Bismilah...

Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij (1307-1376 h.)

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, botimi “Daru Selam”, fq. 1170

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

﴿قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ ﴿١ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ ﴿٢ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ ﴿٣ وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ ﴿٤ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ ﴿٥

“Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të el-Felek-ut! Nga e keqja e asaj që ka krijuar! Dhe nga e keqja e errësirës së natës, kur ajo bie! Dhe nga e keqja e atyre që fryjnë në nyja! Dhe nga e keqja e ziliqarit kur ka zili!” el-Felek (1-5)    

Fjala e Tij:

﴿قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ ﴿١ 

“Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të el-Felek-ut!

Që do të thotë "Thuaj!" duke kërkuar mbrojtje. "...kërkoj mbrojtjen...", domethënë: unë kthehem, strehohem dhe i mbështetem. "...e Zotit të el-Felek-ut (mugullimit dhe agimit),", do të thotë: Ai që e bën të mugullojë farën dhe bërthamën dhe Ai që e bën që të “shpërthejë” agimi.

Fjala e Tij:

﴿ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ ﴿٢

“Nga e keqja e asaj që ka krijuar!”

Kjo përfshin çdo gjë që ka krijuar Allahu, duke u nisur nga njerëzit, xhinët dhe gjallesat. Prandaj kërkohet mbrojtje prej Krijuesit të tyre nga e keqja e cila gjendet te këto.

Fjala e Tij:

﴿ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ ﴿٣

“Dhe nga e keqja e errësirës së natës, kur ajo bie!”

Pasi e përgjithësoi të keqen (e çdo gjëje), e specifikoi atë të keqe, duke thënë: "Dhe nga e keqja e errësirës së natës, kur ajo bie!" d.m.th. prej një të keqeje që mund të vijë natën kur ajo i “mbulon” njerëzit, dhe gjatë natës shpërndahen shpirtrat e këqinj dhe gjallesat e dëmshme.

Fjala e Tij:

﴿ وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ ﴿٤

“Dhe nga e keqja e atyre që fryjnë në nyja!”

D.m.th. nga e keqja e magjistareve, të cilat kërkojnë ndihmë për magjinë e tyre përmes fryrjes nëpër nyja, të cilat i lidhin për të bërë magji.

Fjala e Tij:

﴿ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ ﴿٥

"Dhe nga e keqja e ziliqarit kur ka zili!”

Ziliqar është ai i cili dëshiron që t’i largohet begatia e një njeriu të cilin e ka zili, kështu ai përpiqet që t’ia largojë atë begati duke i bërë shkaqet e mundshme. Prandaj, njeriu ka nevojë që të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej të keqes së ziliqarit dhe të kërkojë mbrojtje për prishjen e kurthit të tij. Gjithashtu, te ziliqari bën pjesë edhe sykeqi (ai që të shikon me sy të keq), sepse ai që shikon me sy të keq, nuk e bën këtë gjë vetëm se një njeri i lig dhe shpirtfëlliqur.

Kjo Sure përfshin kërkimin e mbrojtjes nga të gjitha llojet e të keqes, qoftë e keqe e përgjithshme ose e veçantë. Po ashtu, kjo Sure tregon se magjia është realitet dhe ndodh me të vërtetë, dhe kihet frikë se ajo mund të të dëmtojë. Allahut i kërkohet ndihmë për t’u ruajtur prej magjisë dhe prej magjistarëve.

 

Përktheu: Servet Mata