Autor: Shejkh Abdul-‘Azijz bin Baz

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/noor/1925

 

 

Pyetje: A janë fotot dhe fotografimi haram?

 

Përgjigje: Po, fotografimi i krijesave që kanë shpirt, sikurse janë bijtë e Ademit apo kafshët dhe shpendët, është haram. Për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

أشد الناس عذاباً يوم القيامة المصورون

“Njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë në Ditën e Kijametit janë fotografuesit.” Mutefekun alejhi

 

Dhe për shkak të fjalës së tij – 'alejhi salatu ue selam –:

إن أصحاب هذه الصور يعذبون يوم القيامة ويقال لهم:أحيوا ما خلقتم، أحيوا ما خلقتم

“Me të vërtetë, ata që i bëjnë këto imazhe (fotografi, piktura, skulptura, etj), do të dënohen në Ditën e Kijametit, dhe do t’u thuhet atyre: Jepuni shpirt atyre që keni krijuar, jepuni shpirt atyre që keni krijuar!” Sahih el-Bukhari

 

Dhe për shkak të asaj që është konfirmuar nga Pejgamberi – alejhi salatu ue selam – nga hadithi i Ebu Xhuhaifes – radijAllahu anhu –, i cili ka thënë:

لعن رسول الله - صلى الله عليه وسلم - آكل الربا وموكله والواشمة والمستوشمة ولعن المصور

“Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e mallkoi ngrënësin e kamatës dhe dhënësin e saj, atë që bën tatuazh dhe atë që kërkon t’i bëhet tatuazh, si dhe i mallkoi fotografuesit.”  Trasmeton Bukhari në Sahihun e tij

 

Pra, kjo tregon se fotografimi është prej gjynaheve të mëdha, sikurse është kamata nga gjynahet e mëdha, po ashtu edhe tatuazhi është prej gjynaheve të mëdha. Tatuazhi është ajo që bëjnë disa njerëz duke shpuar dorën apo faqen (dhe pjesë tjera të trupit, sh.p) me gjilpërë apo të ngjashme me të dhe kur del gjaku e ngjyrosin me bojë të zezë, apo me të ngjashme si ajo, pastaj mbetet shenja e tatuazhit. Këtë vepër e bëjnë disa njerëz, porse kjo është gabim, vepër e keqe dhe është prej gjynaheve të mëdha.

Pra, thelbi është se fotografuesit janë të mallkuar nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në këtë hadith të saktë. Ata janë njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë Ditën e Ringjalljes, sikurse e ka thënë këtë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Dhe hadithet për këtë temë janë të shumtë.

 

Kështu që, Muslimani e ka detyrë që të ruhet nga fotografimi, pa marrë parasysh se a fotografon gruan e tij, apo djalin e tij, apo të tjerët. Apo fotografon kafshët sikurse deveja, lopa, apo shpendët sikurse pëllumbat, shqiponjat, pulat, apo gjëra të ngjashme. E gjithë ko është e ndaluar dhe është haram. Pastaj, nëse fotografohet ajo që ka hije dhe trup, atëherë kjo është haram sipas ixhmasë së Muslimanëve, për shkak të këtyre haditheve të sakta.

 

Ndërsa fotoja e cila nuk ka hije, siç është fotografimi i kokës, kjo gjithashtu është haram tek shumica e dijetarëve për shkak të haditheve të cilat argumentojnë se kjo është haram. Kështu që, nuk i lejohet Muslimanit që merret me diçka të tillë. Ata që e kanë lejuar bërjen e fotove, nuk kanë argument, madje është mendim i pabazë në të gjitha aspektet.

 

Pra, bërja e figurave e gjitha është haram, qoftë në letër, në pllaka, në rroba, në mure, qoftë ajo figurë prej hekuri, apo prej druri, etj. Pra, nëse gjenden figura është obligim prishja e tyre duke ua hequr kokën apo duke e prishur të tërën, për shkak të fjalës së tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – që i tha Aliut – radijAllahu anhu – në hadithin e saktë:

لا تدع صورة إلا طمستها

“Mos lër asnjë figurë pa e prishur.” Sahih Muslim

 

Dhe për shkak se ai – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – kur hyri në Kabe në vitin e çlirimit të Mekes, i prishi të gjitha figurat të cilat ishin në Kabe dhe i theu të gjithë idhujt. Pastaj mori ujë dhe një rrobë dhe i fshiu të gjitha pikturat që ishin në muret e Kabes.

 

Por, kur njeriu është i detyruar që të bëjë foto për pasaportë apo për dokumente tjera, për të cilën ai nuk ka zgjidhje, duke qenë se ai është i nevojshëm për këtë, siç është pasaporta, diploma, patenta, dhe të ngjashme me këto, gjëra të cilat i kërkohen dhe kjo nuk është në dorën e tij, atëherë nuk ka problem nëse e bën këtë për shkak të domosdoshmërisë, kurse ai nuk e do atë (fotografimin) dhe nuk është i kënaqur me të, porse e bën për shkak të nevojës dhe domosdoshmërisë për këtë gjë.

Dhe Allahu është Dhënësi i suksesit.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Muhamed Kallashi