Autor: Shejkh Abdu-Rrahman es-Sadi

Burimi: Tejsirul-Keriimi Er-Rrahmani fi Tefsiril-Kelamil-Menani, fq 931

 

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّـهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ ﴿٣٣﴾

“O ju të cilët keni besuar, binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit të Tij, dhe mos i asgjësoni veprat tuaja” Muhamed 33

 

Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët, me një urdhër me të cilin plotësohen çështjet e tyre dhe arrihet lumturia e tyre fetare dhe e kësaj jete. Dhe ky urdhër është bindja ndaj Tij dhe bindja ndaj të Dërguarit të Tij, në bazat dhe degët e fesë. Bindja është zbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat, në atë mënyrë që jemi urdhëruar, me sinqeritet dhe me pasim të plotë të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Ndërsa Fjala e Tij: “dhe mos i asgjësoni veprat tuaja” përfshin ndalesën nga asgjësimi i tyre pasi që janë bërë ato vepra, me atë gjë që i asgjëson ato.

Siç është: përmendja e tyre dhe vetëpëlqimi, mburrja dhe fama, si dhe bërja e gjynaheve me të cilat dobësohen veprat dhe bie shpërblimi i tyre. Gjithashtu, ndalesa përfshin prishjen e tyre gjatë kohës që i kryen ato duke i ndërprerë veprat (duke i lënë përgjysmë), apo duke bërë ndonjë gjë që i prish ato. Kështu që, ato gjëra që e prishin namazin, agjërimin, Haxhin dhe të ngjashme me to, që të gjitha ato futen këtu dhe janë të ndaluara.

Ndërsa dijetarët, argumentohen me këtë ajet për ndalimin e ndërprerjes së farzit dhe për mos pëlqimin e ndërprerjes së nafileve, duke mos pasur arsye për të. Duke qenë se Allahu ka ndaluar nga asgjësimi i veprave, atëherë ai është urdhër për rregullimin, përmirësimin, plotësimin, përsosmërinë dhe veprimin e tyre, në atë formë me të cilën është e saktë me dije dhe vepra.  

 

Përktheu: Altin Dallashi