Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 33-35

 

Kapitulli i gjashtë

Çfarë hahet dhe çfarë ndahet për të tjerët prej kurbanit

 

Është e ligjësuar për atë që bënë kurban që të hajë prej kurbanit të tij, ta dhurojë një pjesë dhe ta japë sadaka një pjesë, për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:

فَكُلُواْ مِنْهَا وَأَطْعِمُواْ الْبَآئِسَ الْفَقِيرَ

"Andaj hani prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni skamnorët dhe fukarenjtë." [El-Haxh, 28]

Dhe Fjalës së Allahut të Lartësuar:

فَكُلُواْ مِنْهَا وَأَطْعِمُواْ الْقَنِعَ وَالْمُعْتَرَّ

"Hani prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të varfrit që nuk lypin (el-kanië) dhe ata që lypin (el-m’uterr)." [El-Haxh, 36]

"El-kani'u" është i varfëri që nuk lyp dhe kënaqet me aq sa ka, ndërsa "el-mu'terr" është i varfëri që e shfaq nevojën e tij për t’i dhënë të tjerët, porse nuk lyp.

Transmeton Selemeh Ibnul Ek'uai’, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

كُلُوا وَأَطْعِمُوا وَادَّخِرُوا

"Hani (një pjesë prej kurbanit), ushqeni të tjerët dhe konservoni (një pjesë)." [1]

Pra, ushqimi i të tjerëve përfshin dhurimin e mishit të pasurve dhe dhënien e mishit për sadaka të varfërve.

Transmeton Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

كُلُوا، وَادَّخِرُوا، وتَصَدَّقُوا

"Hani (një pjesë të kurbanit), konservoni një pjesë dhe jepeni sadaka një pjesë." [2]

Dijetarët, Allahu i Lartësuar i mëshiroftë, kanë mospajtime në lidhje me sasinë e asaj që ha, dhuron, dhe jep sadaka nga kurbani, porse kjo çështje ka hapësirë për mendime. Mendimi i zgjedhur është që ta hajë një të tretën, ta dhurojë një të tretën dhe ta jap sadaka një të tretën.

Ajo pjesë e cila lejohet të hahet, lejohet gjithashtu të konservohet edhe nëse ngelet për një kohë të gjatë, përderisa konservimi nuk arrin deri aty sa që të bëjë dëm ngrënia e saj, përjashtohet rasti nëse njerëzit vuajnë nga uria në atë vit, atëherë nuk lejohet konservimi mbi tre ditë, për shkak të hadithit të Selemeh Ibnul Ek'uai', Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

مَنْ ضَحَّى مِنْكُمْ، فَلَا يُصْبِحَنَّ بَعْدَ ثَالِثَةٍ وَفِي بَيْتِهِ مِنْهُ شَيْ

Ai që ka therur kurban, të mos mbajë asgjë nga mishi i tij pas tre ditësh.”

Ndërsa kur erdhi viti tjetër, sahabët i thanë: O i Dërguari i Allahut, a të veprojmë siç vepruam vitin e kaluar? Ndërsa ai, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, tha:

كُلُوا وَأَطْعِمُوا وَادَّخِرُوا؛ فَإِنَّ ذَلِكَ الْعَامَ كَانَ بِالنَّاسِ جَهْدٌ، فَأَرَدْتُ أَنْ تُعِينُوا فِيهَا

“Hani, ushqeni të tjerët dhe konservoni, sepse vitin e kaluar njerëzit ishin në skamje dhe unë desha nga ju që t’i ndihmonit ata me ushqim.” [3]

Në lidhje me lejimin e ngrënies dhe dhurimit prej kurbanit, nuk ka dallim mes asaj që është vullnetare apo obligative dhe mes asaj që bëhet kurban për të gjallin, apo të vdekurin, apo për atë që e ka lënë porosi që të bëhet pas vdekjes, sepse atij që i është lënë porosia e zë vendin e porositësit, dhe porositësi ka të drejtë të hajë, të dhurojë dhe të jap sadaka, sepse ajo që njihet si zakon që praktikohet te njerëzit, është njëlloj si zakoni që flitet me fjalë.  

Ndërsa për sa i përket atij që është ngarkuar nga pronari për ta therur kurban, nëse pronari i jep leje që të hajë, të dhurojë dhe të jap sadaka prej kurbanit, ose ka ndonjë argument që tregon për lejimin e kësaj, ose është traditë që i lejohet ta veprojë një gjë të tillë, atëherë ai mund të hajë, të dhurojë dhe të jap sadaka prej kurbanit. Në të kundërt, ai e dorëzon kurbanin te pronari dhe pronari është ai që e bën shpërndarjen e mishit.

Gjithashtu, nuk lejohet që të shesësh diçka prej kurbanit, as mishin e ndonjë pjesë tjetër, madje as edhe lëkurën e tyre. Nuk lejohet t'i jepet kasapit një pjesë e kurbanit si pagesë për therjen e kurbanit, e as për të plotësuar një pjesë të pagesës për therjen e kurbanit, sepse kjo llogaritet si shitje e kurbanit. Kurse ai që i dhuron kasapit një pjesë të kurbanit apo ia jep atë si sadaka, atëherë kasapi mund të veprojë si të dojë me të, ta shesë apo të bëjë diçka tjetër, vetëm se nuk i lejohet t'ia shesë atij që ia dhuroi  apo ia dha sadaka mishin.

____________

[1] Transmeton Muslimi “Libri i Kurbaneve, kapitulli: udhëzimi i pejgamberit në lidhje me ngrënien e mishit të kurbaneve,” nr. 1971.

[2] Transmeton Bukhariu, “Bukhariu “Libri i Kurbaneve, kapitulli: ajo që hahet nga mishi i kurbaneve  dhe ajo që konservohet” nr. 5569.

[3] Transmetojnë Bukhariju (nr. 5569) dhe Muslimi (nr. 1973).

 

Përktheu: Servet Mata