Autor: Muhamed ibën Abdul-Uehhab
Shpjegues: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 42-45
Kapitulli:
Dëshpërimi nga mëshira e Allahut dhe ndjenja e sigurisë se nuk zë ndëshkimi i Allahut
Argument është Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿ إِنَّهُ لَا يَيْأَسُ مِنْ رَوْحِ اللَّهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْكَافِرُونَ﴾
“E me të vërtetë që nuk e humb shpresën nga mëshira e Allahut vetëm se njerëzit mosbesimtarë.” [Jusuf, 87]
Gjithashtu është Fjala e Tij:
﴿أَفَأَمِنُوا مَكْرَ اللَّهِ فَلَا يَأْمَنُ مَكْرَ اللَّهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْخَاسِرُونَ﴾
“E nuk ndjehet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut vetëm se njerëzit e humbur.” [el-‘Araf, 99]
Është transmetuar nga Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: “Më i madhi i gjynaheve është: t’i bësh shirk Allahut, të ndjehesh i siguruar që nuk të zë ndëshkimi i Allahut, të humbasësh shpresën nga mëshira e Allahut dhe të dëshpërohesh nga mëshira e Allahut.” E ka transmetuar Abdur-Rrazzaku në Musanefin e tij, me numër 19701).
Gjithashtu e ka transmetuar Ibën Ebi Hatim në Tefsirin e tij (3/931, me numër 5201) me zinxhir transmetimi që mbërrin deri tek Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Teksti që ka transmetuar Ibën Ebi Hatim është: U pyet Ibën Abbasi se cilat janë gjynahet e mëdha dhe ai tha: “T’i bësh shirk Allahut, të ndjehesh i siguruar se nuk të zë ndëshkimi i Allahut dhe të dëshpërohesh nga mëshira e Allahut.”
Shpjegimi i Shejkh Feuzanit:
Imami Muhamed Ibën Abdul-Uehab, Allahu e mëshiroftë, e vendosi këtë kapitull me këto dy çështje që të tërheqë vëmendjen se këto të dyja që janë prej gjynaheve të mëdha, se kush e heq shpresën plotësisht është njësoj si ai që ndjehet i siguruar nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar. Të dyja këto çështjet janë prej gjynaheve të mëdha.
Prandaj, Muslimani e ka detyrë që të jetë i drejtë në këto. Pra, kërkohet që të jesh mesatar sepse kjo është më e mira për të gjitha çështjet.
Imami, Allahu e mëshiroftë, përmendi ajetet dhe hadithin që të të argumentojë ty për këtë kapitullin që ka vendosur, se humbja e shpresës nga mëshira e Allahut dhe ndjenja e sigurisë nga ndëshkimi i Allahut është prej gjynaheve më të mëdha.
Shiko për shembull Ibrahimin – alejhis-salatu ues-selam –; Allahu nuk e furnizoi atë me fëmijë derisa ai u bë i moshuar. Por ai gjithsesi nuk e humbi shpresën nga mëshira e Allahut të Lartësuar, derisa i erdhën ëngjëjt e Allahut dhe e përgëzuan me një djalë. Ata e përgëzuan me Ismailin, e më pas me Is`hakun, e më pas me Jakubin –alejhimus-selam –.
Tha Allahu i Lartësuar për këtë:
وَبَشَّرُوهُ بِغُلَٰمٍ عَلِيمٖ
“Ata e përgëzuan atë me një djalë të ditur.” [edh-Dharijat, 28]
Ky ishte Is`haku. Kurse në ajetin tjetër Ai tha:
فَبَشَّرۡنَٰهُ بِغُلَٰمٍ حَلِيمٖ
“Ne e përgëzuam me një djalë të matur.” [es-Safat, 101]
Dhe ky ishte Ismaili – alejhis-selam –. Pra, Ibrahimi u përgëzua dy herë. Mirëpo kur atë e përgëzuan ëngjëjt, ai tha:
قَالَ أَبَشَّرۡتُمُونِي عَلَىٰٓ أَن مَّسَّنِيَ ٱلۡكِبَرُ فَبِمَ تُبَشِّرُونَ٥٤ قَالُواْ بَشَّرۡنَٰكَ بِٱلۡحَقِّ فَلَا تَكُن مِّنَ ٱلۡقَٰنِطِينَ٥٥ قَالَ وَمَن يَقۡنَطُ مِن رَّحۡمَةِ رَبِّهِۦٓ إِلَّا ٱلضَّآلُّونَ٥٦
“A po më përgëzon ndërkohë që mua më ka kapluar pleqëria, me çfarë pra po më përgëzoni?” Ata thanë: “Ne të përgëzuam me të vërtetën, prandaj mos u bëj prej atyre që humbin shpresën.” Ai tha: “E kush tjetër e humb shpresën nga mëshira e Allahut përveçse se të humburit.” [el-Hixhr, 54-56]
Pra, ai nuk e humbi shpresën nga mëshira e Allahut - dhe këtu qëndron çështja – pavarësisht që ai ishte në moshë të thyer, ngaqë ai jetoi derisa arriti këtë, por ama jetoi me shpresë dhe duke iu mbështetur Allahut dhe nuk e humbi shpresën nga mëshira e Allahut.
Fjala që tha ai: “A po më përgëzon ndërkohë që mua më ka kapluar pleqëria, me çfarë pra po më përgëzoni?” Ai e tha atë nga çudia e jo ngaqë e kishte humbur shpresën dhe kjo është rruga e të Dërguarve – alejhimus-selam – dhe rruga e besimtarëve, se atyre sado që t’u vështirësohen hallet, ata nuk e humbin shpresën nga mëshira e Allahut të Lartësuar.
Ndërkohë që – fatkeqësisht - shumë njerëz në kohën tonë sot, jetojnë në kundërshtim me këtë rrugë që ndoqën Profetët – alejhimus-selam – dhe i shikon se si thonë që: “Islami u mund, muslimanët nuk kanë fuqi që t’i luftojnë mosbesimtarët të cilët sundojnë dynjanë, sepse ata kanë armë shkatërrimtare. Mirëpo ata harrojnë që Islami ka një Zot që e ndihmon dhe e triumfon atë, se dynjaja është herë kështu e herë ashtu, se Allahu është me të devotshmit dhe se fundi i mirë do të jetë për të devotshmit po ashtu. Gjithashtu, çfarëdolloj fuqie që t’u jepet mosbesimtarëve, ata prapëseprapë do të marrin fund, kurse Islami është feja e Allahut dhe ai do mbetet dhe muslimanët do të mbesin, me ndryshimin dhe fuqinë e Allahut. Ata do të kenë fundin e mirë në dynja dhe në ahiret.
Kështu që, nuk i lejohet muslimanit që ta humbë shpresën nga mëshira e Allahut kur i sheh këto gjëndje dhe këto fitne të mëdha, por përkundrazi, ai duhet ta shtojë shpresën tek Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm dhe duhet të besojë me bindje te premtimi i Allahut të Patëmeta e të Lartësuar.
Kështu duhet të jetë gjendja muslimanit, përherë. Muslimanët e sotëm edhe nëse gjendja e tyre është e dobët, ndërsa armiku i tyre është në gjendje të fortë dhe nuk kanë mundësi që ta luftojnë atë, atëherë ata presin derisa të vijë dita e tyre kur të thyhen mosbesimtarët dhe të triumfojë Islami me muslimanët. E s’ka dyshim që kjo nuk është e rëndë për Allahun.
Përktheu: Abdullah Beqiri