Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 35

 

Emrat:

El-Eu-uel  (الأَوَّلُ)   [I Pari (I Pafillim)]

El-Akhir  (الآخِرُ)   [I Pambarim]

Edh-Dhaahir  (الظَّاهِرُ)   [Më i Larti]

El-Baatin  (البَاطِنُ)   [Më i Afërti (me dijen e Tij]

 

Këto katër Emra janë përmendur së bashku në një vend në Kur'anin Fisnik,ë. Thotë Allahu i Lartësuar:

هُوَ الْأَوَّلُ وَالْآخِرُ وَالظَّاهِرُ وَالْبَاطِنُ ۖ وَهُوَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

"Ai është i Pari (i Pafillim), i Pafundi (i Pambarim), më i Larti, dhe më i Afërti. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” [El-Hadid, 3]

Shpjegimi më i mirë i këtyre katër emrave të bukur dhe sqarimi i kuptimeve të tyre, është ajo që ka ardhur në sunetin Pejgamberik, kur Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i është drejtuar Zotit të tij, i cili e përmban kuptimin e këtyre emrave si dhe i sqaron domethëniet e Tyre.

Transmeton Muslimi në "Sahihun" e tij nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu –, i cili thotë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – na urdhëronte që kur të shtrihemi për të fjetur të themi: “O Allah! Ti je Zoti i shtatë qiejve, i tokës dhe i Arshit madhështor. Ti je Zoti ynë dhe Zoti i gjithçkaje. Ti e nxjerr bimën nga fara dhe pemën nga bërthama. Ti e ke zbritur Teuratin, Inxhilin dhe Furkanin (Kur'anin). Kërkoj mbrojtjen Tënde prej të keqes së çdo gjëje, sepse vetëm Ti ke mundësi për këtë! O Allah! Ti je i Pari (i Pafillim), dhe asgjë nuk ka ekzistuar para Teje dhe as me Ty! Ti je i Pafund (i Pambarim, që ngelesh përgjithmonë), dhe pas Teje nuk ngelet asgjë! Ti je më i Lartësuari, dhe nuk ka asgjë sipër Teje! Ti je më i Afërti (me Dijen Tënde) te krijesat dhe askush nuk është më afër te krijesat se Ti! (O Allah!) Na bëj që t’i kryejmë obligimet tona ndaj Teje dhe ndaj krijesave të Tua dhe na ruaj nga varfëria dhe lypja!”

Pra, Pejgamberi - alejhis-salatu ues-selam - në këtë lutje të përgjithshme sqaroi kuptimet e të gjithë këtyre Emrave dhe mohoi kuptimet e kundërta të tyre. Pra, kjo është shkalla më e lartë e sqarimit.

 

Përktheu: Servet Mata