Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz
Burimi: Mexhmuë Fetaua ue Mekalat Muteneuui’ah, vëll.24/fq258-259 [1]
Pyetje: Kërkoj nga hirësia juaj shpjegimin e Fjalës së Allahut të Lartësuar:
اللَّهُ نُورُ السَّمَاوَاتِ وَالأرْضِ
“Allahu është Drita e qiejve dhe tokës…” [en-Nuur, 35]
Përgjigje: Kuptimi i ajetit fisnik sipas dijetarëve është: që Allahu i Pastër nga çdo e metë është Ai që u jep dritë atyre (qiejve dhe tokës). Pra, e gjithë drita që është në qiej e në tokë dhe në Ditën e Kijametit është nga Drita e Atij që është i Përsosur nga çdo e metë.
Drita është dy llojëshe:
Drita e krijuar, e cila gjendet në dunja, në Akhiret, në Xhenet, si dhe mes njerëzve tani, siç është drita e Hënës, Diellit dhe Yjeve. Po ashtu është edhe drita e rrymës elektrike dhe e zjarrit, që të gjitha të krijuara. Pra, ajo është prej krijesave të Allahut – SubhaneHu ue Te’ala.
Kurse drita e dytë, është drita e cila nuk është e krijuar, porse është prej Cilësive të Allahut – SubhaneHu ue Te’ala. Allahu i Pastër nga çdo e metë dhe i Lavdishëm me të gjitha Cilësitë e Tij, është Krijuesi (i gjithçkaje), kurse çdo gjë tjetër pos Atij është e krijuar. Pra, Drita e Fytyrës së Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – dhe Drita e Vetes së Tij – SubhaneHu ue Te’ala –, të dyja nuk janë të krijuara, porse janë prej Cilësive të Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa. Kjo është Drita Madhështore e Allahut të Pastër nga çdo e metë. Ajo nuk është e krijuar porse është prej Cilësive të Tij, siç është Dëgjimi i Tij, Shikimi i Tij, Dora e Tij, Këmba e Tij, si dhe të tjera prej Cilësive Madhështore të Allahut – SubhaneHu ue Te’ala. Ky është haku, të cilin e ka ndjekur Ehli Suneti dhe Xhemati.
Fundnotë:
[1] Përgjigje e dhënë nga hirësia e tij mbas ligjëratës që e mbajti në një prej xhamive të qytetit të Rrijadit, më 14/11/1416 hixhrij, me titull: “Detyra e Muslimanëve ndaj Fesë së tyre.”
Përktheu: Alban Malaj