Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, nr. i kasetës (342)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 9/ fq. 2

 

Pyetje: Çështja e tretë: Pas varrosjes së të vdekurit, imami lutet dhe të pranishmit që janë rreth imamit thonë “Amin”?

Përgjigje: Kjo gjithashtu është një prej bidateve, që imami të lutet për të vdekurin apo dikush tjetër përveç imamit, e të tjerët të thonë “Amin”. Ngase një gjë e tillë nuk është transmetuar nga Pejgamberi por përkundrazi është transmetuar e kundërta e saj. Kur Pejgamberi e mbaronte varrosjen e të vdekurit, qëndronte te varri dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllain tuaj! Lutuni për të që ta forcojë Allahu sepse ai tani po merret në pyetje!” Ai nuk u lut njëzëri bashkë me ata duke kërkuar falje dhe qëndrueshmëri për të vdekurin.

Me këtë rast, dua që t’ua kujtoj vëllezërve të mi Muslimanë dhe çdonjërit që i dëgjon këto fjalët e mia: le të ndjekin në këto çështje e varrimit atë që ka ardhur në Sunet dhe që e kanë vepruar të Parët e Devotshëm. Gjatë varrimit të mos shpikin gjëra që Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk i kanë bërë të ligjshme në Sheriat. Kështu, ai person që i bën këto do të jetë nga bidatxhitë, kurse çdo bidat është devijim.

Kur të varroset i vdekuri dhe të mbulohet plotësisht me dhe, njeriu duhet të qëndrojë afër varrit dhe të thotë: “O Allah, fale atë! O Allah, fale atë! O Allah, fale atë!” Sepse Pejgamberi kur bënte një lutje, e përsëriste atë tri herë. “O Allah, forcoje atë! O Allah, forcoje atë! O Allah, forcoje atë!” Pastaj Pejgamberi largohej nga aty.

Kjo është ajo që argumenton Suneti. Por, që të qëndron për një kohë të gjatë te varri, të lexosh Ajetul-Kursijn, el-Fatihanë, Jasinin apo të tjera sure, për të gjitha këto nuk ka argument në fe.

 

Përktheu: Jeton Shasivari