Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

(Nata e Kadrit)

 

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet më të plota, më të përsosura qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!

Në këtë takim do të flasim rreth një nate madhështore, e ajo është Nata e Kadrit.

Është quajtur Nata e Kadrit, prej fjalës “kadr” që do të thotë nderim; kjo për shkak të nderimit dhe vlerës madhështore që ka. Ajo është nata më e mirë e gjithë vitit, pa përjashtim!

Gjithashtu është quajtur Nata e Kadrit, prej “kadr” që do të thotë ngushtësi, sepse koha e saj është e ngushtë dhe e kufizuar. Me gjithë mirësitë dhe bereqetet që ka në të, ajo është një natë e vetme, prej Akshamit deri në daljen e agimit. Gjithashtu, toka me gjithë banorët e saj ngushtohen në atë natë, për shkak të numrit të madh të Melaikeve që zbresin prej qiellit në atë natë, të cilat mbartin fjalë të mira dhe vepra të mira për te banorët e tokës.

Pa dyshim se ajo është një natë madhështore, në të cilën është zbritur një Sure madhështore:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١ وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢ لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣

"Me të vërtetë që Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj!" [Suretul Kadr, 1-3]

O ti besimtar, kjo natë për ty është më e mirë se njëmijë muaj në të cilat nuk ka Natë Kadri. Prandaj, shpërblimi i saj, mirësia e saj dhe bereqeti i saj, nëse ti falesh në të, është më i mirë për ty se shpërblimi i njëmijë muajve.

I Pastër prej të metave është Allahu! Si mund ta humbas njeriu këtë mirësi dhe këtë vlerë madhështore?!

Allahu e ka bërë që namazi në Natën e Kadrit të jetë i barabartë me namazin e të gjithë Ramazanit! Është vërtetuar se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë: "Kush falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t'i falen të gjitha gjynahet e mëparshme!"

Më parë kemi përmendur se ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: "Kush falet në Ramazan duke besuar dhe duke shpresuar shpërblim prej Allahut, do t'i falen atij të gjitha gjynahet e mëparshme."

Ndërsa në këtë natë, kush falet duke besuar dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t'i falen të gjitha gjynahet e mëparshme! Kjo gjë, lavdi Allahut, është shumë e lehtë, kurse shpërblimi është shumë i madh dhe përfitimi është shumë i madh në këtë natë.

Kështu që, ne e kemi për detyrë që ta kërkojmë atë, ashtu siç Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e kërkonte atë natë, dhe na udhëzonte neve që ta kërkojmë atë natë. Shpresojmë që të jemi nga mesi i fitimtarëve të asaj nate!

Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org