Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Mexhmu’atu Fetaua ue Resail, vëll. 3, fq. 141

 

 

Ai – Allahu e mëshiroftë – u pyet për fjalën që thonë disa njerëz: “Allahu e di që kështu e kështu.”

 

Ai (Shejkh ibën Uthejmin) u përgjigj duke thënë:

Fjala “Allahu e di”, është një çështje tejet e rrezikshme. Madje unë kam parë në librat e Hanefive që kush thotë për diçka “Allahu e di” dhe realiteti i asaj çështje është në kundërshtim me atë që ai thotë, atëherë ai me këtë bëhet kafir, i dalë nga feja. Nëse ti thua: “Ai (Allahu) e di që unë nuk e bëra këtë,” dhe ndërkohë që ti e ke bërë, atëherë kjo nënkupton që Allahu nuk e di këtë çështje.

(Nëse thua): “Allahu e di që unë nuk e vizitova filanin,” ndërkohë që ti e ke vizituar atë, kjo nënkupton që Allahu nuk di atë që po ndodh. Dhe siç është e ditur se ai i cili ia mohon Dijen Allahut, ka bërë kufër. Për këtë arsye, Shafiu – Allahu e mëshiroftë – ka thënë për Kaderitë:

“Debatojini ata për Dijen (e Allahut). Nëse ata e mohojnë atë, dalin nga feja dhe nëse e pohojnë atëherë janë mundur.”

 

Thënë shkurt, fjala e atij që thotë “Allahu e di” dhe realiteti është në kundërshtim me atë që ai thotë, atëherë padyshim që kjo është shumë e rrezikshme dhe është haram.

Por nëse ai e thotë të vërtetën dhe çështja përputhet me atë që ai thotë, kjo nuk ka problem, sepse ai është i sinqertë në fjalën e tij dhe se Allahu është i Ditur për çdo gjë, sikurse thanë të Dërguarit në suren Ja-Sin:

قَالُوا رَبُّنَا يَعْلَمُ إِنَّا إِلَيْكُمْ لَمُرْسَلُونَ

(Të Dërguarit) thanë: “Zoti ynë e di që ne jemi sjellë të Dërguar te ju.” Ja-Sin, 16

 

Përktheu: Muhamed Kallashi