Bismilah...

Shejkh Muhamed Ali Ferkus

Burimi: http://www.albaidha.net/vb/showthread.php?t=6282

 

Pyetje: Ka disa ilaçe që shiten në farmaci apo në mjeksinë alternative, të cilat vijnë nga vende të ndryshme të botës, që mund të jenë ushqyesë, vitamina apo minerale. Pra, a janë këto ilaçe harram thjesht se ka mundësi të përmbajnë disa lëndë prej derri apo të kafshëve të therrura jo sipas Sheriatit. Në rast se bëhet e qartë se një pjesë e këtyre lëndëve vjen nga derri apo nga mishi i therrur jo hallall, a lejohet ti marrim ato, ngase ato përzihen dhe trazohen në mënyrë sintetike, prej të cilës nuk mbetet më gjurmë të këtyre lëndëve?

Përgjigje: Lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve, salatet dhe selamet qofshin mbi atë, të cilin Allahu e dërgoi si mëshirë për botët, mbi Familjen, Shokët dhe vëllezërit e tij, deri në Ditën e Gjykimit, e më pas:

Mesa di unë, nëse lënda ndryshon përbërjen e saj nga reaksionet kimike apo nga gjëra të tjera, derisa shnderrohet në tjetër lëndë, atëherë gjykimi për të është se lejohet sepse parimi bazë për gjërat nga të cilat përfitohet, është lejimi, ashtu siç është i vendosur edhe në shkencën e Usulit, nga thënia e Allahut të Lartësuar:

هُوَ الَّذِي خَلَقَ لَكُم مَّا فِي الأَرْضِ جَمِيعا

“Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.”
[El-Bekare, 29]

Dhe ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

الحلال ما أحلّ الله في كتابه والحرام ما حرّم الله في كتابه

“Hallall është ajo që ua ka lejuar Allahu në Librin e Tij dhe harram  është ajo që ua ka ndaluar Allahu në Librin e Tij.”
[1]

Edhe vera në vetvete është harram, është harram pirja e saj, përdorimi i saj, por nëse ajo kthehet në uthull, ndryshon përbërja e saj dhe bëhet hallall. Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

نِعْمَ الإدامُ الخلّ

“Sa i mirë që është lëngu i uthullës!”
[2]

Dhe kjo është në rastin kur ndryshohet përbërja e lëndës së ndaluar. Ndërsa, nëse ndryshon vetëm gjendjen dhe mbetet e njëjta përbërje, atëherë gjykimi për të është ndalimi, siç është kalimi nga gjendja e ngurtë ne gjendje të lëngët apo nga gjendja e lëngët në gjendje të ngurtë. Kështu, nëse vera e lëngshme ngurtësohet, ajo ngelet e njëjta përbërje, edhe pse ndryshoi gjendjen. Prandaj, Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, në hadithin e Xhabir bin Abdullah, radijAllahu anhuma, ka thënë:

قاتل الله اليهود؛ إنّ الله لمَّا حرّم عليهم شحومها جملوه ثمّ باعوه فأكلوا ثمنه

“I vraftë Allahu çifutët! Kur Allahu ua ndaloi atyre dhjamin, ata e zbukuruan atë(dhjamin), e shitën dhe e hëngrën fitmin e tij.”
[3]

Dhe zbukurimi ishte dhjami i shkrirë . Kështu, dhjami edhe nëse ndryshon disa cilësi të tij, mbetet e njëjta përbërje dhe mbetet po ashtu edhe gjykimi i ndalimit.

Dhe në bazë të kësaj, mund ta shohim edhe çështjen e ilaçeve në fjalë dhe ky rast ka nevojë për vërtetim, i cili bëhet prej kimistëve me eksperiencë. E nëse zbulojnë se këto ilace të përbëra nga dhjami i derrit, e ndryshojnë përbërjen e tyre, atëherë ato janë të lejuara.

E nëse zbulojnë se lënda ndryshon vetëm disa cilësi të saj dhe mbetet po e njëjta përbërje, atëherë gjykimi për këtë është ndalimi. Dhe tërheqim vëmendjen se nëse atij i bëhet e qartë se përbërja e lëndës mbetet harram, nuk i lejohet atij ta shesë atë. Ndërsa, lejohet blerja nga ai që është i detyruar, ngase gjykimi për atë që është i detyruar ndryshon nga gjendja e zakonshme dhe për këtë rast ka ardhur tekst në Sheriat duke u bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar në suren El-An’am:

“Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë.” [El-En’am 119]

Nga ky ajet është nxjerrë rregulli: domosdoshmëritë i bëjnë të lejuara ndalesat, në varësi të nevojës së tyre.

Dhe Allahu e di më së miri. Lutja jonë e fundit është: Lavdia i takon Allahut, Zotit të Botëve, Allahu dërgoftë salate dhe selame të shumta mbi Pejgamberin tonë Muhamedin dhe mbi Familjen e tij.

 


Algjeri, 28 Xhumada eth-thanij, 1426 hixhri
Që përkon me datën: 24 korrik, 2005

 



Fundnota:
[1] Transmeton Tirmidhiu në El-libas (1830), Ibn Maxheh në El-Et’imah (3492), Bejhakiu (19873) nga hadithi i Selmanit, radijAllahu anhu. Dhe e ka saktësuar El-Albani në Sahihul-Xhami’ (3195).
[2] Transmeton Muslimi në El-Eshriba (5471), Trimidhiu në El-Et’imah (1957), Ibn Maxheh në El-Et’imah (3441) nga hadithu i Aishes radijAllahu anha, dhe Ebu Daudi në El-Et’imah (3822), Tirmidhiu në El-Et’imah (1956), Nesaiu në El-Iman ue En-Nudhur (3812), Ibn Maxheh në El-Et’imah (3442) dhe Ahmedi (14595) nga hadithi i Xhabirit, radijAllahu anhu.
[3] Transmeton Bukhari në El-Buju’ (2236) dhe Nesaiu në El-Fer’ uel Atijrah (4273).



Përktheu: Umm ‘Akil