shtëpinë tënde apo në dyqanin tënd apo në fabrikën tënde, e kështu me radhë. Por, nuk të takon ty të agjërosh për shkak të shikimit tënd (të hënës së re) porse ti e ke obligim të agjërosh bashkë me banorët e vendin me të cilët ti jeton.

 

Pra, nëse banorët e vendit (fillojnë) të agjërojnë, ti agjëron bashkë më ta, e nëse ata e përfundojnë agjërimin (muajin e Ramazanit) ti e përfundon bashkë me ta. Fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

صوموا لرؤيته

“Agjëroni me shikimin e hënës së re.”

 

Pa dyshim, se kjo e folur u drejtohet të gjithë muslimanëve në përgjithësi, por me keqardhje të madhe, qeveritë Islame, shumica e tyre janë emërtime, pa emra. Ato shtete nuk kanë ndonjë realitet në to sepse nuk gjykojnë me atë që e ka zbritur Allahu dhe argument për këtë është se çdo shtet agjëron më vete, nuk kanë ndonjë lidhje (me njëra-tjetrën), dhe çirren e bërtasin çdonjëri vetëm, ndërsa ata nuk janë të besueshëm në atë që thonë, sepse gjënë më të thjeshtë s’kanë mundur ta bëjnë bashkë: (dy) festat e Bajramit, hyrjen e muajit të agjërimit dhe daljen e tij, por ata nuk e bëjnë këtë.

 

Dhe përderisa, popujt Islam nuk mund të bashkohen rreth (fillimit) të agjërimit dhe ndërprerjes së tij për shkak të kundërshtive të qeverive, atëherë në këtë rast, çdo shtet apo çdo popull duhet të agjërojë me shikimin e tij të hënës së re. Por ama që, banorët e një vendi të ndahen në dy grupe, na mjafton që jemi ndarë në shumë shtete, pra s’na ka mbetur veçse çdo shtet ta ndajmë në dy grupe. Fatkeqësisht, kjo po ndodh, disa njerëz agjërojnë me Saudinë dhe disa njerëz agjërojnë me Sirinë, e kështu me radhë!

 

Kjo nuk duhet të ekzistojë, ashtu siç thamë pak më parë në disa përgjigje të mëparshme se, nëse muslimani bie në mes dy të këqijave, e zgjedh të keqen më të vogël.

 

Andaj, në këtë kohë, që banorët e një vendi të agjërojnë të gjithë bashkërisht është më e hajrit se sa të ndahen në mes tyre, kjo është një e keqe ende më e madhe – nëse kjo shprehje është e saktë nga ana gjuhësore. Por, më mirë është që ky vend të agjërojë me atë vend, dhe ky shtet me atë shtetin tjetër, në mënyrë që, e gjithë bota Islame të agjërojnë (së bashku), të gjithë të kenë Bajram (në të njëjtën ditë), porse kjo nuk është e mundur, dhe për këtë, ne shprehim keqardhje të thellë. Por Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta.

 

Kështu që, banorët e një vendi – sipas mundësisë së tyre – nëse shteti lajmëron për (fillimin) e agjërimit në një ditë të caktuar, i gjithë populli fillon të agjërojë, edhe në qoftë se ky lajmërim është jo-sheriatik, d.m.th i pavërtetë sipas Sheriatit, ngaqë çështja është në dorën e shtetit dhe nuk është në dorën e një individi prej individëve, siç është shembulli me ligjet e Sheriatit, nëse ato i marrin përsipër individët, do të ndodhte shkatërrim (fesad) në tokë e në det. Shtetet në këtë kohë, shumica e tyre, nuk i zbatojnë i ligjet (e Sheriatit), andaj, a duhet t’i marrin përsipër individët zbatimin e ligjeve nëse njëri e vret tjetrin, si për shembull: të çohet me të afërmit e tij për ta vrarë vrasësin?! Fesadi do të shtojë një fesad tjetër.

 

Dhe për këtë arsye, agjërimi i banorëve të një vendi duhet të jetë i përbashkët, të agjërojnë dhe ta ndërpresin agjërimin, dhe nuk lejohet që të ndahen.

 

Pyetësi: Edhe në qoftë se çështja mbështet tek llogaritja astronomike?

 

Shejkh Albani: Jo, nuk ka llogaritje astronomike, ashtu siç ka thënë - ‘alejhi selam - :

صوموا لرؤيته

“Agjëroni me shikimin e hënës së re.”

 

Pyetësi: Edhe në qoftë se shteti... (fjalë të paqarta, mendoj se e përsërit pyetjen).

 

Shejkh Albani: Për këtë, të dhashë përgjigje. Edhe në qoftë se shteti lajmëron për (fillimin) e agjërimit dhe mbarimin e tij me ndonjë metodë jo-sheriatike, populli nuk mund t’i kundërvihet shtetit sepse kjo do të shpie në një shkatërrim më të madh. Me këtë ne nuk duam të themi se, përmbajtja sipas llogaritjes astronomike është llogaritje sheriatike. Jo! Por ne duam të themi siç thuhet (në një varg poezie):“Disa të këqija janë më të vogla se disa të tjera.”

 

Kjo është ajo që e themi ne, përndryshe, llogaritja astronomike nuk ka ndonjë vlerë.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari