Autor: Hamud bin Abdullah et-Tuejxhri (1413 h.)
Burimi: Mexhmu’mu Muel-lefat ue Rasail el-Al-lameh et-Tuejxhrij, vëll. 3, fq. 493
Ta quash tokën “trup qiellor” është gabim dhe devijim. Ata që e quajtën tokën “trup qiellor” janë po ata që deklarojnë se toka lëviz ashtu siç lëvizin trupat qiellorë dhe se toka rrotullohet përreth diellit, e këta janë ithtarët e astronomisë moderne nga perëndimi dhe të paditurit nga mesi i Muslimanëve që ndjekin rrugën e tyre.
Ta quash tokën “trup qiellor” kjo bie në kundërshtim me atë që Allahu e ka quajtur tokën në Librin e Tij; bie ndesh me atë që e ka quajtur i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem; bie ndesh me atë që e kanë quajtur Muslimanët, përveç mendjelehtëve të cilët ndjekin ithtarët e astronomisë moderne.
Ta quash tokën “trup qiellor” nga kjo fjalë domosdoshmërisht kuptohet se toka na qenka pjesë e zbukurimit me të cilën Allahu e ka zbukuruar qiellin e dunjasë dhe e ka bërë atë gjuajtës kundër shejtanëve, sepse Allahu i Lartësuar thotë në Librin e Tij të fuqishëm:
إِنَّا زَيَّنَّا السَّمَاءَ الدُّنْيَا بِزِينَةٍ الْكَوَاكِبِ ﴿٦﴾ وَحِفْظًا مِّن كُلِّ شَيْطَانٍ مَّارِدٍ
“Ne e kemi zbukuruar qiellin e dunjasë duke e stolisur atë me yje; dhe e kemi ruajtur atë nga çdo shejtan rebel.” Es-Saffat, 6-7
I Lartësuari ka thënë:
وَلَقَدْ زَيَّنَّا السَّمَاءَ الدُّنْيَا بِمَصَابِيحَ وَجَعَلْنَاهَا رُجُومًا لِّلشَّيَاطِينِ
“Ne e kemi zbukuruar qiellin e dunjasë me kandila dhe i kemi bërë ato gjuajtës kundër shejtanëve.” El-Mulk, 5
Thotë i Lartësuari:
وَزَيَّنَّا السَّمَاءَ الدُّنْيَا بِمَصَابِيحَ وَحِفْظًا ذَٰلِكَ تَقْدِيرُ الْعَزِيزِ الْعَلِيمِ
“...Ne e kemi zbukuruar qiellin e dunjasë me kandila (yje) dhe e kemi bërë atë mbrojtës. Ky është caktimi i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.” Fusilet, 12
Është vërtetuar nga Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, se ka thënë:
بين السماء والأرض مسيرة خمسمائة سنة
“Midis qiellit dhe tokës ka pesëqind vite largësi.” [1]
I kemi përmendur më përpara këto hadithe.
Përderisa ekziston kjo distancë shumë e madhe midis qiellit dhe tokës, atëherë si mund të thuhet se toka na qenka një trup qiellor në mesin e shumë trupave të tjerë qiellorë dhe të njëjtën kohë Allahu e paska bërë tokën zbukurim për qiellin e dunjasë?!
Kjo është e pavërteta më e madhe dhe nuk e thotë këtë gjë ai që ka sadopak logjikë. Po ashtu, Allahu i Lartësuar na ka lajmëruar në Librin e Tij të fuqishëm se e ka bërë tokën shtrat kurse qiellin ndërtim sipër saj. Në një ajet tjetër ka treguar se e ka bërë qiellin kulm mbrojtës.
Allahu i Lartësuar ka thënë në një ajet tjetër:
وَالسَّقْفِ الْمَرْفُوعِ
“Betohem në kulmin e ngritur lart (qiellin)!” et-Tur, 5
Kurani me këtë argumenton se toka është pjesa e poshtme e ndërtimit kurse qielli është kulmi i këtij ndërtimi.
Atëherë, përderisa një gjë ka themele të ndërtimit dhe ka pjesë të poshtme, si mund të thuhet se toka është trup qiellor që bën pjesë në grupin e zbukurimit dhe paska kulmin e ngritur?! Këtë marrëzi nuk e thotë ai që e di se çfarë po flet.
Er-Ragib el-Asbahanij ka thënë: “Toka është një trup përballë qiellit dhe ajo pasqyron pjesën më të ulët, siç pasqyron qielli pjesën më të lartë.” [2]
Ebu el-Ferexh Ibën el-Xheuzij në tefsirin e tij ka thënë: “Toka është quajtur “tokë - el-erd” për shkak të gjerësisë së madhe të saj. Po ashtu, është thënë: “Është quajtur “tokë,” për shkak se ajo ka zbritje prej qielli. Çdo gjë që është poshtë quhet tokë dhe qielli është quajtur “qiell es-semaa” për shkak të lartësisë.” [3]
Kurtubiu në tefsirin e tij ka thënë: “Qielli për tokën është sikur kulmi për ndërtesën. Prandaj, i Lartësuari ka thënë, e fjala e Tij është e vërtetë:
وَجَعَلْنَا السَّمَاءَ سَقْفًا مَّحْفُوظًا
“Ne e kemi bërë qiellin kulm të mbrojtur.” El-Enbija, 32
Çdo gjë që lartësohet dhe ngrihet lart, thuhet se është qiell.” [4]
Po ashtu është thënë: qiell quhet ajo që është lart, kurse tokë ajo që është poshtë.
El-Xheuherij dhe të tjerët, të cilët konsiderohen linguistët e shquar të gjuhës arabe, kanë thënë: “Çdo gjë që është poshtë quhet tokë.”
Ibën Xherir et-Taberij në tefsirin e tij transmeton përmes es-Suddijji, nga Ebi Malik, nga Ebu Salih, nga Ibën Abbasi, nga Ebu Murrah, nga Ibën Mesudi, nga disa njerëz që ishin nga Sahabët e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se për ajetin:
وَالسَّمَاءَ بِنَاءً
“...dhe qiellin e bëri ndërtim (kulm)...” Gafir, 64
Kanë thënë: ndërtimi i qiellit i ka themelet në tokë si forma e një kubeje dhe kjo kube është kulm për tokën.” [5]
Përderisa toka është poshtë dhe qielli është sipër tokës si kulm sipër saj, atëherë nuk mund njeriu të thotë se “Toka është një trup qiellor në mesin e shumë trupave tjerë qiellorë të cilët krejt bashkë janë bërë zbukurim për qiellin,” përveç atij që është më i padituri i njerëzve.
Pas shkoqitjes së kësaj çështjeje, kam hasur në disa fjalë të Shejkh Muhamed Jusuf el-Kafij et-Tunisij, i cili i refuzon ata që pretendojnë se toka është trup qiellor në mesin e shumë trupave të tjerë qiellorë të cilët rrotullohen rreth diellit. Kështu që, e pashë të udhës që t’i sjell këtu për shkak se këto fjalë nxjerrin në pah të vërtetën dhe asgjësojnë të pavërtetën.
Shejkh Muhamed Jusuf el-Kafij et-Tunisij thotë në librin e tij “el-Mesail el-Kafijeh fi Bejan Uxhub Sidk Khaber Rabbil-Berijjeh,” i cili thotë tekstualisht: “Çështja e 29-të: në pjesën që është përmendur, pra në pjesën e 14-të nga koleksioni i revistës “el-Menar”, në faqen 578: “Disa nga përkrahësit e Muhamed Abduh bashkë me Shejkh Rashid Rida kanë thënë: “Kjo tokë në të cilën jetojmë ne, është një trup qiellor në mesin e shumë trupave të tjerë qiellorë të cilët rrotullohen rreth diellit dhe këta quhen trupa që lëvizin vazhdimisht.”
Shejkh el-Kafij e refuzon këtë fjalë dhe thotë:
“Ai që thotë ‘Ajo (toka) është një trup qiellor’ ka gënjyer dhe ka shpifur për Allahun e Lartësuar, sepse Allahu i Lartësuar i Cili e ka krijuar atë, e ka quajtur tokë, kurse trup qiellor është ylli dhe vendi i tij është lart; një nga cilësitë e trupit qiellor është vezullimi dhe shkëlqimi, si dhe dalja dhe zhdukja, kurse e kundërta është me tokën.
Fjala e tij “... është një nga trupat qiellorë që rrotullohen rreth diellit” është fjalë e ndaluar që të thuhet, sepse siç kemi thënë më përpara se toka është e palëvizshme dhe nuk është e lëvizshme. Andaj kthehu te kjo që kemi thënë dhe lexoje po deshe.”
___________________________
[1] E kanë nxjerrë Begauiju në tefsirin e tij (8/210), Ahmedi në Musnedin e tij (1/206) (1770), Ebu Daudi (4723) dhe Ibën Maxhe (193).
[2] Mufredatu Garib el-Kuran, fq. 16.
[3] Zadul-Mujesser (1/48).
[4] Tefsirul-Kurtubij, (1/229).
[5] Tefsiru Taberij, 1/367
Përktheu: Jeton Shasivari