Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 63-64
Emri: El-Xhebbar (الْجَبَّار) [Nënshtruesi, i Lartmadhërishmi, Rregulluesi]
Ky emër është përmendur njëherë të vetme në Kur'an, i bashkëngjitur me emrin e Allahut “el-'Aziiz”, në Fjalën e të Lartësuarit:
﴿هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ﴾
“Ai është Allahu, është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!” [el-Hashr, 23]
Emri “El-Xhebbar” ka tre kuptime:
1. I pari: është me kuptimin e Nënshtruesit. Ai, i Pastri nga çdo mangësi, është Nënshtruesi i gjithçkaje dhe Atij i është nënshtruar çdo gjë. Bota qiellore dhe bota tokësore, me të gjitha krijesat e mëdha që kanë këto dyja, të gjitha janë nënshtruar në lëvizjet dhe qëndrimet e tyre; çdo gjë vjen dhe shkon tek Sunduesi dhe Sistemuesi i saj. Pra, çdo krijesë nuk ka në dorë ndonjë çështje dhe as nuk posedon ndonjë gjykim, përkundrazi çdo çështje i takon Allahut. Gjykimi sheriatik, gjykimi me kader dhe gjykimi shpërblyes, të gjitha këto i takojnë vetëm Atij. Nuk ka Gjykues tjetër përveç Atij, nuk ka Zot tjetër përveç Atij dhe s'ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij.
2. I dyti, ka kuptimin e butësisë, mëshirës dhe dhembshurisë. Ai është i Cili i forcon të dobëtit, e pasuron të varfërin, ia lehtëson atij që është në vështirësi, e shëron atë që është i sëmuri dhe i plagosur, duke ia bërë të mundur që të bëjë durim, i jep mirëqenie dhe e kompenson atë me shpërblime të mëdha për shkak të sprovës që kaloi. Ndërsa në veçanti Ai i përmirëson zemrat e atyre që i përgjërohen Atij dhe i nënshtrohen Madhështisë dhe Lavdisë së Tij. Ai i përmirëson zemrat e atyre që e duan Atë dhe i nënshtrohen Përsosmërisë së Tij. Ai i përmirëson zemrat e atyre që shpresojnë mirësitë dhe furnizimin e Tij.
Ai derdh në zemrat e tyre dashuri, dituri të ndryshme, sukses, udhëzim dhe drejtim.
Kështu që thënia e lutësit:
اللَّهُمَّ اجْبُرْنِي
Allahumme exhburnii - O Allah, më nënshtro mua!
Ka për qëllim këtë lloj nënshtrimi, që është përmirësimi i njeriut dhe largimi i çdo fatkeqësie dhe të keqeje nga ai. I Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - thoshte në uljen mes dy sexhdeve:
اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي وَارْحَمْنِي وَاجْبُرْنِي وَاهْدِنِي وَارْزُقْنِي
Allahumme-gfir lii, uerr-hamnii, uexh-burnii, ue `aafinii, ueh-dinii, uer-zuknii!
“O Allah! Më fal mua, më mëshiro, më nënshtro, më jep mirëqenie dhe më shpëto prej fitneve në dunja dhe në Fe, më udhëzo në vepra të mira dhe më furnizo prej mirësive të Tua.” [E ka transmetuar Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh.]
3. Së treti, prej kuptimeve të emrit "El-Xhebbar" është: I Larti mbi çdo gjë, Ai i Cili posedon të gjitha kuptimet e Lartësimit: lartësimin me Veten e Tij, lartësimin me Fuqinë e Tij dhe lartësimin me Pushtetin e Tij.
E gjithë Madhështia i takon Allahut, të Vetëm. Ndërsa kush prej krijesave tregohet arrogant, ai ka fituar Zemërimin e Allahut dhe ka merituar dënimin e Tij. Atëherë, Allahu i Lartëmadhëruar e i Lartësuar, e ka kërcënuar njeriun e tillë me dënim të rëndë, vulosje të zemrës dhe futjen në Zjarrin e Xhehenemit, në Ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë:
كَذَٰلِكَ يَطْبَعُ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ قَلْبِ مُتَكَبِّرٍۢ جَبَّارٍۢ
"Pra, kështu Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi arrogant." [Gafir, 35]
Ka transmetuar Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejrah - radijAllahu anhu - se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë: "Ditën e Gjykimit do të dalë një pjesë e Zjarrit të Xhehenemit, e cila do të ketë dy sy që shikojnë, dy veshë që dëgjojnë dhe një gjuhë me të cilën do të flasë, e kështu do të thotë: "Unë jam urdhëruar që të fus në Zjarr tre lloje njerëzish: Çdo arrogant inatçor, çdokënd që ka adhuruar të tjerë përveç Allahut, si dhe ata që kanë pikturuar figura të krijesave me shpirt."
Përktheu: Servet Mata