Bismilah...

Autor: Muhamed Nasiru-Din el-Albanij

Burimi i fetvasë së parë: kaseta me numër 850, nga seria me titull Silsiletul-Huda uen-Nur

Burimi i fetvasë së dytë: kaseta me titull “el-Mu`uazaneh bid’atul-asr”

 

 

Fetvaja e parë

 

Pyetësi: Në realitet o Shejkhu ynë, ata vëllezërit tanë apo të rinjtë tanë, kanë mbledhur gjëra të shumta, mes të cilave është fjala e tyre se: “Ai që do të kritikojë një njeri bidatçi që e ka shfaqur haptazi bidatin e tij dhe luftën e tij kundër Sunetit, apo edhe nëse nuk është i tillë, porse ka gabuar në çështje që lidhen me menhexhin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, pra askush nuk duhet të flasë kundër tij përveçse duke përmendur edhe anët e tjera të mira që ka ai.” Ata e quajnë këtë parimi i muuazanatit, parimi i balancimit midis të mirave dhe të këqijave, madje janë shkruar libra dhe broshura për këtë temë, nga disa prej atyre që janë të këtij mendimi, pra që duhet patjetër të ndiqet menhexhi i të parëve në kritikë dhe duhet patjetër që të përmenden të mirat dhe të përmenden të këqijat. A është ky parim absolut, apo ka tema ku nuk përdoret kjo gjë? Kërkojmë nga ju – Allahu ju begatoftë – sqarim të detajuar për këtë çështje.

 

Shejkh Albani: Sqarimi i detajuar është: se çdo e mirë është në pasimin e Selefëve. A e kanë bërë këtë gjë Selefët?

 

Pyetësi: Ata argumenton o Shejkhu ynë – Allahu ju ruajttë! – me disa raste, siç është fjala e imamëve për shijat, për shembull: “Filani është i thikah (i besueshëm) në hadith, mirëpo ai është rrafidij i fëlliqtë.” Ata justifikohen me disa nga këto raste, mbi të cilat duan të bazojnë plotësisht atë parimin, pa marrë parasysh me mijëra tekste të tjera ku thuhet “gënjeshtar”, “i braktisur”, “i fëlliqtë”.

 

Shejkh Albani: Kjo është rruga e bidatçijve. Kur flet dijetari i hadithit për një njeri të devotshëm apo për një dijetar apo për një fekih, dhe thotë për të se ai ka memorie të keqe, a duhet të thotë edhe që ai është musliman, është i devotshëm, është fekih, se duhet të kthehesh tek ai që të nxjerrë dispozitat sheriatike… Allahu Ekber! Në të vërtetë, parimi që kaloi është tejet i rëndësishëm. Ai përmbledh degëzime të shumta, sidomos në këtë kohë. Ku e kanë gjetur ata që njeriu kur t’i jepet rasti për të sqaruar gabimin e një muslimani, qoftë ai davetçi apo jo, duhet patjetër që të bëjë një ligjëratë dhe të përmendë të mirat e tij që nga fillimi e deri në fund? Allahu Ekber! Kjo është diçka e çuditshme, pasha Allahun! Është diçka e çuditshme!

 

Pyetësi: Disa raste me të cilat argumentohen ata, për shembull nga fjalët që ka thënë Dhehebiu në librin “Sijer E’alam en-Nubelaa`” apo në libra të tjerë, i marrin si parime, që njeriu ka dobi për të cilat kanë nevojë muslimanët, siç është hadithi për shembull.

 

Shejkh Albani: Ky është disiplinim o profesor, nuk është çështja e refuzimit të së keqes apo urdhërimit të së mirës. Domethënë kur i Dërguari thotë: “Kush shikon nga ju një të keqe le ta ndryshojë atë…” a duhet t’ia refuzosh të keqen atij që po e bën atë, e pastaj të fillosh të përmendësh të mirat e tij?

 

Pyetësi: Apo kur ai thotë: “Sa folës i keq që je ti, mirëpo ti ke bërë kështu e kështu.”

 

Shejkh Albani: Allahu Ekber! Allahu Ekber!

 

Pyetësi: E prej gjërave të çuditshme rreth kësaj, është fjala që thonë, se kur Zoti i Gjithëfuqishëm dhe i Lartë përmendi alkoolin, ai përmendi edhe dobitë e tij.

 

Shejkh Albani: Allahu Ekber! Ata ndjekin ajetet që nuk janë plotësisht të qarta, duke dashur që të bëjnë fitne dhe interpretime. SubhanAllah! Unë po shoh që ata paskan gjëra të cilat ne nuk i kemi.

 

 

Fetvaja e dytë:

 

“Për sa i përket temës që diskutohet sot në arenat e debateve midis shumë individëve, rreth asaj që quhet… apo rreth këtij bidati të ri që quhet “el-mu`uazaneh” (balancimi mes të mirave dhe të këqijave) kur kritikon njerëzit, unë them se: kritika ose duhet të jetë në biografinë e personit që po kritikohet, pra në biografinë e tij historike, dhe këtu patjetër që duhet të përmenden gjërat që i pëlqen dhe i urren në biografinë e personit, të mirat dhe të këqijat e tij. Ama nëse me biografinë e personit është për qëllim që të paralajmërohen muslimanët, sidomos njerëzit e thjeshtë që nuk kanë dije rreth gjendjes së personave, vlerave dhe të metave të tyre, madje dikush mund të ketë famë të mirë dhe të pranuar tek njerëzit e thjeshtë, të cilët nuk dinë asgjë rreth atij njeriu… e në këtë rast s’duhet të kalosh te ky bidat i cili është quajtur sot me fjalën “el-mu`uazaneh”. Sepse ajo që kërkohet në këtë rast është këshilla (për t’u ruajtur nga ai) dhe jo biografia e plotë e tij.

 

Kush e ka studiuar Sunetin dhe Siran Profetike, nuk dyshon në kotësinë e përdorimit të pakufizuar të këtij parimi të shpikur sot, që është “el-mu`uazeneh”, sepse gjejmë me dhjetëra tekste nga hadithet e të Dërguarit – ‘alejhis-salatu ues-selam – ku ai përmend të këqijat që lidhen me personin, në varësi të rastit kur kërkohet këshilla dhe nuk kërkohet paraqitja e biografisë së plotë të personit, për të cilin kërkohet që njerëzit të ruhen nga ai. Hadithet për këtë janë të shumta që të mbahen mend për t’u përmendur në këtë kohë të shkurtër, mirëpo s’ka problem që të përmendim një shembull apo më shumë, nëse na bëhet e lehtë. Ka ardhur në Sahihun e Bukharit: se një burrë kërkoi leje që të hynte te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem – dhe ai tha:

ائْذِنُوا لَهُ، بِئْسَ أَخُو الْعَشِيرَةِ هُو

“Lejoheni që të hyjë, sa vëllai keq është ai në fisin e tij!”

Kur hyri ai njeriu, i Dërguari – ‘alejhis-selam i foli atij me të butë e me buzëqeshje,  por kur doli, ‘Aishah tha: “O i Dërguari i Allahut, kur ai kërkoi leje që të hynte, ti the: “Lejoheni, sa vëlla i keq është ai në fisin e tij.” Por kur fole me të, ti i fole atij me të butë e me buzëqeshje.” Atëherë ai tha:

يا عائشةَ، إنَّ شرَّ الناسِ عِنْدَ اللهِ يَوْمَ القيامةِ من يَتَّقِيهِم الناسُ مَخَافَةً شَرِهِ.

“O ‘Aisheh, njerëzit më të këqij tek Allahu, Ditën e Kijametit, do të jenë ata nga të cilët ruhen njerëzit, ngaqë kanë frikë nga sherri i tyre.”

 

Pejgamberi ynë – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem – nuk e zbatoi këtë bidat të ri modern mbi këtë person, sepse nuk ishte vendi për t’i bërë biografinë atij, porse ishte vend që kërkohej paralajmërim dhe prezantim për këtë njeri, në mënyrë që njerëzit të ruheshin nga ai. Është një tjetër shembull i njëjtë me këtë, por ndoshta më i butë dhe më i nevojshëm për këtë temë, sepse për atë njeriun që e kritikoi Pejgamberi – ‘alejhis-selam – me fjalën e tij: “Sa vëlla i keq në fisin e tij!”, komentuesit e hadithit thonë se ai ishte prej munafikëve, dhe se i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem – e mirëpriti atë, me qëllim që ai – ‘alejhis-selam – t’i ruante pasuesit e tij besimtarë nga sherri i tij. Mirëpo ky shembulli tjetër që vijon është më i nevojshëm për këtë temë, sepse ai lidhet me një grua muslimane, e cila erdhi te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem – dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, më ka kërkuar për martesë Ebu Xhehmi dhe Mu’auija…”

Dihet që të dy burrat ishin prej Sahabëve të të Dërguarit – ‘alejhis-salatu ues-selam –, kurse gruaja që pyeti u kërkua njëkohësisht nga të dy ata… Atëherë tha Pejgamberi – ‘alejhis-salatu ues-selam –:

أمَّا معاوية فرجل صعلوك، وأما أبو جهم فلا يضع العصا عن عاتقه.

“Sa i përket Mu’auijes, ai është trokë, ndërsa Ebu Xhehmi nuk e heq shkopin nga supi i tij.”

 

Ky është qortim. Kjo është kritikë dhe kaq. Ai nuk përmendi të mirat që ka secili nga ata dy burrat. Përse? Sepse gruaja erdhi për t’u këshilluar me të Dërguarin – ‘alejhis-selam – se cilin prej tyre të pranonte për martesë. Kurse ai – ‘alejhis-selam – i përmendi asaj ato gjëra, sepse ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem – e dinte çfarë kërkojnë zakonisht femrat, nga natyra e tyre, te burrat. E nëse burri është i varfër e s’ka pozitë mes njerëzve, atëherë gratë nuk duan që të martohen me një burrë të tillë. E njëjta gjë nëse burri i rreh gratë apo udhëton shumë. Të dyja këto përshkrime janë dhënë nga komentuesit e hadithit si shpjegim apo si sqarim për këtë fjalë, kur tha i Dërguari – ‘alejhis-selam –:

وأما أبو جهم فلا يضع العصا عن عاتقه

ndërsa Ebu Xhehmi është burrë që nuk e heq shkopin nga supi i tij.”

 

Pra, kjo është metaforë që nënkupton se ai udhëton shumë apo se ai sapo shikon një gabim te gruaja, nxiton që ta godasë atë… I kanë thënë të dyja këto shpjegime, porse më e sakta është që ai i rrihte gratë. E rëndësishme është që i Dërguari – ‘alejhis-selam – përmendi mangësi për këta dy burrat dhe nuk përmendi virtytet e tyre, se ata besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se ata i binden Allahut dhe të Dërguarit të tij etj…

 

Për këtë temë mund të flasim sa të duash. Prandaj kur folën dijetarët për ajetet dhe hadithet që erdhën për ndalimin e gibetit, ata e panë se duhet patjetër që të sqarojnë, si këshillë e sinqertë për Umetin, se jo çdo gibet është haram. Këtë lloj gibeti (që nuk është haram) e ka përmbledhur njëri prej dijetarëve elokuentë në dy vargje poetike, ku ai thotë:

“Kritika nuk është gibet në gjashtë raste: për atë që i kanë bërë padrejtësi, për atë që përshkruan dikë, për ata që paralajmëron kundër dikujt, për atë që bën gjynahe haptazi, për atë që kërkon fetva, dhe për atë që kërkon ndihmë që të heqë të keqen.”

 

Hadithi që i shpjegon këto gjashtë veçoritë e përmendura te këto vargje poetike, është hadith i gjatë, mirëpo e rëndësishme është ajo që lidhet me këtë pyetjen. Prandaj unë them në përfundim të përgjigjes: në të vërtetë ata që e kanë shpikur këtë bidatin “el-mu`uazanat”, padyshim që ata e kundërshtojnë Kur’anin dhe e kundërshtojnë Sunetin – Sunetin në fjalë dhe vepra –, si dhe kundërshtojnë menhexhin e Selefëve të devotshëm. Për shkak të këtij menhexhi ne menduam se për të kuptuar drejt Librin e Zotit tonë dhe Sunetin e Pejgamberit tonë – sal-lAllahu ‘alejhi ue Aalihi ue sel-lem –, ne duhet t’u kthehemi Selefëve të devotshëm. Përse? Nuk besoj se ka mospajtim mes muslimanëve që ata janë më të devotshëm, më të ruajtur dhe më të ditur dhe… dhe… dhe…e deri në fund, sesa ata që erdhën mbas tyre.

 

Prej argumenteve që ka përmendur Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – në Kur’anin Fisnik për veçorinë e parë (për gibetin e lejuar), që është për personin të cilit i është bërë padrejtësi, është ajeti:

لاّ يُحِبُّ اللّهُ الْجَهْرَ بِالسُّوَءِ مِنَ الْقَوْلِ إِلاَّ مَن ظُلِمَ

“Allahu nuk do që fjalët e këqija të thuhen haptazi, me përjashtim të atij që i është bërë padrejtësi.” [en-Nisaa`, 148]

 

Nëse personi të cilit i është bërë padrejtësi thotë se filani më ka bërë padrejtësi, a duhet t’i thuhet atij: “O vëlla, përmendi edhe gjërat e mira që ka ai!” Pasha Allahun, ky është një devijim modern është prej gjërave më të çuditshme që hidhen në fushën (e davetit) në kohën e sotme. Unë besoj se ajo që i shtyu ata të rinj që të shpikin këtë risi dhe që ta ndjekin këtë bidat është dashuria që kanë për t’u dukur. Më përpara thoshin: “Dashuria për t’u dukur ta thyen shpinën.” Se përndryshe, ai që e studion Kur’anin, studionin Sunetin dhe jetëshkrimin e Selefëve të devotshëm dhe librat e Xherrhit dhe Ta’dilit, shikon se kur shkruhet për gjendjen e një personi, thuhet për të se ai ishte “i dobët” “gënjeshtar i madh”, “shpikës hadithesh”, “ka memorie të keqe”. Mirëpo nëse i kthehesh biografisë së tij, siç e përmenda unë në fillim të përgjigjes sime, do të gjesh se personi ishte njeri që bënte shumë ibadet, ishte zahid, i devotshëm, e ndoshta do të gjesh se ai ka qenë njëri prej shtatë dijetarëve të mëdhenj të fik`hut. Mirëpo tema tani nuk është te biografia e këtij njeriu, sepse biografia përfshin të gjithë virtytet dhe të metat e tij, siç e përmendëm në fillim. Prandaj shkurtimisht unë them – e ndoshta kjo fjalë është fjala mesatare për këto debate që po ndodhi midis të dyja palëve – se: “Duhet bërë dallim kur duam të bëjmë biografinë e një njeriu, dhe aty përmendim të mirat dhe të këqijat e tij, ama kur duam të këshillojmë Umetin apo në rastin kur duhet përmbledhje dhe paraqitje e shkurtër, ne përmendim atë që kërkohen në atë rast, duke shpallur bidatçi apo të devijuar apo ndoshta edhe duke bërë tekfir, po ashtu, nëse plotësohen të gjitha kushtet e tekfirit mbi atë njeri. Kjo është ajo që besoj unë se është haku, për të cilin po kundërshtohen sot ata të rinj.”

 

Dhe shkurtimisht unë them se: me të vërtetë që ai i cili e mban flamurin e Xherhit dhe Ta’dilit sot, në kohën e tashme, dhe me hak, është vëllai ynë, Doktor Rabij’ (el-Medkhalij). Kurse ata që e refuzojnë atë, nuk e refuzojnë me dituri, kurrë. Përkundrazi, dituria është me të. Edhe pse unë e them gjithmonë, madje ia kam thënë edhe atij këto fjalë disa herë në telefon, se nëse ai përdor një qasje më të butë, kjo do të jetë më e dobishme për masat e njerëzve, qofshin ata me të apo kundër atij. Ama nga ana e diturisë, s’ka vend ku të kritikohet ky njeri, absolutisht, përveç asaj që përmenda më përpara, që ai ka njëfarë ashpërsie në qasjen e tij. Ama të thuhet që ai nuk bën balancim midis të mirave dhe të këqijave (të personave që ai i kritikon), kjo është fjalë shumë e ultë, të cilën e thonë veçse dy persona: ose nga një person xhahil, i cili duhet të mësohet, ose nga një person inatçi. Këtij ne s’kemi çfarë t’i bëjmë, veçse t’i lutemi Allahut që ta udhëzojë në Udhën e Drejtë.

Kjo është përgjigjja për pyetjen.

 

Me kaq mjafton. Dhe të gjitha lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë.

 

Kliko këtu për ta parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj