Bismilah...

Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijeh, (v.751 H.)

Burimi: El-Uabilu Sajjib, fq. 49, botimi “Daru ‘Alemil Feuaid

 

 

Njerëzit ndaj namazit të tyre ndahen në pesë grada:

 

Grada e parë: Ai që i ka bërë zullum vetes, neglizhuesi; ai që ka mangësi në abdes, kohët e namazit, formën e namazit dhe shtyllat e tij.

 

Grada e dytë: Ai që kujdeset për kohët e namazit, formën dhe shtyllat e tij nga pamja e jashtme, kujdeset për abdesin, porse ka dështuar në mposhtjen e vetes së tij përpara vesveseve. Kështu, ai u shkon nga mbrapa vesveseve dhe mendimeve.

 

Grada e tretë: Ai që kujdeset për formën e namazit dhe shtyllat e tij, dhe lufton me veten e tij që t’i largojë vesveset dhe mendimet. Ai është i angazhuar në luftë kundër armikut të tij, që të mos i vjedh namazin e tij. Pra, ai është në namaz dhe në xhihad (përpjekje të vazhdueshme).

 

Grada e katërt: Ai i cili kur e fal namazin, ia jep hakun e plotë që meriton, duke i plotësuar shtyllat dhe formën e tij. Ai e zhyt zemrën e tij duke e ruajtur formën e namazit dhe i jep hakun që i takon, në mënyrë që të mos i humb gjë prej namazit. Madje, i gjithë halli i tij është se si ta kryejë atë ashtu siç kërkohet duke e plotësuar atë në formën më të mirë. Zemra e tij është e angazhuar me çështjen e namazit dhe adhurimin e Zotit të tij me këtë namaz.

 

Grada e pestë: Ai i cili e fal namazin siç duhet, tamam. Por, përkrah kësaj, ai e ka përqendruar zemrën e tij para Zotit të tij – të Plotfuqishmit e të Madhëruarit, duke ‘shikuar’ me zemrën e tij tek Ai; duke e ditur se është në mbikëqyrjen e Tij; është i mbushur me dashuri ndaj Tij dhe i mbushur me madhështi ndaj Tij, sikur e sheh Atë dhe e kundron. Vesveset dhe mendimet i janë hequr, pengesat midis tij dhe Zotit të tij janë larguar. Kjo gjë që ka arritur në namaz në krahasim me të tjerët, është më e mirë se ajo që gjendet midis qiejve dhe tokës. Ky njeri në namazin e tij është i angazhuar me Zotin e tij – të Plotfuqishmin të Madhëruarin. Ai është i kënaqur me Zotin e tij.

 

I pari: do të dënohet.

I dyti: do të merret në llogari.

I treti: do të falet.

I katërti: do të shpërblehet.

I pesti: është nga të afërmit e Allahut.

 

Të pestit i takon kjo hise sepse është nga ata që namazi i është bërë kënaqësi e tij. Atij që i bëhet namazi kënaqësi në dunja, do të jetë prej atyre që do të kënaqen me afrimin e tyre te Zoti i tij – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – në Ahiret dhe do të kënaqet në dunja.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari