Autor: Shejkh AbduRrahman es-Sadi

Burimi: Tejsirul-Keriimi Er-Rrahmani fi Tefsiril-Kelamil-Menani, fq 712

 

 

أَمَّن يُجِيبُ الْمُضْطَرَّ إِذَا دَعَاهُ وَيَكْشِفُ السُّوءَ وَيَجْعَلُكُمْ خُلَفَاءَ الْأَرْضِ أَإِلَـٰهٌ مَّعَ اللَّـهِ قَلِيلًا مَّا تَذَكَّرُونَ ﴿٦٢﴾

“A ata që ju i adhuroni përveç Allahut janë më të mirë, apo Ai i Cili i përgjigjet atij që është në vështirësi, kur ai i drejtohet Atij, i Cili e largon të keqen dhe ju bën trashëgues të tokës brez pas brezi?! A ka ndonjë të adhuruar tjetër me Allahun që e bën këtë? Sa pak që mendoni!” en-Neml 62

 

A ata që ju i adhuroni përveç Allahut janë më të mirë, apo Ai i Cili i përgjigjet atij që është në vështirësi kur ai i drejtohet Atij?! – domethënë: a i përgjigjet kush atij që është në vështirësi të cilin e kanë zënë hallet, brengat dhe i është vështirësuar ajo që ai kërkon, dhe është detyruar që ti japë fund asaj në të cilën ai ndodhet, pra a i përgjigjet atij dikush tjetër përveç Allahut të Vetëm?!

I Cili e largon të keqen – domethënë: (kush e largon) sprovën, sherrin dhe mërzinë përveç Allahut të Vetëm?

Dhe ju bën trashëgues të tokës – domethënë: jua mundëson atë, ua shton rrizkun, u sjell juve mirësitë e Tij dhe bëheni trashëgues të atyre që ishin para jush, ashtu sikurse ua merr jetën dhe sjell një popull tjetër pas jush.

A ka ndonjë të adhuruar me Allahun që e bën këtë? – domethënë: nuk ka asnjë që të bëjë ndonjë gjë prej tyre bashkë me Allahun. Madje edhe vetë ju o idhujtarë e pohoni këtë. Për këtë arsye, kur ata i zinte vështirësia i luteshin Allahut duke e bërë adhurimin (lutjen) të sinqertë vetëm për Të, sepse ata e dinin se Ai është i Vetmi që mundet ta largojë dhe ta heqë vështirësinë.

Sa pak që mendoni – domethënë: pak i përkujtoni dhe i meditoni çështjet të cilat nëse i përkujtoni ato do ta kuptonit dhe do të ktheheshit në udhëzim, porse pakujdesia dhe mos interesimi ju ka përfshirë juve, dhe për këtë arsye nuk u ndalët dhe nuk u udhëzuat.

 

Përktheu: Altin Dallashi