Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Sherh Rijadu Salihin, kaseta 17, min. 01:02:12

 

 

Pa dyshim se njerëzit sa herë që e shtojnë luksin, sa herë që njerëzve u hapet dunjaja, do t’u hapen atyre të këqijat. Luksi është ai që e shkatërron njeriun, sepse nëse njeriu jepet pas luksit dhe begatimit (rehatisë) të trupit të tij, do të tregohet i shkujdesur për zbukurimin dhe begatimin e zemrës së tij. Brenga e tij më e madhe do të jetë se si ta rehatojë këtë trup i cili përfundimin e ka të krimbat dhe kalbësia. Kjo është fatkeqësi.

 

Në këtë kohë, kjo është ajo që u ka bërë dëm njerëzve. Pothuajse nuk gjen njeri vetëm se thotë: çfarë pallati kemi? Çfarë makine kemi! Çfarë orendish kemi? Çfarë ushqimi kemi? Saqë edhe ata që lexojnë për fe dhe e studiojnë atë, disa prej tyre mësojnë fenë që të arrijnë një gradë apo pozitë, e që nëpërmjet saj të arrijë tek të mirat e dunjasë. Sikur njeriu të mos jetë krijuar për një çështje të rëndësishme.

 

Dunjaja dhe të mirat e saj janë vetëm një mjet. E lusim Allahun që ne dhe ju ta përdorim atë si mjet. Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Njeriu duhet ta përdor pasurinë ashtu siç e përdor gomarin për t’i hipur apo siç e përdor banjon për nevojën e tij.”

 

Mu këta janë ata që e dinë se çfarë është pasuria realisht dhe sa vlerë ka ajo. Mos e bëj pasurinë brengën tënde më të madhe. Hipi pasurisë duke e komanduar ti atë. Nëse ti nuk i hipën pasurisë, ajo ka për të të hipur ty dhe brenga jote do jetë dunjaja.

 

Andaj, themi: sa herë që u hapet dunjaja njerëzve dhe fillojnë të jepen pas saj, do të humbasin nga ahireti aq sa kanë fituar prej dunjasë. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Pasha Allahun! Nuk frikësohem për ju nga varfëria,” pra do t’u hapet dunjaja, “por kam frikë për ju që t’ju hapet dunjaja dhe kështu të bëni gara për të ashtu siç garuan ata që ishin para jush, dhe si rrjedhojë ajo do t’ju shkatërrojë juve siç i shkatërroi ata.” Sahihul-Bukhari, 3158

 

E ka thënë të vërtetën i Dërguari – alejhi salatu ue selam –.

Kjo është gjendja e njerëzve sot. Ajo që i ka shkatërruar njerëzit sot është garimi për dunja. Sikur njerëzit janë krijuar për dunjanë, e jo ajo të jetë krijuar për ta. Kështu u angazhuan me atë që është krijuar për ta (dunjaja) duke u larguar nga ajo për të cilën janë krijuar (adhurimin e Allahut). Kjo është përmbysje e gjendjes. E lusim Allahun për mirëqenie.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari