Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Salih el-‘Uthejmin

Burimi: Sherh Rijadis-Salihiin (vëll.2/fq.522-523)

Nga Ebi Bekrah Nufej’ Ibnul-Harith (radij-Allahu ‘anhu), nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i cili ka thënë:

“Me të vërtetë koha rrotullohet sipas ciklit të saj qëkurse Allahu krijoi qiejt dhe tokën: viti ka dymbëdhjetë muaj. Prej tyre katër janë të shenjtë: tre të njëpasnjëshëm, Dhul-Ka’deh, Dhul-Hixheh dhe Muharram, si dhe muaji Rexheb që vjen para tyre, midis Xhumades dhe Sha’abanit. Cili muaj është ky?”

Ne thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Dhe ai heshti derisa menduam se do ta quante muajin me ndonjë emër tjetër.

Ai tha: “A nuk është Dhul-Hixheh?”

Ne thamë: “Posi!”

Ai tha: “Kush është ky vend?”

Ne thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Ai heshti derisa menduam se do ta quante me ndonjë emër tjetër, pastaj tha: “A nuk është Qyteza (emër tjetër i Mekkes)?”

Ne thamë: “Posi!”

Ai tha: “Çfarë dite është kjo?”

Ne thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Ai heshti derisa menduam se do ta quante me ndonjë emër tjetër, pastaj tha: “A nuk është dita e Kurbanit (Bajrami)?”

Ne thamë: “Posi!”

Ai tha: “Atëherë, gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj është i shenjtë për ju ashtu siç është kjo Dita juaj, në këtë Qytezën tuaj, në këtë Muajin tuaj. Pastaj do takoheni me Zotij tuaj dhe Ai do t’ju pyesë për veprat tuaja, prandaj mos u shndërroni mosbesimtarë (kufar) mbas meje duke qëlluar qafat e njëri-tjetrit. Dhe le ta njoftojë ai që është prezent atë që nuk është prezent se ndoshta ai që njoftohet është më i zgjuar se ai që dëgjoi.”

Pastaj tha: “A e përcolla, a e përcolla?”

Ne thamë: “Po!”

Ai tha: “O Allah dëshmo.”

Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi.

Ka thënë Shejkh ‘Uthejmini (rahimehullahu rahmeten uasi’ah) në shpjegimin e këtij hadithi:

“Në këtë hadith ka paralajmërim për nderin e Muslimanëve, se nuk i lejohet Muslimanit që të cënojë nderin e vëllait të tij, as me të vërtetë e as rrejshëm; sepse ai po ta ketë cënuar nderin e tij me diçka që është e vërtetë, atëherë ka bërë gibet (e ka përgojuar), e nëse ka qenë me diçka të rrejshme ka shpifur për të. Andaj ti, nëse shikon tek vëllai yt diçka që e kritikon, tek ibadeti i tij apo tek morali i tij apo tek sjellja e tij, atëherë e ke detyrë që ta këshillosh. Dhe kjo është prej të drejtave që ai ka tek ty. Këshilloje atë në privat, mes teje dhe atij, me gojë ose me shkrim. Kështu t’i e çon në vend përgjegjësinë tënde.

Mirëpo, këtu ka një gjë që duhet patjetër të merret parasysh; ti nëse do ta këshillosh atë me shkrim, atëherë duhet patjetër që të përmendësh emrin tënd, as mos kij frik as mos ji burrac. Përmend dhe shkruan: nga filani për vëllanë e tij, filani i biri filanit... es-Selamu alejkum ue rahmetullahi ue barakatuhu, e më pas... unë të qortoj për këtë gjë... Kjo për arsye se nëse ai e njeh emrin tënd do të ftojë ose do vijë tek ty dhe do të diskutojë për çështjen në fjalë. Por nëse je frikacak dhe e hedh nga muri, atëherë kjo nuk i ka hije Muslimanit, kjo nuk është këshillë, sepse ti do vazhdosh të mbash në zemrën tënde kritikën për gabimin që pe tek ai, kurse ai do të mbetet dhe do vazhdojë në gabimin e tij. Kjo për shkak se ai që shkroi këshillën për të nuk është para tij që t’ia shpjegojë mendimin e vet dhe të shqyrtojë mendimin e tij. Kështu ai do të mbetet tek e keqja e tij, tek gabimi i tij. Por ama, nëse ai e shkruan emrin e tij, ai do të jetë i falenderuar për këshillën dhe ai që mori letrën dhe u këshillua mund të flasë me të dhe t’i shpjegojë çështjen e tij, derisa njëri nga ata të dy të bindet me fjalën e tjetrit.”


Përktheu: Alban Malaj