Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij

Burimi: Fetaua Fadijletish-Shejkh el-Alameh Rabij’ Ibn Hadi el-Medkhalij (2/337-339)

 

 

Pyetje: Pyetësi pyet për gjendjen e Selefëve në Ramadan.

 

Përgjigje: Në përgjigje të kësaj pyetjeje them: Është e njohur gjendja e të Dërguarit Fisnik – ‘alejhis-salatu ues-selam. Dhe me të vërtetë ai – ‘alejhis-salatu ues-selam – përgatitej për këtë muaj dhe e agjëronte pjesën më të madhe të muajit Sha’ban; e agjëronte Sha’banin të tërin ose vetëm pak prej tij, siç ka ardhur në hadithin e A’ishes – radij-Allahu ‘anha. Pastaj agjëronte këtë Muaj Fisnik – ‘alejhis-salatu ues-selam – dhe tregonte kujdes të veçantë dhjetë ditëve të fundit të tij. E nëse hynin këto dhjetë ditët e fundit, ai përvishte mëngët dhe shtrëngonte izarin e tij (për të bërë ibadet). Ai, Gratë e tij dhe shumë prej Shokëve të tij – ‘alejhis-salatu ues-selam – bënin Itikaf, dhe vazhdonin përherë me këto vepra madhështore.

 

Agjërimi i saktë, veprat e mira, shpenzimi dhe bamirësia:

 

I Dërguari – ‘alejhis-salatu ues-selam –  ishte bujar, u jepte njerëzve dhe kur vinte Ramadani ai ishte më bujar sesa erërat, mbi të qoftë lavdërimi dhe bekimi. Sidomos kur i vinte Xhibrili – ‘alejhis-salatu ues-selam –, siç ka ardhur në hadithin e Ibn ‘Abbasit – radij-Allahu ‘anhuma.

 

I Dërguari i Allahut e lexonte Kur'anin apo e recitonte atë para Xhibrilit në çdo Ramadan nga një herë. Kurse në vitin e fundit të jetës së tij fisnike e recitoi Kur'anin para Xhibrilit dy herë, sikurse ka ardhur në hadithin e A’ishes dhe të Ebij Hurejrës – radij-Allahu ‘anhuma. Dhe ajo ishte shenjë që tregonte për vdekjen e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Gjithsesi, Selefët tregonin kujdes dhe vëmendje të veçantë në këtë muaj madhështor; e prisnin atë duke lexuar Kur'an, duke bërë shumë dhikër dhe duke qëndruar larg gjynaheve, ngase këtë urdhëron agjërimi. Agjërimi nuk është vetëm largim nga ushqimi dhe pija, por ai është largim nga çdo gjë që zemëron Allahun – Tebarake ue Te’ala –, sikurse gjynahet etj. Ata e prisnin atë duke iu bindur Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – dhe duke qenë të sinqertë për Allahun në këto vepra.

 

Me të vërtetë kanë qenë Selefët – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – sikurse është transmetuar se Maliku u jepte mësim njerëzve, ndërsa kur vinte muaji i Ramadanit e kursente kohën e tij për agjërimin dhe këndimin e Kur'anit.

 

Kështu që kushtojini vëmendje këndimit të Kur'anit në këtë muaj fisnik duke reflektuar e medituar në të dhe merrni mësim nga porositë, udhëzimet, ndalesat e tij, kuptimin e hallallit dhe haramit, kuptimin e përgëzimit dhe kërcënimit dhe çdo gjë tjetër të ngjashme me to që përmban ky Kur'an Fisnik. Në këtë mënyrë pastroni vetet tuaja dhe ndriçoni zemrat tuaja.

 

Pra, ky Kur'an është jetë, është dritë, është udhëzim, sikurse e ka cilësuar Allahu – Tebarake ue Te’ala – duke thënë:

 

وَكَذَلِكَ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ رُوحًا مِنْ أَمْرِنَا مَا كُنْتَ تَدْرِي مَا الْكِتَابُ وَلَا الْإِيمَانُ وَلَكِنْ جَعَلْنَاهُ نُورًا نَهْدِي بِهِ مَنْ نَشَاءُ مِنْ عِبَادِنَا وَإِنَّكَ لَتَهْدِي إِلَى صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ

“Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me Urdhrin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin) Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” esh-Shuura, 52

 

E megjithatë, lexoni se si Selefët e Devotshëm përvishnin mëngët duke iu përkushtuar këtij Muaji Fisnik si dhe në muajt e tjerë. Domethënë, ne nuk përkujtojmë vetëm në Muajin e Ramadanit, pastaj të harrojmë e t’i lëmë veprat e mira gjatë muajve të tjerë! Assesi, por ne vazhdojmë më tej me ibadetin që bëjmë për Allahun, me namazin e natës, duke iu afruar Allahut me veprat e tjera të mira të cilat i bëjmë edhe gjatë Ramadanit. Ne nuk harrojmë.

 

Disa njerëz fillojnë të bëjnë vepra të mira në këtë Muaj, e nëse kalon ky muaj, ata i lënë pas dore, dembelosen dhe harrojnë shumë prej atyre veprave. Jo! S’ka dyshim se ne i kushtojmë rëndësi këtij Muaji më shumë se muajt e tjerë, mirëpo gjatë gjithë vitit, gjatë gjithë jetës ne e kemi obligim që ta përkujtojmë Allahun gjithmonë.

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْراً كَثِيراً , وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلاً

“O ju që besoni, përmendeni shumë Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” el-Ahzab, 41-42

 

Prandaj besimtari e përmend Allahun – Tebarake ue Te’ala – gjithmonë, i bindet Atij, frikësohet dhe tmerrohet prej Tij dhe e ruan Atë në çdo orë të jetës së tij.

 

Lus Allahun të na japë sukses neve dhe juve në namaz dhe agjërim, në kryerjen e obligimeve që kemi në këtë Muaj Fisnik dhe në shfrytëzimin e mirësive të tij.

Gjithashtu, e lusim Allahun të na japë sukses gjithmonë në përmbushjen e bindjes ndaj Tij dhe në kryerjen e veprave me të cilat Ai kënaqet. Me të vërtetë Zoti ynë është Dëgjuesi i duasë.

 

 

Përktheu: Alban Malaj