Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

 

 

Lavdërimi dhe falenderimi i takon Allahut, Sunduesit dhe të Plotfuqishmit, Ngadhënjyesit dhe të Lartësuarit. Ai i krijoi qiejt dhe tokën si dhe ato që gjenden midis këtyre dyjave, pa ndonjë mundim apo detyrim. Dhe ia zbriti robit të Tij në Librin dhe Dalluesin (el-Furkan):

 

﴿ذَٰلِكَ بِأَنَّ اللَّـهَ هُوَ الْحَقُّ وَأَنَّهُ يُحْيِي الْمَوْتَىٰ وَأَنَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ﴿٦﴾ وَأَنَّ السَّاعَةَ آتِيَةٌ لَّا رَيْبَ فِيهَا وَأَنَّ اللَّـهَ يَبْعَثُ مَن فِي الْقُبُورِ﴾

“Kjo është kështu, pasi që Allahu është i Vërteti dhe se Ai është që i ringjall të vdekurit dhe se Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Dhe Çasti (Kijameti) po vjen, nuk ka dyshim në të dhe Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.” El-Haxh, 6-7

 

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, të Pashok. Fjala e Tij është e vërtetë dhe Atij i takon sundimi Ditën kur do të fryhet në Sur. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij dhe se ai është njeriu më i bindur ndaj Zotit të tij duke e vepruar atë që urdhërohej dhe duke e braktisur atë që i ndalohej. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë atë me përpikmëri deri në Ditën e Ringjalljes dhe tubimit.

E më pas:

 

O ju njerëz! Kini frikë Allahun e Lartësuar dhe meditoni rreth dunjasë dhe ahiretit tuaj, rreth jetës dhe vdekjes suaj, për të tashmen dhe të ardhmen tuaj. Meditoni rreth kësaj bote dhe atyre që kanë kaluar prej të mëparshmëve; të parëve dhe të mëvonshmëve të këtij Ummeti. Tek ata ka mësim të mirë për ata që marrin mësim.

Meditoni rreth atyre që kanë kaluar para jush! Ata punuan në dunja më shumë se sa keni punuar ju. Ata kishin pasuri dhe fëmijë më shumë se ne, ishin më të fuqishëm se ne dhe punuan më shumë, porse ditët e tyre mbaruan dhe ata sikur të mos ekzistonin fare, ngelën vetëm si lajme. Edhe ju do të përshkoni të njëjtën rrugë dhe do të përfundoni ashtu siç përfunduan ata. Ju do të shpërnguleni nga kjo botë për në botën e varreve pasi që ishit në pallate. Aty në varre do të ngelni vetëm pasi që ishit në shoqëri të familjes dhe kënaqësive. Do të vetmoheni me veprat tuaja: nëse keni bërë mirë, do të gjeni mirë, e nëse keni bërë keq, do të gjeni keq, derisa të vijë Dita e Ringjalljes dhe e tubimit (në Ditën e Gjykimit). Atëherë do t’i fryhet Surit (bririt) dhe do të ngrihen njerëzit prej varreve të tyre për te Zoti i botëve.

Do të ngriheni këmbëzbathur pa opinga, lakuriq pa rroba e të pabërë synet.

 

كَمَا بَدَأْنَا أَوَّلَ خَلْقٍ نُّعِيدُهُ

“Ashtu sikurse u krijuam në fillim do t’ju rikthejmë.” El-Enbija 104

 

Kur e tha këtë fjalë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, Aishja tha: “O i dërguar i Allahut! A do të jenë burrat dhe gratë bashkë duke parë njëri-tjetrin?!

I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “O Aishe! Çështja është më e madhe sesa shikimi i njëri-tjetrit.”

 

Të vërtetën tha i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Pasha Allahun! Pa dyshim se çështja është më e madhe sesa shikimi i njëri-tjetrit; çështja është më e madhe sesa burrat të shohin gratë apo gratë të shohin burrat. Kjo çështje është më e rëndë dhe më e vështirë që nëna të pyesë për të birin e saj apo djali për babanë e tij.

 

﴿فَإِذَا نُفِخَ فِي الصُّورِ فَلا أَنْسَابَ بَيْنَهُمْ يَوْمَئِذٍ وَلا يَتَسَاءَلُونَ﴾

“Pastaj, kur t’i fryhet Surit, as nuk do të ketë ndonjë afërsi e marrëdhënie mes tyre atë Ditë, as edhe nuk do të pyesin për njëri-tjetrin.” El-Muminun, 101

 

﴿يَا أَيهَا النَّاسُ اِتَقُوا ربكم إِنَّ زَلْزَلَةَ السَّاعَةِ شَيْءٌ عَظِيمٌ يَوْمَ تَرَوْنَهَا تَذْهَلُ كُلُّ مُرْضِعَةٍ عَمَّا أَرْضَعَتْ وَتَضَعُ كُلُّ ذَاتِ حَمْلٍ حَمْلَهَا وَتَرَى النَّاسَ سُكَارَى وَمَا هُمْ بِسُكَارَى وَلَكِنَّ عَذَابَ اللَّهِ شَدِيدٌ﴾

“O ju njerëz frikësojuni Zotit tuaj! Vërtetë që tronditja e Ditës së Gjykimit është e tmerrshme. Ditën në të cilën do të shihni çdo nënë të harrojë foshnjën e saj të gjirit, dhe çdo shtatzënë do ta dështojë barrën e saj, edhe njerëzit do t’i shihni të hutuar si të dehur megjithëse ata nuk janë të dehur, por ndëshkimi i Allahut është i rëndë.” El-Haxh, 1-2.

 

Atë ditë, do të ketë zemra të frikësuara, sy të përulur. Atë ditë, do të shpërndahen regjistrat, e që janë fletët ku janë shënuar veprat.

Kështu, besimtari do ta marrë librin e vet me të djathtën e tij, ndërsa kafiri do ta marrë librin e tij me të majtën, mbrapa shpine.

 

﴿فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِه﴾

“Ndërsa atij që i jepet libri nga e djathta.” El-Hakkah, 19

 

Do të thotë i gëzuar dhe i lumtur:

 

﴿هَاؤُمُ اقْرَأوا كِتَابِيَهْ﴾

“Merreni dhe lexojeni librin tim.” El-Hakkah, 19

 

﴿وَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِشِمَالِهِ﴾

“Ndërsa atij që i jepet libri i tij nga e majta.” El-Hakkah, 25

 

Do të thotë i brengosur dhe i dëshpëruar:

 

﴿  يَا لَيْتَنِي لَمْ أُوتَ كِتَابِيَهْ﴾

“Ah! sikur mos të më ishte dhënë libri.” el-Hakkah, 25

 

Ai do të kërkojë shkatërrimin e vet. Atje do të vendosen peshoret dhe me to do të peshohen veprat e njerëzve, qofshin ato të mira apo të këqija.

 

﴿فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْراً يَرَهُ*وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرّاً يَرَهُ﴾

“Kushdo që bën një vepër të mirë qoftë sa një grimcë do ta gjejë atë, dhe kushdo që bën një vepër të keqe qoftë sa grimca do ta gjejë atë.” Ez-Zelzeleh, 7-8

 

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَنَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئاً وَإِنْ كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا وَكَفَى بِنَا حَاسِبِينَ﴾

“Dhe Ne do të vendosim peshoret e drejtësisë në Ditën e Kijametit, dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi në asnjë gjë, edhe sikur të jetë sa pesha e një fare mustarde, Ne do ta sjellim atë. Mjafton që Ne jemi llogaritës.” El-Enbija, 47

 

Në atë Ditë të Madhe do përzihen njerëzit me njëri-tjetrin dhe do t’i kaplojë ankthi dhe pikëllimi saqë nuk mund ta përballojnë. Në ato çaste, do t’i thonë njëri-tjetrit: a nuk po shikoni që të gjeni dikë të ndërmjetësojë për ju te Zoti juaj?

Pastaj, njerëzit do shkojnë tek Ademi – babai i njerëzimit, pastaj te Nuhu – i Dërguari i parë që e dërgoi Allahu te banorët e tokës; pastaj tek Ibrahimi, i dashuri i të Gjithëmëshirshmit; pastaj te Musai – Pejgamberi më i mirë i Bijve të Israilit – ‘alejhimus salatu ue sel-lam. Të gjithë këta të Dërguar do të justifikohen.

 

Pastaj do të shkojnë tek Isai – Pejgamberi i fundit para Muhamedit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe Isai do t’u thotë: “Nuk më takon mua kjo, por ju shkoni te Muhamedi. Ai është rob që Allahu ia ka falur të gjitha gjynahet, të mëparshmet dhe të mëvonshmet.”

 

Kështu ata vijnë tek i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe ai do t’u thotë atyre duke u krenuar me mirësinë e Allahut:

 

فَأنَا لَهَا

“Unë jam për këtë.”

Pastaj, ai do t’i kërkojë leje Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – dhe do t’i bjerë në sexhde Atij.

 

Allahu do t’ia mundësojë atij që ta falenderojë dhe ta madhërojë Atë me falenderime dhe lavdërime që nuk ia ka mësuar askujt tjetër para tij. Ai do të vazhdojë kështu (duke e madhëruar Allahun) aq sa të dëshirojë Allahu i Lartësuar, e pastaj Allahu do t’i thotë:

“O Muhamed! Ngrije kokën dhe fol se do të dëgjohesh! Ndërmjetëso se do të të pranohet ndërmjetësimi! Kërko dhe do të të jepet.”

 

Në atë Ditë, Allahu do të zbresë për të gjykuar midis robërve të Tij dhe për t’i marrë në llogari ata. Pastaj, do të veçohet me robin e Tij besimtar duke vënë perde mes robit dhe krijesave dhe i flet atij pa pasur mes Tij dhe robit përkthyes.

 

Allahu e njofton atë për gjynahet që ka bërë derisa robi t’i pranojë ato, pastaj Allahu tregon mirësinë e Tij ndaj robit, dhe thotë Allahu – Azze ue Xhel-le –: “Unë t’i mbulova ty këto gjynahe në dunja dhe Unë po t’i fal ato sot.”

 

Në atë Ditë, do të shkojnë te Haudi (deti) që i është premtuar Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – uji i të cilit është më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti, dhe ka erë më të mirë se misku; gjatësia e tij është sa një muaj, kurse gjerësia e tij është sa një muaj; enët e tij janë si yjet e qiellit në sasi dhe vezullim. Në këtë Haud nuk pi askush tjetër përveç besimtarëve që kanë pasuar Sunetin e tij – sal-l Allahu ‘alejhi ue sel-lem. Kush pi prej tij një gllënjkë, pas pirjes së saj nuk do të etet më kurrë.

 

Njerëzit e parë që do të pinë aty janë fukarenjtë e Muhaxhirëve. E lus Allahun – Xhel-le ue ‘Ala – që të më bëjë mua dhe juve prej atyre që do t’i afrohen atij dhe do të pinë prej tij.

 

Atë Ditë dielli do të jetë afër krijesave aq sa të arrijë distancën e një miljeje. Kështu, njerëzit do të jenë të zhytur në djersë sipas punëve që kanë bërë; ka prej tyre që do të zhyten në djersë deri te kërcinjtë e këmbëve; ka prej tyre që do të zhyten në djersë deri te gjunjët; ka prej tyre që do të zhyten deri në mes; ka prej tyre që do të zhyten në djersë deri te goja.

 

Allahu do ta strehojë atë që do nën Hijen e Arshit të Tij, Ditën kur nuk ka hije tjetër veç Hijes së Tij.

 

Atë Ditë, Allahu i Lartësuar do i thotë Ademit: “O Adem!”

Ademi do t’i përgjigjet: Të nënshtrohem dhe të bindem Ty! E gjithë e mira është në Dy Duart e Tua.”

Allahu do t’i thotë: “Përzgjidhi njerëzit e zjarrit!” – d.m.th prej pasardhësve të tu.

Ademi do të thotë: “O Zoti im! Sa të nxjerr për në zjarr?”

Allahu do thotë: “Nga çdo njëmijë veta (1000), nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (999).”

Nga çdo njëmijë veta nga bijtë e Ademit, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë janë nga banorët e Xhehenemit, dhe një prej njëmijë është nga banorët e Xhenetit.

 

Në ato çaste, fëmija do të thinjet. Në atë Ditë, do të vendoset Sirati mbi Xhehenem, i cili është më i hollë se floku dhe më i mprehtë se tehu i shpatës. Pastaj, do të dërgohet amaneti dhe lidhjet farefisnore (si dy vepra të mira të njerëzve në dunja), dhe këto dyja do të qëndrojnë në dy anët e Siratit, nga e majta dhe nga e djathta. Pastaj njerëzit do të kalojnë mbi të në bazë të punëve që kanë bërë. Ata do nxitojnë sipas veprave që kanë bërë. Do të ketë prej atyre që do të kalojnë sa hap dhe mbyll sytë; do të ketë prej atyre që do të kalojnë si vetëtima; do të ketë prej atyre që do të kalojnë duke ecur; do të ketë prej atyre që do të kalojnë ndërmjet kësaj dhe asaj. Ndërsa Pejgamberi juaj – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – do të qëndrojë mbi Sirat duke thënë:

 

يَا رَبِّ سَلِمْ سَلِمْ

“O Zot, Shpëtoji! Shpëtoji!”

 

Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

فَأَكُونَ أَوَّلَ مَنْ يَجُوزُ

“Unë do të jem i pari që do të kaloj.”

 

Pra, i pari nga të Dërguarit që do e kalojë Siratin me ummetin e tij. Atë ditë, nuk flet askush veç të Dërguarve, dhe fjala e tyre atë Ditë do të jetë:

اللَّهُمَّ سَلِمْ سَلِمْ

“O Allah! Shpëtoji! Shpëtoji.”

 

Në dy skajet e Siratit do të ketë topuzë të varur e të urdhëruar që t’i godasin ata për të cilët janë urdhëruar, do të ketë njerëz që do të gërvishten prej atyre topuzëve porse do të shpëtojnë, dhe do të ketë njerëz që do t’iu thyhet shtylla kurrizore prej tyre dhe do të bien në zjarr.

 

Në atë ditë, njerëzit do të ndahen në dy grupe: një grup për në Xhenet dhe një grup për në Zjarr. Mund të ndodhë që babai të jetë nga banorët e Xhenetit dhe i biri të jetë nga banorët e Zjarrit, dhe mund të ndodhë që i biri të jetë prej banorëve të Xhenetit dhe babai prej banorëve të zjarrit.

Pa diskutim që secili do të përfundojë në vendin e vet.  

 

﴿وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ يَوْمَئِذٍ يَتَفَرَّقُونَ فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ فَهُمْ فِي رَوْضَةٍ يُحْبَرُونَ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا وَكَذَّبُوا بِآيَاتِنَا وَلِقَاءِ الْآخِرَةِ فَأُولَـٰئِكَ فِي الْعَذَابِ مُحْضَرُونَ﴾

“Dhe atë ditë kur të arrijë Çasti (Dita e Kijametit), ata do të ndahen. Ndërsa ata që kanë besuar dhe që kanë punuar vepra të mira, janë në kopsht ku do të nderohen dhe do të shijojnë kënaqësitë e tij. E ata që kanë mohuar (veçimin e Allahut me adhurim) dhe kanë përgënjeshtruar ajetet Tona dhe takimin (ringjalljen) në Ditën e Kijametit, ata do të sillen për t’u dënuar (në Xhehenem).” Er-Rum, 14-16.

 

Kini frikë Allahun! O robër të Allahut! Dhe përgatituni për këtë Ditë ashtu siç duhet, sepse nuk ka dyshim që ju do ta përjetoni atë, dhe padyshim se ajo është Dita që u është premtuar.

 

Por ama edhe pse ajo Ditë është e rëndë, e frikshme dhe e vështirë, për besimtarët e devotshëm do të jetë e lehtë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

 

﴿وَكَانَ يَوْمًا عَلَى الْكَافِرِينَ عَسِيرًا﴾

“Ajo ditë për pabesimtarët, do të jetë e vështirë.” El-Furkan, 25

 

Dhe Allahu – Subhanehu – thotë:

 

﴿عَلَى الْكَافِرِينَ غَيْرُ يَسِيرٍ﴾

“Për pabesimtarët është një ditë jo e lehtë.” El-Muddeth-thir, 10

Kuptimi i këtyre dy ajeteve është se për besimtarët do të jetë e lehtë.

 

O Allah! Ne të lusim Ty që të na bësh neve prej atyre. Andaj, besoni Allahun dhe kini frikë prej Tij. Dijeni se Allahu e di çfarë ka në vetet tuaja, andaj ruhuni.

O Allah, Krijuesi i qiejve dhe tokës, i Gjithëdituri i të fshehtës dhe të dukshmes.

Ne po të lutemi, duke dëshmuar se Ti je Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje.

Ti je i Vetëm dhe i Vetëmjaftueshëm, të Cilit i drejtohen krijesat për nevojat e tyre, që nuk ke lindur asnjë dhe nuk je i lindur dhe askush nuk të përngjan Ty.

Poseduesi i Madhërisë dhe i begatisë, o i Gjalli i Përjetshëm që nuk vdes kurrë, Ti je i panevojshëm për krijesat e Tua.

Na i zbut tmerret e asaj dite, na bëj në atë ditë prej të lumturve dhe na bashko me të devotshmit, o Zoti i botëve!

 

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe mbi të gjithë Shokët e tij.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Muhamed Kallashi