Bismilah...

Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijeh

Burimi: Zadul-Me’ad fi Hedji Khajril-‘Ibad, vëll. 3, fq. 490, botimi i katër, Muessesetu-Risaleh.

(Ibën Kajjimi – rahimehullah – në librin e tij “Zadul-Me’ad” nxjerr dobitë që ngërthen në vete kthimi i Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam – nga beteja e Tebukut, sh.p.)

Njëra nga ato dobi është:

Uji që gjendet në puset e popullit të Themudit [1] (populli i Salihit – alejhi selam), nuk lejohet të pihet, të gatuhet me të, të zihet bukë dhe të pastrohesh me të. Lejohet që nga ky ujë t’u japësh të pinë kafshëve, me përjashtim që t’u jepet ujë nga “pusi i devesë” (është fjala për devenë që Allahu e solli në kohën e Salihit – alejhi selam – në mënyrë që populli i tij të besonte dhe ky është pusi prej së cilit pinte ujë kjo deve sh.p.).

Ky pus njihej dhe kishte mbijetuar deri në kohën e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Pastaj, brez pas brezi, deri në ditët tona, njerëzit e dinin se ku gjendej dhe cili ishte ky pus. Ata që udhëtojnë me kafshët e udhëtimit nuk transmetojnë se ka ndonjë pus tjetër pos këtij. Ai pus ka një ndërtim të shtrembër dhe të ngushtë, me sipërfaqe të gjerë. Vëren tek ai pus gjurmët e lashtësisë së tij, gjë që nuk u përngjan puseve tjera.

Dobia tjetër:

Ai që kalon pranë tokës së atyre që ka zbritur zemërimi i Allahut mbi ta (magdubi ‘alejhim) dhe atyre që janë dënuar, nuk i takon atij që të hyjë në atë tokë e as të banojë në të, përkundrazi ai duhet të nxitojë dhe të mbulohet më teshën (rrobën) e tij derisa ta kalojë atë vend dhe të mos hyjë në atë vend përveç se duke qarë dhe duke marrë mësim (për dënimin që u ka ndodhur atyre). Dhe shembull për këtë është nxitimi i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për ta kaluar luginën “Muhassir” që gjendet në mes Minas dhe Arafatit, ngase ai është vendi në të cilin Allahu i shkatërroi elefantët dhe njerëzit e tyre.

Fundonta:

[1] [Shënim i përkthyesit] Ky vend në të cilën u dënua populli i Salihit – alejhi selam – gjendet sot e kësaj dite në anën veri-lindore të Arabisë Saudite dhe njihet me emrin “Medainu Salih - qyteti i Salihit - مدائن صالح.” Në anglisht njihet si Madain Saleh.

Përktheu: Jeton Shasivari