Bismilah...

Autor: Shejkh Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: el-Khutab el-Minberijeh, vëll. 4, fq. 65, botimi “Mektebetul-Me’arif.”

 

 

“...madje, çështja ka arritur deri aty saqë njëri e komenton Kuranin me teoritë moderne, me arritjet bashkëkohore të shkencës dhe këtë e konsideron krenari për Kuranin, ku sipas mendimit të tij Kurani përputhet me këtë teori dhe e quan këtë “mrekulli shkencore.” Ky është gabim trashanik, sepse nuk lejohet komentimi i Kuranit me këto teori dhe këto mendime, ngaqë ato ndryshojnë dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën si dhe e përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Kurse Kurani është e vërteta, domethëniet e tij janë të vërteta; nuk ka kontradikta në të dhe domethëniet e tij nuk ndryshojnë me kalimin e kohës.

 

Sa i përket mendimeve të njerëzve dhe informatave e tyre, mund të jenë të gabuara dhe të qëlluara. Rastet që gabojnë janë më të shumta sesa rastet kur ia qëllojnë. Sa e sa teori që janë pranuar sot, vjen nesër një teori tjetër që e përgënjeshtron atë. Andaj, nuk lejohet ta lidhësh Kuranin me teoritë njerëzore dhe shkencat e tyre hipotetike e fiktive që godasin dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën.

 

Komentimi i Kuranit Fisnik ka bazat e tij të mirënjohura te dijetarët e Sheriatit, nuk lejohet tejkalimi i këtyre bazave dhe të komentohet Kurani pa kriteret e tij.

Këto baza janë:

 

[Baza e parë] Komentimi i Kuranit me Kuran. Ajo që është shpjeguar në mënyrë të përgjithshme në ndonjë vend të Kuranit, shpjegohet me atë që është e sqaruar hollësisht në ndonjë vend tjetër. Dhe ajo që është e pakushtëzuar në ndonjë vend, kushtëzohet në një vend tjetër.

 

[Baza e dytë] Nëse nuk ka ajet në Kuran që e shpjegon një ajet tjetër, atëherë ai shpjegohet me Sunetin e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘alihi ue sel-lem – sepse Suneti është shpjegues i Kuranit dhe sqarues për të. I Lartësuari i thotë të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘alihi ue sel-lem –:

 

﴿وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ﴾

“Ne ta kemi zbritur ty përkujtuesin në mënyrë që t’ua sqarosh njerëzve atë që u është zbritur atyre, që ata të mendojnë.” En-Nahl, 44

 

[Baza e tretë] Nëse komentimi i një ajeti nuk gjendet në Sunet, atëherë i kthehemi komentimit të Sahabëve, sepse ata janë më të diturit për komentimin e Kuranit, për shkak se e shoqëruan të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – dhe e mësuan atë prej tij; e mësuan Kuranin bashkë me komentimin, saqë njëri prej tyre thoshte: “Nuk i kalonim dhjetë ajete në mësimin përmendësh derisa t’i mësonim edhe domethëniet e këtyre ajeteve dhe të punuarit me to.”

 

[Baza e katërt] Nëse nuk gjendet komentimi i një ajeti në fjalët e Sahabëve, në këtë rast, shumë prej imamëve i kthehen fjalëve të Tabi’inëve, për arsye se ata e morën diturinë nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘alihi ue sel-lem –; e mësuan Kuranin dhe domethëniet e tij nga Sahabët. Kështu që, për një komentim të një ajeti që Tabi’inët janë pajtuar (me ixhma), atëherë ai është argument, ndërsa për atë që nuk janë pajtuar, atëherë i kthehemi gjuhës arabe me të cilën ka zbritur Kurani.  

 

Komentimi i Kuranit pa këto katër lloje, nuk lejohet.

 

Kështu që, komentimi i Kuranit me teoritë moderne, siç janë fjalët e mjekëve, gjeografëve, astronomëve dhe astronautëve, është komentim i pabazë dhe i pavërtetë, që nuk lejohet. Sepse ky është komentim i Kuranit i bazuar në mendime dhe supozime, i cili është haram shumë i madh, për shkak të fjalës së tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem –:

 

مِنْ قَالَ فِي الْقُرْآنِ بِرَأْيِهِ - أَوْ بِمَا لَا يَعْلَمُ - فَلْيَتَبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنَ النَّارِ

“Ai që e komenton Kuranin me mendimin e tij – apo me atë që nuk e di – le t’i përgatisë vetes së tij një karrige prej Zjarri.” [1]

 

Kurse në një transmetim tjetër qëndron:

 

مَنْ قَالَ فِي الْقُرْآنِ بِرَأْيِهِ فَأَصَابَ فَقَدْ أَخْطَأَ

“Ai që e komenton Kuranin sipas mendimit të tij dhe ia qëllon, ka gabuar.” [2]

 

 

 

Fundnotat:

[1] Transmeton Ibën Xherir et-Taberij (1/77), Tirmidhiu (nr. 2951), Nesaiu  në “Fadailul Kuran” (nr. 109, 110).

[2] (Shënim i përkthyesit): hadithi transmetohet në “Sunen Ebi Daud,” (nr. 3652), ndërsa Shejkh Albani e ka shpallur të dobët (da’if) në “Sahih ue Da’if Sunen Ebi Daud” (nr. 3652). Po ashtu e ka transmetuar Tirmidhiu (nr. 2952), ndërsa Shejkh Albani e ka shpallur të dobët në “Sahih ue Da’if Sunen ibn Maxheh,” (nr. 3136).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari