Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Ibën ‘Umer Salim Bazmul

 

 

Çështja e pestë: Tërheqje e vëmendjes për synimin e realizimit të Teuhidit edhe në shprehje.  

 

Kjo çështje është tejet e rrezikshme. Muslimanët e kanë detyrë që ta realizojnë Teuhidin edhe në të folurën dhe fjalët e tyre të zakonshme. Disa njerëz e neglizhojnë këtë çështje, dhe me kalimin e kohës u ndodhin mangësi në Teuhid dhe Akide.

 

Prej fjalëve të këtilla që po thuhen sot, në këto kriza që po kalojmë, janë edhe fjalët që përsërisin njerëzit se “Amerika ka bërë kështu!” “Amerika i ka lënë kështu!” “Çifutët kanë bërë ashtu!” Sikur Amerika dhe Çifutët e kanë në dorë lëvizjen e universit dhe shkaktimin e ngjarjeve dhe se njerëzit në tokë janë nën diktatin e tyre. Këto fjalë nuk lejohen. Përse?

 

Sepse me fjalët që po thua në këtë mënyrë, ti sikur po i cilëson ata se në dorën e tyre është lëvizja e universit; sikur ti i cilëson ata se e kanë në dorë që të veprojnë çfarë të duan ata.

 

Këto janë fjalë të rrezikshme që qarkullojnë nëpër gazeta, fjalët dhe shprehjet tona. Aq sa disa njerëz e thonë me bindje: “Kurrsesi! Kjo është Amerika! Amerika do bëjë kështu e ashtu.” Ne nuk e mohojmë që Amerika është shtet zullumqar, agresor, që bën këtë e atë, është një shtet i cili është armik i Islamit dhe Muslimanëve në përgjithësi. Nuk e mohojmë këtë! A është e vërtetë apo jo!

 

Por ama ne mohojmë që fjalët tona për këtë Amerikën, të jenë sikur ajo ka nën pushtet çdo gjë; dhe se atë që do ajo, mund ta bëjë; atë që do ajo ta dërgojë, mund ta dërgojë; ajo ka pushtet te njerëzit, te vendet e ndryshme, në qeveritë e ndryshme, siç do ajo dhe me çfarë do ajo; ajo thur komplote dhe vepron. Dhe sikur nuk ka gjë që i del përpara Amerikës! Kjo është gabim. Me përsëritjen e këtyre fjalëve, kihet frikë se mund të ndodhë mangësi në Akide.

 

Unë kam frikë se ky është një lloj kufri, i cili përfshihet në fjalën e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në Hadithin Kudsij:

 

“Kush nga robërit e Mi thotë: “Na zbriti shiu për shkak të këtij ylli e atij ylli,” ai më ka mohuar Mua dhe u ka besuar yjeve, ndërsa ai që thotë: “Allahu na e lëshoi shi”, ai është besues tek Unë dhe mohues i besimit tek yjet.” [Bukhari (4147), Muslimi (71), Ebu Daudi (3906).]

 

Pastaj, i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

“Njeriu do të gdhihet si besimtar dhe do të ngryset si pabesimtar; do të ngryset si besimtar dhe do të gdhihet si pabesimtar; dhe do ta shesë fenë e tij për ndonjë gjë të kësaj dunjaje.” [Muslimi (118), Tirmidhiu (2185).]

 

Kam frikë se fjalë të këtilla që qarkullojnë në mesin tonë, sjellin këto vepra, sepse ashtu siç ndaloi i Dërguari që lëshimi i shiut t’i atribuohet yjeve dhe kometave, nga ana tjetër ne po ia atribuojmë shkaktimin e ngjarjeve në univers, gjendjen e Umetit, të popujve, dhe shteteve të tjera, dikujt tjetër pos Allahut – të Pastrit nga çdo e metë dhe të Lartësuarit. Fillimisht, ia atribuojmë dikujt tjetër me fjalë, pastaj me përsëritjen e atyre fjalëve, kjo kthehet në Akide (besim) të paluhatshme.

 

Jo! Është detyrë që të mësojmë me dije të sigurtë se Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – është Ai që e lëviz këtë univers ashtu siç do Ai. Askush nuk mund t’i bëjë dëm ndonjërit, përveç nëse këtë e dëshiron Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari. Po ashtu, askush nuk mund t’i bëjë dobi ndonjërit, përveç se me Vullnetin e Allahut – të Pastrit nga çdo të metë dhe të Lartësuarit.

 

Ashtu siç ka ardhur në hadithin e Ibën Abbasit – radijAllahu ‘anhuma –, ku thotë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

 

“Sikur të mblidhet i gjithë umeti në një vend të vetëm, njerëzit dhe xhinët, dhe të duan që të të bëjnë ndonjë dobi, nuk do të bëjnë ndonjë dobi përveç nëse e ka dashur Allahu atë për ty. Dhe sikur të mblidheshin në një vend të vetëm, dhe të duan që të bëjnë ty ndonjë dëm, nuk kanë për të dëmtuar me diçka përveç nëse e ka dashur Allahu atë gjë për ty. Janë ngritur lapsat dhe është tharë boja.”

 

Ç’është kjo puna jonë që flasim sikur shtetet e Evropës, shtetet e Perëndimit dhe Amerika kanë pushtet mbi të gjithë botën. Jo! Jo! Allahu është Ai që ka pushtet mbi çdo gjë.

 

وَاللَّـهُ غَالِبٌ عَلَى أَمْرِهِ

“...Allahu bën çfarë të dojë (askush nuk mund ta ndalojë atë që do Ai).” [Jusuf, 21]

 

وَلِلَّـهِ الْعِزَّةُ وَلِرَسُولِهِ وَلِلْمُؤْمِنِينَ

“...fuqia dhe ngadhënjimi i takon vetëm Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve...” [El-Munafikun, 63]

 

Ngadhënjimi na takon neve, fuqia na takon neve dhe palëkundshmëria na takon neve, porse me një kusht: që të përmbushim të drejtën e Allahut duke e adhuruar Atë me këtë besim; me kusht që ta kufizojmë Teuhidin vetëm tek Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari.

 

Pra, ndër dobitë e realizimit të Teuhidit është edhe kujdesi dhe ruajtja e fjalëve.

 

Ky nocion përsëritet në libër dhe ky kapitull është pjesë e tij. Madje, edhe në jetën tënde të përditshme fjalët “o robi im,” “o robëresha ime,” mos i thuaj! Porse thuaj “o djali im,” “o bijat e mia,” Veçoje Zotin tënd dhe mos thuaj kështu. Siç ka ardhur ndalesa për këtë nga i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Kështu që, patjetër duhet t’ia bëjmë zakon vetes ruajtjen e gjuhëve tona. Kur shkruajmë një artikull në një gazetë, revistë, dhe fillojmë e flasim për aktualitetin, të mos flasim sikur janë të tjerë ata që kanë në dorë çështjet e dunjasë dhe të njerëzve, se çfarë do jetë dhe çfarë nuk do jetë. Por, duhet patjetër të besojmë dhe t’i zgjedhim shprehjet tona në përputhje me atë që besojmë, se Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – është Ai që lëviz universin si të dojë Ai.

 

Për këtë arsye, disa dijetarë e kanë qortuar përdorimin e shpeshtë të fjalës: “Çifutët bëjnë kështu; Çifutët bëjnë komplote; Çifutët bëjnë këtë e atë.”

 

Ata thonë që ne e pranojmë se Çifutët janë armiqtë e Allahut, armiqtë e fesë (Islame), armiqtë e Muslimanëve, porse nuk është në rregull të flasësh në atë mënyrë sikur Çifutët e kanë në dorë këtë pushtet. Pse nuk e kthen çështjen tek mangësia jonë kundrejt Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit?

 

ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ

“Prishja në tokë dhe në det u shfaq si pasojë e veprave të këqija të njerëzve.” [Er-Rrum, 41]

 

Kjo që po na ndodh është për shkak të mangësive tona kundrejt Allahut – të Pastrit nga çdo te metë dhe të Lartësuarit.

 

[Ka thënë poeti:]

 

وَلَيْتَ الّذي بَيْني وَبَيْنَكَ عَامِرٌ, و بيني وبينَ العالمينَ خرابُ

“Ah sikur punën time me ty ta kisha të rregulluar,

Kurse puna ime me botën le të jetë e shkatërruar.”

 

Rregullojeni lidhjen mes jush dhe Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit –, në mënyrë që ta meritoni cilësimin si besimtarë, ta meritoni cilësimin si Muslimanë me Islamin dhe imanin e plotë. Kështu, Allahu do ta përmbushë për ju premtimin e dhënë.

 

Nga gjërat më të rëndësishme me të cilën ti e realizon këtë premtim, është realizimi i Teuhidit. Kurse një nga rrugët për të realizuar Teuhidin, është ruajtja e gjuhës nga fjalët e këtilla.

 

Dikush aplikon për një punë apo futet për të studiuar, e thotë: “Profesori më ngeli!” e nuk thotë se “unë nuk kam mësuar”. Nuk thotë “unë nuk i kam dhënë rëndësi përsëritjes dhe nuk e kam kryer përgjegjësinë që kam përsipër”. Nuk thotë: “unë kam vepruar keq këtu e këtu, kam humbur kohën këtu e këtu, jam dëfryer këtu e këtu...”

 

Jo nuk thotë kështu! Por thotë: “profesori më ngeli në provim, filan studenti kështu e kështu...” e ku ta di unë çfarë. Ai nuk i atribuon asgjë vetes së tij, se ai ka gabuar dhe është treguar i mangët. Kjo është gabim.

 

Ti kur ua atribuon ato gjëra njerëzve, sikur njerëzit kanë pushtet mbi çështjet dhe gjendjen tënde, por a nuk është kjo në Dorën e Allahut?

 

Kjo është në kundërshtim me realizimin e Teuhidit. Prandaj ne e kemi detyrë që të jemi të kujdesshëm te kjo çështje.

 

Kjo ishte ajo që kishte për qëllim autori që ka sjellë në këtë kapitull. Kjo është çështje që donte të theksonte në këtë kapitull:

 

Çështja e pestë: tërheqje e vëmendjes për synimin e realizimit të Teuhidit edhe në shprehje.  

 

Këtë e kemi përmendur më parë dhe kjo hyn te fjalët që janë të ndaluara në Sheriat.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari