Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

 


Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij ka thënë:

“Dhe Selefus-Salih - Allahu qoftë i kënaqur me ta - i kuptuan plotësisht këto njoftime dhe paralajmërime Rabbani dhe Nubuwi (d.m.th. thëniet e Allahut në Kur'an dhe Suneti). Ata e kuptuan rrezikun që i kanosin bidatet dhe bidatçijtë Islamit dhe Umetit të Muslimanëve. Kështu, ata u bënë ballë atyre (bidateve) dhe njerëzve të tyre duke mbajtur qëndrim të palëkundur dhe duke paralajmëruar kundër atyre. Ata vendosën barriera dhe bllokada parandaluese në mënyrë që ta paralajmëronin Umetin kundër këtyre ujqërve që ishin në pritje dhe rrinin të fshehur në pusi, si dhe e deklaruan haptazi urrejtjen e tyre, urdhëruan për t’i braktisur ata dhe për shkëputjen e marrëdhënieve me ta. Në këtë mënyrë, pjesa më e madhe e Umetit ishte tek e vërteta dhe Suneti. Ata ishin në mirësi dhe të sigurt për akijden, fenë dhe menhexhin e tyre.

Pastaj, kur u shfaq butësia dhe u bënë lëshime ndaj Njerëzve të Bidatit dhe kur dolën Mumeji’unët [1], Njerëzit e Bidatit dhe ligësisë u lëshuan përmbi Umetin Islam ashtu siç lëshohen dallgët (e oqeanit) në drejtim të brigjeve. Dhe asgjë nuk u shpëtoi atyre, derisa ata e mbuluan krejt botën Islame, si njerëzit në përgjithësi ashtu dhe prijësat, me përjashtim të një pakice prej tyre.

Derisa Allahu solli Shejkhul-Islam Ibn Tejmijen - Allahu e mëshiroftë - dhe ai i sulmoi Njerëzit e Bidatit dhe i ndoqi ata me anë të argumenteve dhe dëshmive nga Kur'ani, Suneti dhe Menhexhi i Selefëve, nëpërmjet të cilave ai e zgjoi Umetin nga gjumi i tij i thellë. Dhe Allahu shpëtoi nëpërmjet tij çdokënd që dëshiroi Ai.

Pastaj u rishfaq butësia dhe u bënë lëshime dhe u kthyen sërish dallgët buçitëse me sherre, bidate, devijime dhe shirk. Pastaj Allahu solli Imamin, Muxhedidin, Muhamed bin ‘Abdul-Uehabin, për t’i shporrur ata nga Umeti. Kështu, ai u lëshua kundër Njerëzve të Bidateve dhe devijimit dhe i sulmoi ata me argumente e dëshmi, me shpatë e shtizë, derisa ia riktheu fuqinë Islamit, ia riktheu ndriçimin Teuhidit dhe shkëlqimin e pastërtinë Sunetit.

Pastaj, Njerëzit e Bidatit dhe Epsheve i mblodhën forcat e tyre dhe i zhveshën shpatat e tyre në errësirë dhe nuk dolën prej aty sikurse të parët e tyre, por dolën nën petkun e modestisë, butësisë dhe me gunën e Selefizmit. Atëherë, ata filluan ta përhapin helmin e tyre si nëpërkat laramane, pak e nga pak, por në mënyrë të sigurtë, avash-avash, duke përdorur kurthe, intriga dhe mashtrime, të gjitha nën petkun e xhelozisë për Islamin dhe nën petkun e obligueshmërisë së bashkëpunimit ndërmjet Muslimanëve kundër armiqve të tyre, Krishterëve, Çifutëve, Moderrnistëve dhe Sekularistëve. Ata e përhapnin helmin e tyre me anë të ligjëratave, librave dhe nëpërmjet parrullave dhe metodologjive brilante e të shkëlqyera, të cilat mbërthyen shumë nga zemrat e të rinjve, rinisë, e madje edhe atyre më të moshuarve.”

Fundnota:
[1] Domethënë ata që shfaqin Temji’. Pra, janë ata të cilët tregohen të butë dhe bëjnë lëshime ndaj Bidatçijve dhe nuk ndjekin menhexhin e Selefëve në lidhje me Bidatçijtë, nuk i ndjekin Imamët e Selefëve të cilët i refuzojnë këta Bidatçij, por ndjekin një rrugë të butë në kundërshtim me rrugën që ndoqën ata.

 

Përktheu: Alban Malaj