Bismilah...

Autor: Shejkh Hamud bin Abdullah et-Tuejxhrij (1413 h.)

Burimi: el-Mexhmu’atu eth-Thaalitheh, fq. 231-232

 

Shejkh Abdur-Rahman bin Faris bin Abdul-Aziz el-Faris, i cili është nga banorët e qytetit të Rijadit, na ka treguar një histori duke na thënë:

“Në vitin 1359 h. (1940 g.) në luginën Hanifeh, ndodhi një vërshim i madh i ujërave si pasojë e reshjeve të shiut dhe uji e gërreu anën e varrezave të Sahabëve të cilët u vranë në ditën (betejën) e Jemames në vitin 11 hixhrij. Kështu, u hap një vrimë në njërin varr afër shtratit të lumit dhe u zbulua trupi i këtij të vdekuri në këtë varr.

Kur më lajmëruan për këtë rast, unë isha në zonën e Xhubeljes. Kështu, unë u nisa me ngut dhe kur mbërrita aty pashë se vendi i varrit ishte lart në anën e shtratit të lumit dhe nuk mund të ngjiteshe lart vetëm se me shkallë. Unë mora ca drunj, i vura anësh varrit dhe u ngjita lart. Aty e pashë të vdekurin në këtë varr dhe ai nuk kishte ndryshuar aspak, sikur të ishte i fjetur. Ai ishte i qefinosur me një mantel të bardhë dhe ky mantel ishte i lidhur me gjethe të hurmës. Atij i dukej fytyra, sytë, dhëmbët, këmbët dhe i kishte dalë jashtë njëri nga gërshetat e tij që ishte i gjatë sa një parakrah dhe ky gërshet kishte dalë jashtë varrit.

Unë ia ngrita gërshetin dhe e futa në qefin. E vendosa dorën time mbi fytyrën e tij dhe më dukej sikur po e vendosja dorën mbi të fjeturin. Ai kishte fytyrë të bardhë paksa në të kuqe; aq sa i dukej mjekra, ai ishte i thinjur dhe sytë i kishte paksa të hapur. Gjethet e hurmës që ishin përdorur për të lidhur mantelin, ishin akoma të blerta vetëm se ishin të thata. Kur morën vesh banorët e Xhubejles dhe ata që ishin përreth këtij qyteti, filluan të vinin te ky varr dhe ta shikonin atë.

Imami i banorëve të Xhubejles dhe kryetari i Komitetit për Urdhërimin për të Mirë që ishte në qytetin e Xhubejles, shkuan te Shejkh Muhamed bin Ibrahim Alu Shejkh dhe e lajmëruan për këtë rast. Ai i urdhëroi ata që të merrnin me vete disa njerëz dhe një varrmihës dhe ta sillnin të vdekurin tek ai, pastaj të hapnin një varr natën midis varrezave dhe të mos tregonin saktësisht se ku është varrosur ai, me qëllim që njerëzit të mos bien në fitne. Kështu, ata e çuan në vend këtë urdhër.”

Pa dyshim se ky i vdekur është nga dëshmorët që janë vrarë në betejën që u zhvillua midis Sahabëve dhe ndjekësve të Musejlime el-Kedhabit. Ka mundësi që ky i vdekur të ketë qenë nga Sahabët, radijAllahu anhu, sepse ky vend i cili kishte varre, njerëzit e dinin se është vend i varreve të Sahabëve. Gjithashtu, ka mundësi që të ketë qenë nga ata që kanë luftuar përkrah Sahabëve dhe të mos ketë qenë nga Sahabët, kurse mundësia e parë është më afër të vërtetës. Allahu e di më së miri.

Që nga beteja e Jemames e deri te zbulimi i këtij të vdekuri, kanë kaluar 1348 vite. Megjithëkëtë periudhë të gjatë kohore, ky dëshmor kishte mbetur në atë gjendje dhe nuk kishte ndryshuar asgjë e tij; qefini i tij nuk kishte ndryshuar e as gjethet e hurmës me të cilat ishte lidhur qefini. Kjo ngjarje shërben si mësim për ata që kuptojnë dhe që kanë logjikë të shëndoshë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari