Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli

 

 

O vëlla! Shko më lart se kjo. Ata (të ISIS-it) argumentohen me Kuran me kuptimin e tyre të gabuar. Ata e përdorin si argument (duke e keqinterpretuar) Fjalën e Allahut, e jo më fjalën Shejkhul-Islam (Ibën Tejmijes) apo fjalën e Shejkhul-Islam Muhamed ibën Abdul-Uehhab. Ata argumentohen për të pavërtetën e tyre me argumente nga Kurani me kuptimin e tyre të gabuar. Kështu është e njëjta gjë në lidhje me përzgjedhjen që u bëjnë disa fjalëve të dijetarëve, për të cilat mendojnë se e mbështesin atë në të cilën bazohen. Ata vijnë dhe shkëpusin një fjalë dhe nuk i shikojnë fjalët tjera të imamit apo dijetarit.

Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – i sjell argumentet e kundërshtarëve, pastaj i refuzon ato. Ata çfarë bëjnë? Sjellin fjalët që kanë të bëjnë me argumentet e kundërshtarëve dhe thonë: “Ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh.” Po ashtu thonë: “Referoju burimit! E ke te burimi!” Por Shejkhul-Islam i refuzon (fjalët e kundërshtarëve) pas dy faqeve apo diçka të përafërt.

Ata (ISIS) vijnë me fjalët e Shejkhul-Islam Muhamed ibën Abdul-Uehhab-it që ka folur për një çështje të caktuar, pastaj e marrin atë dhe e përgjithësojnë duke i lënë bazat e përgjithshme që i ka përmendur Shejkhul-Islam Muhamed ibën Abdul-Uehhab-i. Kështu veprojnë edhe me fjalët e dijetarëve tjerë.

Më kujtohet kur Shejkh Albanit i erdhi një pyetës, e i tha: “O Shejkh Nasir! Njerëzit e bidateve argumentohen me fjalët e tua.” Ai tha: “Ç’t’u bëj atyre! Ata argumentohen edhe me Fjalët e Allahut, ndërkohë që ato janë Fjalët më të qarta.” Ai tha: “Ç’t’u bëj! Pasha Allahun! Nëse ti i përzgjedh fjalët, ata do t’i përdorin këto fjalë si argumente për atë që nuk është për qëllim në atë fjalë.” Por dijetari e ka detyrë që të bëjë sqarim.

Pra, t’ua atribuosh devijimet dijetarëve të Selefëve – nuk po specifikoj ndonjë prej tyre – duke u nisur nga Sahabët e deri në ditët tona, është mit dhe shpifje. Madje, bazat e Sunnetit ua mbyllin dyert këtyre ideologjive në të gjitha aspektet. Ndërsa ata që ia atribuojnë Ehli Sunnetit këto gjëra janë dy grupe:

 

1.        Njëri grup është nga Hauarixhët të cilët nuk i kuptojnë fjalët siç duhet. Prandaj, siç ju thashë, ata argumentohen edhe me Kuran për të pavërtetën e tyre duke u bazuar në kuptimin e tyre të papjekur.

2.        Grupi tjetër, që në parim, e urrejnë Selefizmin (es-selefijjeh). Ky grup është nga njerëzit e bidateve dhe këta janë ata që arrijnë deri te këto devijime. Por ata tani në këtë kohë, ia mveshin ato devijime Ehli Sunnetit – Selefijve, me qëllim që t’i realizojnë synimet e tyre kundër Selefijve.

 

Megjithatë, e vërteta është e qartë. Unë i kam këshilluar vëllezërit Selefij që të kenë durim dhe të jenë të qartë. Duhet patjetër të bëjmë durim dhe të jemi të qartë në menhexhin (metodologjinë) tonë dhe në mirësinë që kemi, dhe t’ua sqarojmë njerëzve këtë mirësi në mënyrë që t’ua presim rrugën atyre gënjeshtarëve.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari