Pra, Cilësitë e Allahut janë të vërteta, janë ashtu siç i kanë hije Atij, nuk ngjajnë me cilësitë e krijesave të Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa – dhe është obligim që ato të pohohen, ashtu siç i ka hije Atij. Edhe cilësitë e krijesave janë të vërteta, janë ashtu siç u kanë hije atyre, kanë mangësi, ashtu siç kanë mangësi edhe në qeniet e tyre. Pra, ato cilësi u përshtaten atyre. Ndërsa Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – që është i Përsosur në Qenien e Tij, është i Përsosur edhe në Cilësitë e Tij.

 

     لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

 “Asgjë nuk është si Ai dhe Ai dëgjon gjithçka dhe shikon gjithçka.” [Shuuraa, 11]

 

Pra, Cilësitë i përshtaten Atij, ashtu siç u përshtaten krijesave cilësitë e tyre. Kështu që, është detyrë për të gjithë ne që të besojmë këtë, si dhe të besojmë që Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – u ngrit lart mbi Arsh, sepse kjo ka ardhur në Librin e Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa –, në shtatë vende, siç ka thënë i Pastri nga çdo mangësi, në suren “el-E’araaf”:

 

إِنَّ رَبَّكُمُ اللَّـهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai u ngrit lart e qëndroi mbi Arsh.” [el-E’araaf, 54]

 

Ai ka thënë në suren “Junus” – mbi të dhe mbi Pejgamberin tonë qofshin lavdërimet më të mira dhe paqja e Allahut –:

 

إِنَّ رَبَّكُمُ اللَّـهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Padyshim që Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh.” [Junus, 3]

 

Ai ka thënë në suren “err-Rra’d”:

 

اللَّـهُ الَّذِي رَفَعَ السَّمَاوَاتِ بِغَيْرِ عَمَدٍ تَرَوْنَهَا ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Allahu është Ai i Cili ngriti qiejt pa shtylla që t’i shihni. Pastaj Ai u ngrit lartë dhe qëndroi mbi Arsh.” [err-Rra’d, 2]

 

Ai ka thënë në suren “Ta-Ha”:

 

الرَّحْمَـٰنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَىٰ ﴿٥﴾

“I Gjithëmëshirshmi u ngrit lartë dhe qëndroi mbi Arsh.” [Ta-Ha, 5]

 

Ai ka thënë në suren “el-Furkaan”:

 

الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ الرَّحْمَـٰنُ فَاسْأَلْ بِهِ خَبِيرًا ﴿٥٩﴾

“I Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithë ç’është ndërmjet tyre në Gjashtë Ditë. Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh. Ai është i Gjithëmëshirshmi! Kështu pra, pyete Atë, sepse Ai është në dijeni të plotë për gjithçka.” [el-Furkaan, 59]

 

Ka thënë Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa – në suren “es-Sexhdeh”:

 

اللَّـهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet ndërmjet tyre në gjashtë ditë. Pastaj Ai u ngrit lartë dhe qëndroi mbi Arsh.” [es-Sexhdeh, 4]

 

Ai ka thënë në suren “el-Hadiid”:

 

هُوَ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ

“Ai është i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë, pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh.” [el-Hadiid, 4]

 

Pra, këto janë shtatë vende (në Kur`an), që të gjitha janë argumente për ngritjen e Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa – mbi Arshin e Tij dhe që Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – është mbi Arshin e Tij, i ndarë nga krijesat e Tij, është ngritur lartë me një ngritje që i përshtatet Lartësisë dhe Madhështisë së Tij. Atëherë, si i lejohet Muslimanit që t’i kundërshtojë këto ajete? Si i lejohet Besimtarit që t’i deformojë këto ajete dhe t’i nxjerrë jashtë kuptimit të tyre të saktë, që është pikërisht kuptimi i saktë ai që tregojnë tekstualisht ato ajete. Robi e ka detyrë që t’i frikësohet Allahut në veten e tij!

 

Është pyetur Imami Maliku – rahimehUllahu Te’ala –, për Fjalën e Allahut:

 

الرَّحْمَـٰنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَىٰ ﴿٥﴾

“I Gjithëmëshirshmi u ngrit lartë dhe qëndroi mbi Arsh.” [Ta-Ha, 5]

 

Ndërsa ai është një prej Katër Imamëve, një prej imamëve të kohës së tij, është imami i tokës së Hixhretit në kohën e tij, është imami i Medines – rahimehUllah. Ai u pyet: “O Ebu ‘Abdullah: “I Gjithëmëshirshmi u ngrit lartë dhe qëndroi mbi Arsh.” Si u ngrit lartë?”

 

Ai u trondit nga kjo çështje! Ai u trondit shumë nga kjo çështje, saqë filloi të djersitej, për shkak të çuditjes së tij të madhe nga kjo pyetje e çuditshme, të cilën nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë më parë.

 

Ai heshti pak, pastaj ngriti kokën – Allahu e mëshiroftë – dhe tha: “Ngritja lartë (el-istiuaa) është e ditur…” – që do të thotë se fjala “el-istiuaa” në gjuhën Arabe është e ditur, ajo është lartësimi, ngritja lartë dhe qëndrueshmëria – “kurse mënyrën e saj nuk e dimë…” – pra nuk e dimë se si është ajo, mirëpo tha – “…kurse besimi në të është obligim…” – pra besimi në të është obligim, prandaj robi e ka detyrë që të besojë se Allahu u ngrit lartë, siç ka ardhur qartazi në këto shtatë ajete, në Librin e Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa –, për ngritjen Allahut mbi Arsh.

 

Pra, ai tha: “Ngritja lartë (el-istiuaa) është e ditur, kurse mënyrën e saj nuk e dimë, kurse besimi në të është obligim, kurse pyetja për mënyrën e saj është bidat, dhe po shoh që ti je veçse një njeri i keq!” Pastaj urdhëroi që ta nxirrnin atë njeri jashtë Xhamisë së Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem.

 

Po kështu, ky kuptim ka ardhur nga një numër prej imamëve të Islamit, siç ka ardhur nga Sufjan eth-Theurij, nga Euza’ij, nga Shafiu, nga Imam Ahmedi, nga Is`hak Ibën Rahuja dhe nga të tjerë – Allahu qoftë i kënaqur nga ata dhe i mëshiroftë.

 

Pra, kjo temë është një e vetme. Istiuaja (ngritja lart) është e ditur, ne e dimë kuptimin e saj, istiua do të thotë lartësim dhe ngritje lartë, kurse mënyra e saj është e paditur, nuk e di askush se si u ngrit lartë përveçse Ai! Kush na pyet neve: si u ngrit lartë Allahu? Ne i themi këtij kundërshtari: na trego si është Qenia e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala? Na trego se si është Qenia e Allahut që të themi se si janë Cilësitë e Tij? Nëse ai s’ka çfarë të thotë, atëherë i themi atij: nëse ti beson që Allahu ka Qenien e Tij – i Pastër nga çdo mangësi dhe i Lartë është Ai! – e cila nuk ngjason me qeniet e krijesave, atëherë ti e ke obligim që të besosh se Ai ka Cilësi të cilat nuk ngjasojnë me cilësitë e krijesave. Mëshira dihet, mirëpo Mëshira e Allahut nuk është si mëshira e krijesave; kënaqësia është e ditur, mirëpo Kënaqësia e Allahut nuk është si kënaqësia e krijesave; zemërimi është i ditur, mirëpo Zemërimi i Allahut nuk është si zemërimi i krijesave; fuqia është e ditur, mirëpo Fuqia e Allahut nuk është si fuqia e krijesave; dora është e ditur, mirëpo Dora e Allahut nuk është si dora e krijesave, këmba është e ditur, mirëpo Këmba e Allahut [1] nuk është si këmba e krijesave. Pra, trajta apo mënyra se si janë ato është e paditur dhe ne nuk e dimë se si është Mëshira e Tij, se si është Zemërimi i Tij, se si është Dora e Tij, se si është Këmba e Tij (“kadem” dhe “rixhl”), se si është Syri i Tij. Ne nuk e dimë se si janë këto Cilësi, prandaj detyra jonë është që të mos futemi në diskutime për trajtën apo mënyrën e tyre. Mirëpo ne e dimë çfarë kuptimesh kanë ato Cilësi, dhe themi se Ai Dëgjon gjithçka dhe Shikon gjithçka, themi se Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – ka dy Duar, ashtu siç ka thënë Ai:

 

بَلْ يَدَاهُ مَبْسُوطَتَانِ

“Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura bujarisht...” [el-Maa`ideh, 64]

 

Dhe ashtu siç ka thënë Ai:

 

مَا مَنَعَكَ أَن تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ

“Ç’të ndaloi ty që t’i bëje sexhde atij që Unë e krijova me të dyja Duart e Mia?” [Sa’d, 75]

 

Dhe ashtu siç ka thënë i Dërguari - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:

 

إن الله يضع قدمَه في النارِ فينزوي بعضُها إلى بعض فتقول قَطٍ قَطٍ

“Me të vërtetë Allahu do ta vendosë Këmbën e Tij mbi Xhehenem dhe ai do të mbështillet me pjesët e tjera të tij dhe do të thotë: Mjafton! Mjafton!”

 

Për saktësinë e këtij hadithit është pajtuar Bukhari me Muslimin, në dy Sahihët e tyre, nga transmetimi i Ebu Hurejras – radijAllahu ‘anhu.

 

Kështu pra janë edhe Cilësitë e tjera.

 

Shënim i përkthyesit:

[1] Shejkh Muhamed Ibën Hadij – Allahu e ruajtë – këtu ka përmendur fjalën “قَدَمٌ - kadem” që është pjesa e poshtme e këmbës, që përfshin gishtat dhe shputën e këmbës deri te kyçet e saj. E mbas kësaj fjale, Shejkh Muhamedi ka përmendur një fjalë tjetër, “رِجْلٌ  - rixhl”, e cila ka për qëllim pjesën e poshtme të këmbës me gjithë kërcirin. Për shkak se nuk gjeta në fjalorin e gjuhës Shqipe asnjë fjalë ekuivalente për fjalën “rixhl”, jam mjaftuar vetëm me përkthimin e fjalës “kadem” (këmbë), deri në fund të ligjëratës.

 

Vazhdon in sha Allah ...

 

Përktheu: Alban Malaj