Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij (1307-1376 h.)

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, botimi “Daru Selam”, fq. 276.

 

 

Thotë Allahu i Lartësuar në Kur' an:

 

﴿وَإِذْ قَالَ اللَّهُ يَا عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ أَأَنْتَ قُلْتَ لِلنَّاسِ اتَّخِذُونِي وَأُمِّيَ إِلَٰهَيْنِ مِنْ دُونِ اللَّهِ ۖ قَالَ سُبْحَانَكَ مَا يَكُونُ لِي أَنْ أَقُولَ مَا لَيْسَ لِي بِحَقٍّ ۚ إِنْ كُنْتُ قُلْتُهُ فَقَدْ عَلِمْتَهُ ۚ تَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِي وَلَا أَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِكَ ۚ إِنَّكَ أَنْتَ عَلَّامُ الْغُيُوبِ

"Dhe kur Allahu t'i thotë: O Isa, i biri i Merjemes, a ti u the njerëzve: Më merrni mua dhe nënën time si dy të adhuruar përveç Allahut?! Ai (Isa do të thotë): Ti je i pastër nga kjo! Nuk kam të drejtë të them atë që nuk më takon! Nëse unë do ta thoja një gjë të tillë, Ti pa dyshim që do ta dije! Ti di gjithçka që fsheh brenda meje, ndërsa unë nuk e di atë që Ti e ke fshehur prej meje. Ti je Ai që i di të fshehtat." [El-Maideh, 116]

 

Komentimi i Shejkh Sadit:

Fjala e të Lartësuarit:

﴿وَإِذْ قَالَ اللَّهُ يَا عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ أَأَنْتَ قُلْتَ لِلنَّاسِ اتَّخِذُونِي وَأُمِّيَ إِلَهَيْنِ مِنْ دُونِ اللَّهِ

“Dhe kur Allahu t'i thotë: O Isa, i biri i Merjemes, a ti u the njerëzve: Më merrni mua dhe nënën time si dy të adhuruar  përveç Allahut?!”

Ky është qortim për të Krishterët, të cilët thonë: “Allahu është trini!” Kështu që Allahu do t'i thotë Isait këtë fjalë, e Isai - alejhis-selam – do të distancohet nga kjo gjë duke thënë:

﴿سُبْحَانَكَ

" Ti je i Pastër nga kjo gjë (o Allah)"

Që do të thotë: I Pastër nga kjo fjalë e shëmtuar, dhe nga çdo gjë që nuk të takon Ty!

Fjala e Tij:

﴿مَا يَكُونُ لِي أَنْ أَقُولَ مَا لَيْسَ لِي بِحَقٍّ

"...nuk kam të drejtë të them atë që nuk më takon!" 

D.m.th. nuk duhet dhe nuk më takon mua që të them diçka që nuk është prej tipareve dhe të drejtave të mia, sepse nuk lejohet prej krijesave, as Melaiket më të afërt, as Pejgamberët e dërguar, dhe as të tjerë përveç tyre, nuk e kanë të drejtë dhe nuk e meritojnë pozitën e Ilahijes (të jenë të adhuruar), porse të gjithë janë robër, të urdhëruar, krijesa të nënshtruara, dhe fukarenj dhe nevojtarë.

Fjala e Tij:

﴿إِنْ كُنْتُ قُلْتُهُ فَقَدْ عَلِمْتَهُ تَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِي وَلَا أَعْلَمُ مَا فِي نَفْسِكَ

“...nëse unë do ta thoja një gjë të tillë, Ti pa dyshim që do ta dije! Ti di gjithçka që fsheh brenda meje, ndërsa unë nuk e di atë që Ti e ke fshehur prej meje...”

Pra, Ti je më i Ditur për atë çfarë unë kam vepruar.

Dhe Fjala e Tij:

﴿إِنَّكَ أَنْتَ عَلَّامُ الْغُيُوبِ

"...Ti je Ai që i di të fshehtat." 

Kjo pjesë tregon për edukatën e lartë të Isait - alejhis-salatu ues-selam - në komunikimin me Zotin e tij. Pra, ai - alejhis-selam - nuk i drejtohet duke thënë: "Unë nuk e kam thënë një gjë të tillë!" Por ai tregon duke u shprehur me fjalë që mohojnë për veten e tij se mund të ketë thënë fjalë që e cenojnë pozitën e tij fisnike dhe se kjo është një gjë e pamundur. Ai e pastroi dhe e madhëroi më së miri Zotin e tij nga kjo shpifje dhe ia atribuoi dijen Atij që është i Gjithëdijshëm për të fshehtën dhe të dukshmen.

 

Përktheu: Servet Mata