Autor: Shejkh AbduRrahman es-Sadi

Burimi: Tejsirul-Keriimi Er-Rrahmani fi Tefsiril-Kelamil-Menani, fq 133

 

 

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّـهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّـهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّـهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ ﴿٣١﴾

“Thuaj (o Muhamed): nëse vërtetë e doni Allahun më pasoni mua që Allahu t’ju dojë dhe t’ua falë juve gjunahet tuaja. Dhe Allahu është gjithmonë Falës i Madh,  Mëshirëplotë.” Ali-Imran 31

 

Në këtë ajet tregohet obligueshmëria e dashurisë së Allahut, shenjat e saj, rezultati dhe frytet e saj.

Pra, Allahu ka thënë: “nëse vërtetë e doni Allahun”domethënë pretenduat këtë gradë të lartë. Dhe grada mbi të cilën s’ka gradë tjetër nuk mjafton në të vetëm thjesht pretendimi. Përkundrazi, duhet të jesh i sinqertë dhe i vërtetë në të. Shenja e sinqeritetit është pasimi i të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në të gjitha gjendjet e tij, në fjalët dhe në veprat e tij, në bazat dhe në degët e fesë, haptazi dhe fshehurazi. Kështu që, kush e ndjek të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tregon për vërtetësinë e pretendimit të tij për dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar. Nëse ai e pason Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, atëherë Allahu e do atë dhe ia fal atij gjynahet, e mëshiron dhe e drejton atë në të gjitha lëvizjet dhe ndenjjet e tij.

Ndërsa, kush nuk e pason të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ai nuk e do Allahun e Lartësuar, sepse dashuria e tij për Allahun ia bën obligim atij pasimin e të Dërguarit të Tij. Përderisa nuk gjendet ai (pasimi i Pejgamberit) atëherë kjo tregon për mos ekzistencën e dashurisë ndaj Allahut, dhe se ai është gënjeshtar nëse e pretendon dashurinë ndaj Tij. Megjithatë, nëse supozojmë se dashuria ekziston, atëherë është e padobishme pa kushtin e saj (pasimin e Sunetit).

Me këtë ajet peshohen të gjitha krijesat. Kështu që, në varësi të gradës së pasimit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – do të jetë dhe besimi dhe dashuria e tyre për Allahun e Lartësuar. Nëse pakësohet diçka prej pasimit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – pakësohet besimi dhe dashuria për Allahun e Madhëruar.

 

Përktheu: Altin Dallashi