Autor: Shejkh Abdullah en-Nexhmi

 

Burimi: http://radio.selefi.org

 

Mësimi i trembëdhjetë

 

Vërtet, të gjitha lavdet i takojnë Allahut, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. E lusim Allahun të na ruajë nga ligësitë e veteve tona dhe nga të këqijat e veprave tona. Atë që udhëzon Allahu s’ka kush ta devijojë dhe atë që devijon Allahu s’ka kush ta udhëzojë. Dhe unë dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut të vetëm e të paortakë, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

 

E më pas:

O ju vëllezër të nderuar, vazhdojmë mësimin tonë në shpjegimin e “Tri Parimeve”, të imamit dhe muxhedidit, Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah. U ndalëm tek çështja e dytë, që është fjala e imamit - rahimehullah -:

“…që Allahu nuk është i kënaqur që t’i shoqërohet dikush në adhurimin e Tij, as ndonjë melek që është i afërt tek Ai, e as ndonjë pejgamber i dërguar. Argumenti është Fjala e të Lartësuarit:

وَأَنَّ الْمَسَاجِدَ لِلَّهِ فَلا تَدْعُوا مَعَ اللَّهِ أَحَدًا

“E me të vërtetë xhamitë janë të Allahut, prandaj mos iu lutni askujt tjetër krahas Allahut.” [el-Xhinn, 18]

 

Kjo çështje është e lidhur me çështjen e parë, sepse çështja e parë është sqarim i obligueshmërisë për adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe pasimin e të Dërguarit të Tij - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem. Dhe ky është kuptimi i dy dëshmive: dëshmia që s’ka të adhuruar tjetër me hak pos Allahut [La ilahe il-lAllah], dhe dëshmia se Muhamedi është i Dërguari i Allahut [Muhammedun Rasul-lUllah].

 

Çështja e dytë është: se adhurimi nëse përzihet me shirk, nuk pranohet, ngaqë adhurimi duhet medoemos që të jetë i sinqertë vetëm për Fytyrën e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le. Andaj, kush e adhuron Allahun dhe bashkë me Të adhuron të tjerë, adhurimi i tij është i pavlerë, ai si të jetë si të mos jetë është njësoj, sepse adhurimi nuk bën dobi nëse nuk bëhet me sinqeritet dhe Teuhid. Pra, nëse adhurimi përzihet me shirk, ai prishet, sikurse ka thënë Allahu i Përsosur nga çdo e metë:

وَلَقَدۡ أُوحِيَ إِلَيۡكَ وَإِلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكَ لَئِنۡ أَشۡرَكۡتَ لَيَحۡبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ ٱلۡخَٰسِرِينَ

Tashmë të është shpallur ty dhe atyre që ishin përpara teje se nëse bën shirk, sigurisht që vepra jote do të asgjësohet dhe ti padyshim do të jesh prej të humburve.” [ez-Zumer, 65]

 

Ka thënë Allahu i Përsosur nga çdo e metë:

وَلَوۡ أَشۡرَكُواْ لَحَبِطَ عَنۡهُم مَّا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ

“Nëse bëjnë shirk, atyre do t’u asgjësohen veprat që kanë bërë.” [el-En’am, 88]

 

O vëllezër, me të vërtetë adhurimi nuk quhet adhurim, përveç nëse ai shoqërohet me Teuhid, ashtu sikurse namazi nuk quhet namaz, përveç nëse ai shoqërohet me taharah (pastrimi me abdes ose gusl). Dhe shirku nëse përzihet me adhurimin e prish atë, ashtu sikurse pastrimi nëse përzihet me ndonjë nga prishësit e abdesit, prishet dhe bëhet i pavlerë. Prandaj, Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa – në shumë ajete e sjell urdhërin për adhurimin e Tij bashkë me ndalimin nga shirku, sikurse është Fjala e të Përsosurit nga çdo e metë:

وَٱعۡبُدُواْ ٱللَّهَ وَلَا تُشۡرِكُواْ بِهِۦ شَيۡ‍ٔٗاۖ

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim.” [en-Nisaa, 36]

 

Si dhe Fjala e të Përsosurit nga çdo e metë:

وَمَآ أُمِرُوٓاْ إِلَّا لِيَعۡبُدُواْ ٱللَّهَ مُخۡلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ حُنَفَآءَ

“Dhe ata nuk u urdhëruan përveç se që ta adhuronin Allahun me sinqeritet duke ia dedikuar Fenë vetëm Atij, duke qenë Hunefaa` (ndjekës të Islamit, larg çdo feje tjetër).” [el-Bejjineh, 5]

 

Pra, Allahu nuk është i kënaqur që Atij t’i shoqërohet ndonjë tjetër në adhurim e Tij. Prandaj, është detyrë që adhurimi të jetë vetëm për Allahun – ‘Azze ue Xhel-le –, sepse ai është e drejtë e pastër vetëm e Allahut, sikurse ka ardhur në transmetimin e saktë, tek dy Sahihët, se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha Mu’adh Ibën Xhebelit:

يا مُعاذ، أَتَدْرِي ما هَوَ حَقُّ اللهِ على العِبَادِ وَ مَا حَقُّ العِبَادِ عَلى اللهِ؟

“O Mu’adh, a e di ti cila është e drejta e Allahut tek robërit e Tij? Dhe cila është e drejta e robërve tek Allahu?”

Ai tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - tha:

حق الله على العبادِ أن يَعْبُدُوهُ و لا يُشْرِكُوا بِهِ شَيْئاً، و حق العباد على الله ألا يُعَذِّبَ من لا يُشْرِك به شيئاً

“E drejta e Allahut tek robërit e Tij është që ata ta adhurojnë të vetëm dhe të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim, kurse e drejta e robërve tek Allahu është që Ai të mos e dënojë atë që nuk i shoqëron asgjë Atij.” [Transmetuar nga Bukhari (nr.2856) dhe Muslimi (nr.30)].

 

Prandaj thotë Imam Ibnul-Kajjim – rahimehullah -:

للهِ حقٌّ لا يَكُونُ لِغَيْرِهِ وَ لِغَيْرِهِ حقٌّ هُمَا حَقَّانِ

لا تَجْعَلُ الحَقَّيْنِ حقّاً وَاحِدًا بِغَيْرِ تَمْيِيْزٍ وَلا فُرْقَانٍ

 

Allahu ka një të drejtë që akujt s’i takon,

Dhe çdo njeri një të drejtë tjetër gëzon,

Pra janë dy të drejta, andaj një të vetme mos i lër,

pa bërë dallim mes atyre të dyjave e pa i ndar.

 

Pra, adhurimi është e drejta e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –, e nuk lejohet që t’ia japësh dikujt tjetër pos Allahut, as ndonjë meleku të afërt te Allahu, as ndonjë profeti të dërguar dhe as ndonjë njeriu të devotshëm, lëre më pastaj për krijesat e tjera. Adhurimi është vetëm i Allahut të Përsosur nga çdo e metë. Prandaj Allahu e përshkroi Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, Muhamedin, të birin e ‘Abdullahut, – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, se ai është një rob i nënshtruar plotësisht Allahut, në vendet më të larta, siç ka thënë në rastin e Israsë dhe Miraxhit:

سُبۡحَٰنَ ٱلَّذِيٓ أَسۡرَىٰ بِعَبۡدِهِۦ لَيۡلٗا مِّنَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِ إِلَى ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡأَقۡصَا

“I Lartësuar dhe i pastër nga çdo e metë është Ai i Cili e mori robin e Tij natën nga Xhamia e Haramit (Mekkeh) për në Xhaminë Aksa.” [el-Israa`, 1]

 

Kurse në rastin e zbritjes së Kur`anit, ka thënë Allahu i Përsosur nga çdo e metë:

ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ ٱلَّذِيٓ أَنزَلَ عَلَىٰ عَبۡدِهِ ٱلۡكِتَٰبَ وَلَمۡ يَجۡعَل لَّهُۥ عِوَجَاۜ

“Të gjitha lavdet janë për Allahun, i Cili i zbriti robit të Tij Librin dhe nuk ka lënë në të asnjë mangësi.” [el-Kehf, 1]

 

Ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

تَبَارَكَ ٱلَّذِي نَزَّلَ ٱلۡفُرۡقَانَ عَلَىٰ عَبۡدِهِۦ لِيَكُونَ لِلۡعَٰلَمِينَ نَذِيرًا

“I Lartësuar është Ai që i zbriti Furkanin (Kur`anin) robit të Tij, që të jetë paralajmërues për të gjithë njerëzimin.” [el-Furkan, 1]

 

Kurse në pozitën e davetit, ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

وَأَنَّهُۥ لَمَّا قَامَ عَبۡدُ ٱللَّهِ يَدۡعُوهُ كَادُواْ يَكُونُونَ عَلَيۡهِ لِبَدٗا

Dhe kur robi i Allahut u ngrit që t’i lutej Atij, ata (xhinët) u grumbulluan tek ai gati sa të hipnin sipër njëri-tjetrit.” [el-Xhinn, 19]

 

Dhe ka thënë Pejgamberi – ‘alejhis-salatu ues-selam -:

لا تُطْرُونِي كما أَطَرَتِ النَّصَارَى ابنَ مَرْيَمَ، فَإنَّمَا أَنَا عَبْدُهُ، فَقُولُوا: عَبْدُ اللهِ وَ رَسُولُهُ.

“Mos e ekzagjeroni me lavdërimin tim, ashtu siç e ekzagjeruan të Krishterët me lavdërimin e të birit të Merjemes, sepse unë në të vërtetë jam veç rob i Tij, prandaj thoni: robi i Allahut dhe i dërguari i Tij.” [Transmetuar nga Bukhari (nr.3445)]

 

Pra, nuk lejohet t’i kushtosh adhurimin dikujt tjetër pos Allahut, por është detyrë që ai të jetë vetëm për Allahun e Përsosur nga çdo e metë.

قُلْ تَعَالَوْا أَتْلُ مَا حَرَّمَ رَبُّكُمْ عَلَيْكُمْ أَلا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا

“Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ua ka ndaluar Zoti juaj: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)…” [El-En’aam, 151]

 

Fjala “asgjë” është në trajtën e pashquar, prandaj ajo përfshin çdo lloj shirku, qoftë i madh apo i vogël, qoftë kur bëhet me adhurimin e ndonjë profeti, apo ndonjë meleku apo ndonjë njeriu të devotshëm. Pra, është obligim që ta bëjmë adhurimin të pastër vetëm për Allahun. Për këtë arsye tha Allahu i Lartësuar:

وَأَنَّ ٱلۡمَسَٰجِدَ لِلَّهِ فَلَا تَدۡعُواْ مَعَ ٱللَّهِ أَحَدٗا

“Xhamitë janë të Allahut, prandaj mos iu lutni askujt tjetër krahas Allahut.” [el-Xhinn, 18]

 

- [مَسَاجِد] “mesaxhid” (xhamitë): Me “mesaxhid” ose janë për qëllim xhamitë që njihen, shtëpitë e Allahut, të cilat janë vendet e caktuara për namazin, që janë vendet më të dashura për Allahun. Është obligim që këto xhami të jenë vende për adhurimin e Allahut të vetëm, dhe të mos i dedikohen dikujt tjetër pos Allahut, as të mos ndërtohen në to varre dhe mauzoleume, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ka mallkuar ata që e bëjnë atë gjë. Ose me fjalën “xhamitë” mund të jetë për qëllim pjesët me të cilat bie në sexhde, gjymtyrët me të cilat robi bie në sexhde, balli me hundën, dy duart, dy gjunjtë dhe dy majat e këmbëve. Është obligim që robi të bjerë në sexhde me to për Allahun, e jo që të bjerë në sexhde me to për dikë tjetër pos Tij.

 

- [لا تَدْعُوا] “la ted’uu” (mos iu lutni): “la” është pjesëz që përdoret me folje të mënyrës urdhërore, kurse “ted’uu” është folje e kohës së tashme, në formë të pazgjedhuar, nga pjesëza ndaluese “la”. Pra, o ju njerëz mos iu lutni askujt tjetër krahas Allahut, mos kërkoni ndihmë nga askush tjetër krahas Allahut, si të thuash për shembull: “O Muhamed!” ose “O ‘Abdul-Kadir!” etj..

 

- [أَحَداَ] “ehada” (askujt): kjo është në trajtën e pashquar, në kontekstin e mohimit, prandaj ajo përfshin çdokënd dhe nuk përjashton askënd, as ndonjë melek të afërt tek Allahu, as ndonjë profet të dërguar, as ndonjë idhull, as ndonjë varr e as ndonjë tjetër. Pra, kjo fjalë përfshin gjithçka që lutet në vend të Allahut – ‘Azze ue Xhel-le. Kështu, ky ajet tregon se adhurimi nuk bën dobi pa Teuhid, dhe nëse përzihet me shirkun, ai bëhet i pavlerë dhe do të jetë bela e madhe për vepruesin e saj.

 

Unë lus Allahun e Lartësuar me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të larta, që të më japë mua dhe juve sukses në çdo gjë që Ai do dhe kënaqet me të.

 

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj