Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Aziz bin ‘Abdullah bin Baz

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneu’iah, 20/286

 

 

Pyetësi: Nëse djali marton një vajzë duke menduar se ajo është virgjëreshë, dhe pasi që ka hyrë tek ajo, nuk e ka gjetur atë të virgjër. Si të veprojë ai?

 

Përgjigje: Humbja e virgjërisë ndodh për disa arsye. Ka mundësi që ta ketë humbur virgjërinë për shkaqe të tjera, e jo për shkak të zinasë (imoralitetit). Kështu që, është obligim që të kemi mendim të mirë për të, nëse kjo vajzë nga ana e jashtme, shfaq mirësi dhe qëndrueshmëri në fe. Andaj, është detyrë që të kemi mendim të mirë për këtë. Ose mundet që ajo të ketë bërë punë të këqija, pastaj është penduar, ka shprehur keqardhje dhe ka shfaqur mirësi.

 

Ka mundësi që ta ketë humbur virgjërinë për shkak të menstruacioneve të tepërta, ngaqë menstruacionet e tepërta e prishin virgjërinë, siç e kanë përmendur këtë disa dijetarë. Ndonjëherë, virgjëria humbet nga kërcimet; nëse ajo kërcen nga një vend në tjetrin; apo nëse zbret nga një vend i lart në një vend më të ulët, kjo mund të ndikojë në humbjen e virgjërisë.

 

Andaj, nuk është patjetër që virgjëria të humbet për shkak të zinasë. Jo! Nëse vajza pohon se nuk e ka humbur virgjërinë për shkak të imoralitetit, atëherë nuk ka problem te kjo gjë për atë (burrin). Ose ta ketë humbur për shkak të imoralitetit, porse vajza ka treguar se ka qenë e rrëmbyer apo e detyruar, po ashtu edhe kjo nuk e dëmton burrin, nëse ajo tregon që i ka kaluar një periodë menstruacionesh pas asaj që i ka ndodhur.

 

Ose ka treguar se ajo është penduar dhe ka shprehur keqardhje dhe se atë e ka bërë kur ka qenë mendjelehte dhe e paditur, pastaj është kthyer dhe është penduar, atëherë kjo nuk e dëmton burrin dhe ai nuk duhet ta përhap këtë. Përkundrazi, duhet që t’ia mbulojë këtë gjë. Nëse ai anon më shumë nga mendimi se ajo është besnike dhe e vërtetë dhe është e qëndrueshme në fe, e mban atë, përndryshe e ndan atë, por duke ia mbuluar atë që ka bërë dhe të mos e tregojë atë që shkakton huti (fitne) dhe sherr.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari