Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 38-43

 

Kapitulli i nëntë

Rregullat e therjes së kurbanit

 

Therja e kurbanit ka rregulla ndaj të cilave duhet të kemi kujdes, që nuk janë kusht për të qenë e lejuar ngrënia e kurbanit. Përkundrazi, lejohet ngrënia e saj edhe pa i zbatuar këto rregulla. 

E ato rregulla janë:

1 – Drejtimi i kurbanit nga Kibla në momentin e therjes.

2 – Therja të bëhet në mënyrën më të mirë me përdorimin e një mjeti të mprehtë, duke e kaluar atë në vendin e therjes me forcë dhe shpejtësi.

Dijetarët kanë thënë se ky rregull është i detyrueshëm, për shkak të fjalës së  Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të:

إِنَّ اللَّهَ كَتَبَ الْإِحْسَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ، فَإِذَا قَتَلْتُمْ فَأَحْسِنُوا الْقِتْلَةَ، وَإِذَا ذَبَحْتُمْ فَأَحْسِنُوا الذَّبْحَ، وَلْيُحِدَّ أَحَدُكُمْ شَفْرَتَهُ فَلْيُرِحْ ذَبِيحَتَهُ

"Allahu e ka obliguar përvetësimin e një gjëje në mënyrën më të mirë. Kur të vrisni, vrisni në mënyrën më të lehtë dhe më të shpejtë; kur të therni bagëtinë, thereni atë në mënyrën më të lehtë dhe më të shpejtë. Mpriheni tehun e thikës dhe rehatojeni kafshën (para therjes)." [1]

Ky mendim është i sakti.

3 – Nëse kafsha që do të theret është deve, atëherë asaj i pritet vena në rrëzë të qafës; e nëse është kafshë tjetër, atëherë theret në qafë. Pra, devesë i pritet damari kryesor i qafës duke qëndruar ajo në këmbë dhe i lidhet këmba e majtë e përparme. E nëse nuk mund të theret në këmbë, atëherë e ther atë duke e ulur në tokë. Ndërsa të tjerat përveç devesë, theren duke i shtrirë nga ana e majtë e tyre. Nëse ai që e ther kafshën është mëngjërash, që punon me dorën e majtë, atëherë ai e ther kafshën duke e shtrirë nga ana e djathtë, nëse kjo është më e lehtë për kafshën dhe më e përshtatshme për therësin.

Gjithashtu, është sunet që therësi të vendosë këmbën e tij mbi qafën e kafshës, që ta ketë nën kontroll atë. Ndërsa të ulesh sipër kafshës dhe t'ia kapësh këmbët e saj, për këtë nuk ka argument nga suneti. Kanë përmendur disa dijetarë, se një nga dobitë e mos-kapjes së këmbëve të kafshës, është se gjaku del më shumë për shkak se i lëviz këmbët dhe dridhet.

4 – T’i pritet kanali i frymëmarrjes dhe gurmazi bashkë me prerjen e dy venave kryesore. Shiko kushtin e tetë që gjendet te kushtet e therjes.

5 – Ta fsheh thikën nga kafsha kur e mpreh atë. Kafsha të mos e shoh thikën vetëm se para therjes.

6 –  Të thotë “Allahu Ekber” pasi që ka thënë “bismilah”.

7 – Pasi që ka thënë “bismilah” dhe “Allahu Ekber” para therjes së kurbanit apo akikas, të përmend edhe emrin e personit për të cilin theret dhe t’i lutet Allahut t'ia pranojë atë kurban. Të thotë:

بسم الله والله أكبر، اللهم منك و لك عني  اللهم تقبل مني

Bismil-Lahi uall-Llahu Ekber, Allahumme minKe ue leKe 'annii, Allahumme tekabbel minnii.

"Me Emrin e Allahut, Allahu është më i Madhi! O Allah, ky është prej Teje, theret kurban për Hir Tëndin. O Allah, ma prano këtë kurban!"

Këtë e thotë kur ai e ther vet kurbanin për veten e tij.

E nëse e ther për dikë tjetër, thotë:

"Me Emrin e Allahut, Allahu është më i Madhi! O Allah, ky është kurbani i filanit dhe e bënë kurban për Hir Tëndin. O Allah, pranoje nga filani këtë kurban!"

_____________

[1] Transmeton Muslimi, nr. 1955.

 

Përktheu: Servet Mata