Autor: Abdur-Rahman bin Ahmed bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795 h.)

Burimi: Fet’hul Barij Sherh Sahih el-Bukharij, 3/242

 

 

434 – Na ka treguar Muhamed, na ka treguar ‘Abdeh nga Ummu Selemeh se ajo i tregoi të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për një kishë që kishte parë në tokën e Abisinisë, që quhej “Maria” dhe i tregoi për figurat që kishte parë në atë kishë. Kështu që, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

 

‏ أُولَئِكَ قَوْمٌ إِذَا مَاتَ فِيهِمُ الْعَبْدُ الصَّالِحُ ـ أَوِ الرَّجُلُ الصَّالِحُ ـ بَنَوْا عَلَى قَبْرِهِ مَسْجِدًا، وَصَوَّرُوا فِيهِ تِلْكَ الصُّوَرَ، أُولَئِكَ شِرَارُ الْخَلْقِ عِنْدَ اللَّهِ ‏‏

“Kur një rob i devotshëm nga mesi i tyre vdiste, ata i ndërtonin xhami sipër varrit të tij dhe bënin figura (skulptura dhe pikturime) në të. Këta janë krijesat më të këqija tek Allahu.”

 

Muhamedi është mësuesi (shejkhu) i Bukharit, me aq sa duket ai është Ibnu Selam el-Bikendij dhe mësuesi i el-Bikendijt është Abdeh bin Sulejman el-Kilabij.

 

Ky hadith është argument për ndalesën e bërjes së figurave në xhami, të cilat janë ndërtuar mbi varre. Figurat që gjenden në sinagoga dhe në kisha, përfshihen në këtë ndalesë, sepse janë figura që janë bërë në formën e Pejgamberëve dhe të devotshmëve të tyre, në mënyrë që të kërkojnë begati prej atyre figurave – sipas pretendimeve të tyre. Ka prej kishave dhe sinagogave të tyre që janë ndërtuar sipër varrezave të udhëheqësve fetarë të tyre dhe ka prej tyre që janë ndërtuar në emër të tyre, kështu që, të gjitha këto, futen tek ato që ndërtohen sipër varreve. Për këtë arsye, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha këto fjalë kur u përmendën kishat dhe figurat që janë në to dhe mjafton kjo si qortim për kishat që kanë figura dhe se këto janë shtëpi në të cilat zbret zemërimi dhe urrejtja e Allahut. Andaj, Muslimanit nuk i takon të falet në këto kisha dhe sinagoga.

 

Imam Ahmedi dhe Ebu Daudi [1] kanë nxjerrë një hadith nga transmetimi i Kabus bin Ebi Dhabjan, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibën Abbasi, nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë: “Nuk mund të bashkohen dy Kible në një vend.”

 

Tausi ka thënë: “Nuk duhet që Shtëpia e Mëshirës të jetë pranë Shtëpisë së Dënimit.”

Ebu Ubejdeh dhe të tjerët e kanë shpjeguar këtë fjalë duke thënë: “Nuk duhet që të bashkohen xhamitë me kishat në një vend të vetëm.”

 

Pra, përderisa ndërtimi i xhamisë dhe kishës në të njëjtin vend është i ndaluar, atëherë është akoma më e arsyeshme të ndalohet kryerja e namazit për të cilin janë ndërtuar xhamitë, në të njëjtin vend ku kryhen ritualet e kufrit që bëhen nëpër kisha. Ashtu siç nuk u jepet mundësia të krishterëve të kryejnë ritet e tyre në xhami, po kështu edhe Muslimanët nuk duhet që të falin namazin në faltoret e tyre, i cili është vendi i kufrit të tyre.

 

Por dikush mund të thotë: ka një transmetim që tregon se u lejohet të Krishterëve të luten në xhamitë e Muslimanëve. Kështu që, përderisa u lejohet atyre të falen në xhami, atëherë është akoma më e arsyeshme që Muslimanëve t’u lejohet të falen në sinagogat dhe kishat e tyre.

 

Ibën Is’haku (në librin e tij “es-Sijeru uel Megazij”, i njohur edhe si “Siretu Ibni Is'hak”) transmeton nga Muhamed bin Xhafer bin ez-Zubejr, i cili ka thënë: “Një delegacion nga Nexhrani erdhi tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në Medine dhe u futën në xhaminë e tij në kohën kur ishte falur Asri (iqindia). Ata kishin veshur Hiberah (rrobë e veçantë jemenase me vija-vija dhe e zbukuruar, që bëhej nga pambuku). Të pranishmit nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që e panë këtë delegacion, thanë: “Pas këtij delegacioni, nuk kemi parë më si ai.” Kur hyri koha e kryerjes së riteve të tyre fetare, ata filluan të faleshin në xhaminë e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Njerëzit që ishin aty donin që t’i pengonin ata, por i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “Lërini ata.” Kështu ata u falën në drejtim të lindjes.” [2]

 

Zinxhiri i këtij hadithi është i ndërprerë dhe është hadith i dobët, gjë që nuk merret për argument. Edhe sikur ky hadith të ishte i saktë, ai merr kuptimin se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e bëri këtë gjë në atë kohë, për t’i zbutur ata dhe për t’i fituar zemrat e tyre dhe nga frika se mos largoheshin nga Islami, dhe kur nuk kishte nevojë më për një gjë të tillë, nuk lejohet t’u jepet mundësia për ta bërë një gjë të tillë.

 

Për këtë arsye, kur Umeri – radijAllahu ‘anhu – bëri marrëveshje me të Krishterët dhe Jehudët që ata të jetonin në shtetin Islam (pa e ndërruar fenë e tyre), i kushtëzoi ata që të fshihnin fenë e tyre, dhe një ndër ato kushte ishte: mos-ngritja e zërit gjatë rituale të tyre fetare dhe të mos lexonin gjatë ritualeve të tyre në prezencë të Muslimanëve.

 

 

Fundnotat:

[1] El-Musned (1/223,285), Ebu Daudi (3032), Tirmidhiu (633) dhe ka thënë: “Hadithi i Ibën Abbasit është transmetuar nga Kabus bin Ebij Dhubjan, nga babai i tij, nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe hadithi është mursel (që e transmeton hadithin Tabi’iu nga Pejgamberi – sal-llAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

[2] Siratu ibni Hisham (1/547)

 

Përktheu: Jeton Shasivari