Autori: Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: Mexhmu'a Fetaua të Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz, vëll 2, fq. 116.

 

 

Allahu i Patëmeta ka të drejtë të betohet në cilën do prej krijesave të Tij dhe për cilën do prej tyre. Ndërsa, krijesës nuk i lejohet që të betohet në diçka tjetër përveç Tij të Gjithëmëshirshmit e të Lartësuarit.

Ngase Allahu i ligjëroi robërve të Tij besimtarë që betimet e tyre të bëhen vetëm për Atë të Patëmeta e të Lartësuar ose të bëhen duke u betuar në një Cilësi prej Cilësive të Tij. Dhe kjo është ndryshe nga ajo që kanë pas bërë idhujtarët në injorancë. Ata betoheshin në diçka tjetër përveç Tij, betoheshin në krijesa si: Kabja (Qabja), fisnikëria, Pejgamberi, Melaiket, dijetarët, mbretërit, njerëzit e mëdhenj, baballarët, shpatat e të tjera gjëra prej çështjeve të fesë në të cilat betoheshin shumë injorantë. Që të gjitha këto betime nuk lejohen me unanimin e të gjithë dijetarëve. Kjo për shkak të fjalës së Pejgamberit – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – :

من حلف بغير الله فقد كفر أو أشرك

“Kush betohet në diçka tjetër përveç Allahut, vërtet ai ka bërë kufër ose shirk.”

 

Po ashtu, fjala e tij – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – :

إن الله ينهاكم أن تحلفوا بآبائكم فمن كان حالفا فلا يحلف إلا بالله

“Me të vërtetë, Allahu ju ndalon juve që të betoheni në baballarët tuaj, kështu që ai që dëshiron të betohet, atëherë të mos betohet përveç se për Allahun.”

 

Këtë hadith e transmeton Buhari, ndërsa te Muslimi është:

من كان حالفا فلا يحلف إلا بالله أو ليصمت

“Kush do të betohet, atëherë të mos betohet përveç se për Allahun ose le të heshtë.”

 

Ndërsa, në një hadith tjetër transmetohet:

لا تحلفوا بآبائكم ولا بأمهاتكم ولا تحلفوا بالله إلا وأنتم صادقين

“Mos u betoni në baballarët tuaj dhe as në nënat tuaja, dhe mos u betoni në Allahun  përveç se duke qenë të vërtetë në atë që thoni.”

 

Po ashtu, fjala e tij – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – :

من حلف بالأمانة فليس منا

“Kush betohet në amanet (besën e dhënë), atëherë ai nuk është prej nesh.”

 

Po ashtu, fjala e Ibën Mes'udit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij –:

لأن أحلف بالله كاذبا أحب إلي من أن أحلف بغيره صادقا

“Që të betohem në Allahun rrejshëm është më e dashur për mua se sa të betohem në diçka tjetër përveç Tij duke thënë të vërtetën.”

 

Hadithet dhe Etheret që kanë ardhur në këtë kuptim janë të shumta.

Kështu që, detyra e muslimanëve është që ata t'i ruajnë betimet e tyre dhe të mos betohen në diçka tjetër përveç se në Allahun të Vetëm, ose në një Cilësi prej Cilësive të Tij. Po ashtu, të ruhen nga betimi në diçka tjetër përveç Allahut, cilido qoftë ai, për shkak të haditheve të mëparshme.

I lutemi Allahut të Gjithëfuqishëm e të Madhëruar që t'u japë sukses muslimanëve për atë që Ai kënaqet, dhe t'u dhurojë atyre kuptim në fenë e tyre, si dhe të na mbrojë neve dhe ata nga fitnet devijuese, nga sherri i vetes dhe e keqja e punëve tona. Me të vërtetë, Ai është Poseduesi i saj dhe që ka fuqi për të.

Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi robin dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu: Altin Dallashi