Imam Berbahari (Allahu e meshiroftë)

Pjesë nga libri “Sherhu Sunneh” të Imam Berbaharit, me shpjegim të Shejkh Feuzanit, fq. 56-61.

Ka thënë imam Berbehari (Allahu e mëshiroftë):

[blockquote]“Baza mbi të cilën ndërtohet xhemati: Ata janë shokët e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), Allahu i mëshiroftë te gjithë, ata janë Ehlis-Suneti dhe Xhemati, dhe kush nuk merr prej tyre, me te vërtetë ka devijuar dhe ka shpikur, dhe çdo shpikje është humbje (dalalet), humbja dhe ndjekësit e saj do të jenë në zjarr.”[/blockquote]

Shpjegimi:
Fjala e tij: (Baza mbi të cilën ndërtohet xhemati) :
Kush është ai xhemat çështja e të cilëve qëndron kështu? Ata janë shokët e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata që erdhën pas tyre nga Tabiinët, dhe nga pasuesit e Tabiinëve dhe brezat më të mirë. Ata janë xhemati dhe kush i pason dhe ndjek shembullin e tyre nga të mëvonshmit, këta janë xhemati për të cilët është detyrë për myslimanin që të jetë me ta, edhe sikur ta godas çka ta godas nga mundimet, nga kërcënimet, nga sharjet dhe nga sulmet, duron në atë që e ka goditur dhe përmbahet, përderisa, me të vërtetë ai është në hak, dhe nuk devijon nga haku porse duron në atë që e ka goditur. Në të kundërt, ai do te jetë pikësynim për ata që kanë qëllime dhe për thirrësit e të keqes dhe për thirrësit e devijimit.

Ka thënë Allahu i Madhëruar:

وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالْأَنصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُم بِإِحْسَانٍ رَّضِيَ اللَّـهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْه

“Dhe paraardhësit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe ensarëve (vendasve, ndihmëtarëve) dhe ata që i pasuan ata në mirësi, Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të”
(Teube, 100).
Dhe thotë i Madhëruari kur ka përmendur Muhaxhirët dhe Ensarët në suren el-Hashr ka thënë:

وَالَّذِينَ جَاءُوا مِن بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالْإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَءُوفٌ رَّحِيم
“Dhe ata të cilët erdhën pas tyre thonë: “O Zoti ynë! Na fal neve dhe vëllezërit tanë të cilët na paraprinë neve me besim dhe mos fut në zemrat tona armiqësi (gilen) për ata të cilët besuan. Zoti ynë! Me të vërtet ti je Raufun Rrahijm.”
(el-Hashr,10).

Dhe i mëvonshmi pason te mëparshmin nga njerëzit e hakut dhe njerëzit e khajrit edhe nëse është në mes tij dhe atyre, kohë e gjatë. Kapet pas asaj që ishin ata dhe çfarëdo qe ti kushtojë ajo, ai duron.

Fjala e tij: (Ata janë shokët e Muhamedit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) :
Nga Muhaxhirët dhe Ensarët, për arsye se ata ishin që e shoqëruan të Dërguarin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), luftuan me të dhe e ndihmuan atë, e mbartën fenë dhe e përcollën atë për ne, dhe ata janë ndërmjetësit midis nesh dhe midis të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe ata të cilët i shajnë Sahabët apo i cilësojnë me mangësi, duan që ta shkatërrojnë Islamin, porse ata erdhën me ketë hile, dhe nëse do te flisnin për Sahabët dhe ta rrëzonin vlerën (pozitën) e tyre, atëherë çfarë mbetet nga lidhja mes nesh dhe të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)?

Qëllimi i tyre është shkëputja e lidhjes me paraardhësit e parë nga Muhaxhirët dhe Ensarët, ashtu që të devijojë Umeti, përndryshe çfarë i shtyu ata që t’i shajnë Sahabët? A ka midis tyre dhe Sahabëve ndonjë grindje për pasurinë dhe të ngjashme si kjo?! A mos Sahabët i munduan ata? Mes tyre dhe Sahabëve ka shekuj të tërë.
Kështu që, ajo e cila i shtyu ata në këtë (sharjen e sahabëve) është urrejtja në zemrat e tyre, për shkak se Sahabët janë ata të cilët e mbartën këtë fe dhe këta duan që ta shkëpusin lidhjen midis të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Umetit të tij për ta rrëzuar këtë fe, ky është qëllimi i tyre.

Dhe fjala e tij: (Dhe ata janë Ehlis-Suneti dhe Xhemati) :
Shokët e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ata të cilët erdhën pas tyre që i pasuan ata në mirësi, ata janë pasuesit e Sunetit, domethënë pasuesit e rrugës së saktë dhe ky është Suneti të cilin e shpjegon (Imam Berbahari) në këtë libër. Ata janë xhemati i vërtetë, ndërsa bashkimi i të tjerëve në çështje të kota, këta nuk quhen xhemat edhe sikur të jenë të shumtë në numër.

تَحْسَبُهُمْ جَمِيعًا وَقُلُوبُهُمْ شَتَّى
“I llogarit ata të bashkuar por zemrat e tyre janë në kulmin e përçarjes”
(el-Hashr, 14).

Kështu që, xhemati janë ata të cilët janë në hak, kurse ai i cili thotë unë jam me filan grup (hizb) dhe ky grup është xhemati dhe ju thoni përmbahuni xhematit, ja këta janë xhemati! I themi atyre: “Kush ju tha juve se këta janë xhemati”? Xhemati janë ata të cilët janë në hak, ata të cilët janë në hak janë në Sunet, këta janë xhemati.

Fjala e tij: (Dhe kush nuk merr prej tyre, me të vërtetë ka devijuar dhe ka shpikur) :
Kush nuk e merr fenë e tij nga Sahabët, te cilët janë transmetuesit e Librit dhe Sunetit, ai nuk është ne hakk, nëse do të akuzoheshin ata atëherë do të ishte i pa vlerë transmetimi i tyre, dhe prej Allahut kërkohet ndihmë, qëllimi i armiqve të Allahut dhe të Dërguarit të tij është zhdukja e Islamit, porse erdhën me këtë hile të fëlliqtë, ashtu që të bëjnë ndarjen midis të mëvonshmëve dhe të mëparshmëve nga muslimanët derisa të lehtësohet kapërdija e të mëvonshmëve dhe të lehtësohet përvetësimi (duke futur fjalë dhe idetë e tyre sh.p) i tyre, ndërsa nëse ata kapen me Xhematin e parë, pas Librit dhe Sunetin, atëherë nuk do të lehtësohet tërheqja e tyre (e muslimanëve) me lejen e Allahut.

Fjala e tij: (Me të vërtetë ka devijuar):
Domethënë humbi prej hakut (dhe ka shpikur).
Bidati: Ajo që është prej adhurimeve, besimeve ose fjalëve dhe nuk ka për të argument nga Libri dhe Suneti. Ka thënë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush vepron një punë që nuk është në të çështja jonë, ajo është e refuzuar”(1)

Dhe në një transmetim tjetër: “Kush shpik në këtë çështjen tonë atë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar”(2)

Dhe tha: “Ruhuni nga çështjet e shpikura se me të vërtetë çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje” (3)


Dhe bidati është ajo që shpiket në fe dhe nuk është prej saj, por si njihet se me të vërtetë ajo nuk është prej fesë? Nëse nuk ka pasur për të argument atëherë, ajo nuk është prej fesë, sepse Allahu (Xhel-le ue 'Ala) thotë:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ

“Sot e përsosa për ju fenë tuaj”
(el-Maide,3).

Feja është e plotë, dhe lavdërimi i takon Allahut, dhe nuk pranon shtesa, kështu që nuk obligohemi me tjetër veçse ta njohim fenë të cilën e plotësoi Allahu ('Azze ue Xhel-le) dhe të kapemi për të dhe të braktisim gjithçka tjetër përveç saj nga shtesat, miratimet, dhe shpikjet dhe të tjera përveç këtyre për shkak se ato të largojnë nga Allahu (Xhel-le ue 'Ala) dhe do të vijë sqarimi se me të vërtetë (nuk ka shpikur ndonjë popull bidat përveç se është hequr një e ngjashme me te prej sunetit).(4)
Dhe kjo është rruga e saktë dhe e drejtë, kapja pas xhematit, pasimi i Sunetit dhe braktisja e bidateve.

Fjala e tij: (Çdo shpikje është humbje (dalalet) :
Nuk ka ndonjë bidat të mirë sikurse thonë disa prej tyre përkundrazi të gjitha bidatet janë dalalet me tekst të hadithit të të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ku tha: “Me te vërtet çdo e shpikur është bidat dhe çdo bidat është humbje”.(5)
Dhe bidatet në fe nuk ka në to diçka të mirë kurrsesi, porse te gjitha ato janë humbje dhe kjo është fjala e të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i cili nuk flet sipas tekave te tij.

Fjala e tij: (Humbja dhe ndjekësit e saj do te jënë në zjarr) :
Devijimi dhe pasuesit e devijimit janë në zjarr, për kufrin e tyre ose për gjynahet e tyre, sepse bidati nuk është në shkallë të barabartë. Ka nga bidatet që janë kufër - bërësi i tij do të jetë përgjithmonë në zjarr, siç është të kërkuarit ndihmë nga të vdekurit, lutja e të vdekurve, therrja për të tjerë përveç Allahut, zotimi në tjetër kënd përveç Allahut, këto janë bidate kufri, po ashtu mohimi i Emrave të Allahut dhe i Cilësive të Tij - sikurse thanë Xhehmijet të cilët nuk i besojnë Emrat dhe Cilësitë dhe kjo është kufër, dhe prej Allahut kërkohet ndihma, për shkak se ata e cilësuan Allahun sikurse ai nuk ka Emra e as Cilësi, dhe atëherë është mosekzistues, sepse ekzistuesi patjetër duhet të ketë cilësi, dhe ai i cili nuk ka cilësi, ai është mosekzistues.

Dhe për këtë arsye imamët gjykuan dhe i shpallën Xhehmijet kafira, të cilët thanë: "Kur'ani është i krijuar".
Kur'ani i Cili është Fjala e Allahut dhe Shpallja e Tij dhe Zbritja e Tij, e cilësuan si të krijuar ashtu sikurse krijesat dhe thanë se Allahu nuk flet dhe e përngjasuan Atë me të pajetë. Ai që nuk flet nuk është i adhuruar, ka thënë i Madhëruari:

وَاتَّخَذَ قَوْمُ مُوسَىٰ مِن بَعْدِهِ مِنْ حُلِيِّهِمْ عِجْلًا جَسَدًا لَّهُ خُوَارٌ ۚ أَلَمْ يَرَوْا أَنَّهُ لَا يُكَلِّمُهُمْ وَلَا يَهْدِيهِمْ سَبِيلً

“Dhe populli i Musait në mospraninë e tij nga stolitë e tyre, bënë një viç që kishte një zë (sikur pëlliste) a nuk e shihnin ata se me te vërtetë ai as nuk iu flet atyre dhe as nuk i udhëzo ata ne rrugë”
(el-Araf, 148)

Dhe kjo argumenton se ai i cili nuk flet nuk është i adhuruar, dhe Xhehmijet thonë: "Allahu nuk flet". Atëherë, Ai nuk është i adhuruar, i Lartësuar është Allahu nga ajo që thonë ata, dhe ne suren Ta-Ha:

أَفَلَا يَرَوْنَ أَلَّا يَرْجِعُ إِلَيْهِمْ قَوْلًا وَلَا يَمْلِكُ لَهُمْ ضَرًّا وَلَا نَفْعًا

“A nuk e shohin ata se ai nuk mund t’ju kthejë atyre një fjalë dhe nuk ka fuqi as t’u bëjë dëm dhe as t’u sjellë dobi”
(Ta-Ha, 89).

Pra, nëse ata do t’i flisnin viçit, nuk do t’ua kthente atyre përgjigjen, dhe a është kjo e saktë që ai të jetë i adhuruar?!! Dhe ju tha Ibrahimi (alejhis-selam) adhuruesve te idhujve:

 


فَاسْأَلُوهُمْ إِن كَانُوا يَنطِقُونَ
“Dhe pyesni ata nëse janë që flasin”
(el-Enbija, 63)

dhe i thane atij:

لَقَدْ عَلِمْتَ مَا هَـٰؤُلَاءِ يَنطِقُونَ
“Me të vërtetë ti e di që këta nuk flasin.”
(el-Enbija, 65)


قَالَ أَفَتَعْبُدُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ مَا لَا يَنفَعُكُمْ شَيْئًا وَلَا يَضُرُّكُمْ ﴿٦٦﴾ أُفٍّ لَّكُمْ وَلِمَا تَعْبُدُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ ۖ أَفَلَا تَعْقِلُونَ

“Ai ju tha atyre: ‘A adhuroni përveç Allahut çka nuk ju bën dobi asgjë dhe as nuk ju dëmton’. ‘Mjere për ju dhe për ata qe adhuroni përveç Allahut a nuk po logjikoni?’ ”
(el-Enbija, 66-67).



Allahu i madhëruar thotë:

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ ۚ

“Dhe tha Zoti juaj: "Lutmëni mua, ju përgjigjem juve”
(el-Gafir,60).

Ai e Cilësoi Veten e Tij që me të vërtetë Ai Thotë dhe Flet, dhe ai i cili nuk flet nuk është i adhuruar.
Dhe për këtë shkak shume prej imamëve i shpallen kafira imamët e xhehmijeve, përveç pasuesve të tyre të verbër dhe ndjekësve të tyre që nuk iu është bërë i qartë haku porse vetëm pasuan verbërisht me injorancë, kështu që çështja e tyre duhet shqyrtuar, patjetër duhet t’u sqarohet atyre dhe nëse këmbëngulin (në rrugën e tyre sh.p), atëherë gjykohet mbi ta me kufer.

Fundnotat:

(1) Transmeton Muslimi në Sahihun e tij, (nr. 1718), dhe foli për të Bukhariu në Sahihun e tij (2/753, 6/2675), nga Aishja (radijAllahu anha).
(2) Transmeton Bukhariu në Sahihun e tij, (nr. 2550) dhe Muslimi në Sahihun e tij, (nr. 1718), nga Aishja (radijAllahu anha).
(3) Transmeton Imam Ahmedi në Musned (4/126), dhe Ibn Maxheh në Sunenin e tij, (1/16, nr. 43), dhe Ibn Ebi Asim në Suneh (nr. 49), dhe Ebu Nuajm në Mustekhrixh ala Sahih Muslim (1/36-37), dhe Hakimi në el-Mustedrek ala Sahihejn (1/175), dhe të tjerë veç këtyre nga hadithi i Irbad ibn Sarijeh (radijAllahu anhu). Tha Ebu Na’imi: “Dhe ky hadith është i mirë nga hadithet e sakta të njerëzve të Shamit”. Dhe tha Hakimi: “ Me te vërtetë ky hadith është sahih”. Dhe tha El-Mundhiri në et-Tergijb ue et-Terhijb (1/47) “Zinxhiri i tij është hasen.”
(4) Tha Hasan bin Atijeh (Allahu e mëshiroftë): “Nuk shpiku ndonjë popull bidat në fenë e tyre përveçse e ka hequr Allahu nga suneti i tyre një të ngjashëm me të, pastaj nuk e kthen më atë sunet tek ata deri ne Ditën e Kjametit”. Transmeton Darimiu (1/58, nr. 98),dhe ebu Nuajmi në el-Hilijeh (6/73), dhe el-Lalekai në Sherh Usul Itikad Ehlis-Suneh uel Xhemah (1/93).
(5) Është transmetuar ky tekst në disa hadithe nga ato: Hadith Irbad ibn Sarijeh (radijAllahu anhu) dhe parapriu nxjerrja (takhrixhi) e tij (f. 42), dhe prej tyre: Hadithi i Xhabirit (radijAllahu anhu), transmeton Nesaiu (3/188, nr. 1578), dhe Ibn Khuzejme në Sahihun e tij (nr. 1785), dhe baza e këtij hadithi gjendet tek Sahihu i Muslimit (2/592, nr. 768).

 

 

Përktheu: Muhamed Kallashi