Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 12

 

Emrat:

el-Khaalik (الْخَالِقُ) [Krijuesi],

el-Khalaak (الْخَلَّاقُ) [Krijuesi më i Mirë]

 

Emri i Allahut “el-Khaalik” ka ardhur në disa vënde në Kuranin Fisnik. Prej tyre është Fjala e të Lartësuarit:

﴿هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ 

“Ai është Allahu, Krijuesi (el-Khaalik), Ai që ka sjellë në ekzistencë gjithçka (el-Baari), Formëdhënësi (el-Musauir).” [el-Hashr, 24]

Ka ardhur gjithashtu në trajtën superlative “el-Khalaak” në dy vende në Kur`an, në Fjalën e Tij:

﴿إِنَّ رَبَّكَ هُوَ الْخَلَّاقُ

 “Me të vërtetë që Zoti yt është Krijuesi më i Mirë.” [el-Hixhr, 86]

Gjithashtu është Fjala e Tij:

﴿ بَلَى وَهُوَ الْخَلَّاقُ الْعَلِيمُ٨١

“Përkundrazi, Ai është Krijuesi më i Mirë, i Gjithëdijshmi.” [Jasin, 81]

Fjala krijim përdoret me dy kuptime:

I pari: krijimi i ndonjë gjëje dhe shpikja e saj pa pasur shembull të mëparshëm, në këtë kontekst ka ardhur fjala e të Lartësuarit:

﴿أَوَلَمْ يَرَوْا أَنَّا خَلَقْنَا لَهُمْ مِمَّا عَمِلَتْ أَيْدِينَا أَنْعَامًا فَهُمْ لَهَا مَالِكُونَ٧١

“A nuk po i shohin ata mirësitë që Ne i kemi krijuar me Duart Tona për ta, kurse ata janë pronarët e tyre.” [Jasin, 71]

I dyti: ka kuptimin e përgatitjes, këtë kuptim merr fjala e tyre, përgatiti bukën, domethënë e përgatiti atë, në këtë kontekst është edhe fjala e Allahut të lartësuar:

﴿ وَتَخْلُقُونَ إِفْكًا

“Dhe ju krijoni shpifje.” [el-Ankebut, 17]

Domethënë që ju e shpikni dhe e sajoni atë.

Pra, fjala krijim në cilësitë e njerëzve ka kuptimin e përgatitjes, ndërsa krijimi në kuptimin e shpikjes së diçkaje dhe krijimit të saj, pa shembull të mëparshëm, me këtë veçohet Zoti i botëve, sikurse thotë i Lartësuari:

﴿ هَلْ مِنْ خَالِقٍ غَيْرُ اللَّهِ

“A ka ndonjë krijues tjetër përveç Allahut?” [Fatir, 3]

Dhe thotë i Lartësuari:

﴿هَذَا خَلْقُ اللَّهِ فَأَرُونِي مَاذَا خَلَقَ الَّذِينَ مِنْ دُونِهِ  بَلِ الظَّالِمُونَ فِي ضَلَالٍ مُبِينٍ١١

“Ky është krijimi i Allahut, prandaj më tregoni ju mua çfarë kanë krijuar ata që ju i adhuroni në vend të Atij? Mirëpo zullumqarët janë në devijim të qartë.” [Lukman, 11]

Allahu nuk i ka krijuar kot dhe për dëfrim këto krijesa, i Pastër dhe i Lartësuar është Zoti nga kjo, porse Ai i krijoi ata që të adhurojnë Atë duke e veçuar me adhurim.

﴿أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لَا تُرْجَعُونَ١١٥ فَتَعَالَى اللَّهُ الْمَلِكُ الْحَقُّ  لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ١١٦

“A mos vallë ju menduat se ne ju krijuam juve kot dhe se ju nuk do të ktheheni te Ne? Por i Lartësuar është Mbreti i Vërtetë, s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij, e Ai është Zoti i Arshit Fisnik.” [el-Muminun, 115-116]

 

Përktheu: Muhamed Kallashi