Bismilah...

Autor: Salih bin Abdul-Aziz Alu Shejkh

Burimi: Ligjëratë me titull “Likaaun Meftuh me’a Fadileti Shejkh Salih Alu Shejkh bi Xhamië esh-Shejkh Muhamed bin Hamed Alu Shejkh,” min. 01:13:55, më datë 22 Sefer 1441 h.

 

 

Po qarkullojnë ca ideologji që janë të çuditshme dhe të huaja. Ato janë ideologji që ne i quajmë “ideologji despotike”. Kjo ideologji despotike i përket vetëm një pale, të cilën e ndjek Masonizmi botëror. Parulla e Masonizmit është: “Paqe, dashuri dhe vëllazëri.” Ka njerëz që fusin dyshime për ekzistencën e Masonizmit dhe gjithçka që lidhet me të. Jo! Masonizmi ekziston dhe në këtë kohë ka një shtrirje dhe një zhvillim më të gjerë, jo si zhvillimi që ka pasur në dy shekujt e kaluar.

 

Masonët thonë: duhet të ketë paqe, dashuri dhe vëllazëri. Këta bëjnë propagandë se nga shenjat e civilizimit dhe zhvillimit është që: të përhapet paqja, dashuria dhe të braktiset urrejtja. Në rregull! Sa i përket paqes (es-selam ar.), Allahu – i Madhërishëm dhe i Lartësuar – (një nga Emrat e Tij) është es-Selam [1]. Dashuria është e nevojshme për atë që e meriton dashurinë. Braktisja e urrejtjes është nevojshme për atë që nuk e meriton urrejtjen.

 

Por ajo që po ndodh tani për tani, është vërtet për t’u çuditur! Ajo që po ndodh tani është se ata kërkojnë nga njerëzit – nga Umeti i Muslimanëve – kërkojnë paqe, kurse ata s’bëjnë paqe me ne! Kërkojnë nga ne që t’i duam, kurse ata s’na duan neve! Kërkojnë nga ne që ta braktisim urrejtjen kundër tyre, kurse vetë ata na urrejnë neve! Çfarë peshoreje është kjo!?

 

Vjen tirani, ai që është fuqishëm në këtë botë, i përhap ideologjitë e tij se ne duhet patjetër që të promovojmë paqen. Në rregull! Ti bëj paqe me ne! Na lër rehat nga ligësia jote ndaj fesë sonë, ndaj besimit tonë, ndaj trojeve tona, ndaj njerëzve tanë, ndaj Muslimanëve, ndaj Sheriatit tonë. Na lë rehat nga e keqja jote! Ata të shtypin dhe të futen edhe në shtëpi, pastaj të thonë: “Jeto në paqe me ne!” Thonë: “Përhapeni dashurinë!” Kurse ata nuk të duan ty. Lexoni raportet ndërkombëtare në të gjitha vendet, keni për të marrë vesh se sa mllef mbajnë përbrenda ata kundër Muslimanëve dhe kundër pasuesve të Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Ata thonë: “Mos urreni!” Ata thonë se thirrja Selefije – apo siç e quajnë ata “thirrja Vehabiste” – është Islam ekstrem dhe i vrazhdë, përhap urrejtje! Pse? Mos vallë bota sot por përhap gjë tjetër përveç urrejtjes? Ai njeri që s’të lë rehat në punën tënde, a ta do të mirën ky njeri? Nuk ta do të mirën.

 

Kjo i bie kështu: duhet patjetër te jesh si ata, që të jesh njeri paqësor. Vishu si ne! Pamja jote duhet të jetë si pamja jonë! Ecja jote duhet patjetër të jetë si ecja jonë! Ushqimi yt duhet të jetë si ushqimi ynë! Pija jote duhet të jetë si pija jonë! Martesat tuaja duhet të jenë si martesat tona! Punët tuaja duhet të jenë si punët tona! Ekonomia jote duhet të jetë si ekonomia jonë! Jeta jote duhet të jetë si jeta jonë! Përndryshe ti nuk je njeri që e do paqen dhe e ruan paqen. Ky është despotizëm. Ky është pushteti i të fortit që shtyp të dobëtin.

 

Megjithatë, ithtarët e Imanit kanë parime sheriatike; kanë parime sheriatike me baza të shëndosha, në të cilat ata nuk bëjnë lëshime. Nëse vjen një kohë që i pështjellon njerëzit me qëllim që ata t’i harrojnë këto parime, këta njerëz kapen më fortë mbas këtyre parimeve të fesë. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thotë:

“Të duash për hir të Allahut dhe të urresh për hir të Allahut, kjo është lidhja më e fortë e Imanit.”

 

Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë:

﴿وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ﴾

“Besimtarët dhe Besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” Et-Teubeh, 71

Këto janë parime sheriatike.

 

Po ashtu Allahu thotë:

﴿إِنَّ الَّذِينَ يُحَادُّونَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ أُولَـٰئِكَ فِي الْأَذَلِّينَ ﴿٢٠﴾ كَتَبَ اللَّـهُ لَأَغْلِبَنَّ أَنَا وَرُسُلِي ۚ إِنَّ اللَّـهَ قَوِيٌّ عَزِيزٌ ﴾

“Ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata do të jenë prej më të poshtëruarve. Allahu e ka paracaktuar (me Kader): “Pa dyshim se Unë dhe të dërguarit e Mi kemi për t’i mposhtur ata. Me të vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe Fuqiplotë.” El-Muxhadeleh, 20-21

 

Dashuria duhet të jetë midis atyre që e duan njëri-tjetrin, brenda një feje të vetme, dashuria për hir të fesë. Kurse midis popujve në përgjithësi, ekzistojnë marrëdhënie ndër-njerëzore, ka paqe, stabilitet, marrëveshje, si dhe shumë shkaqe të tjera për të bashkëjetuar. Mirëpo që të jesh paqësor pa pasur armiqësi, të duash pa urryer, të mos urresh askënd, kjo është devijim nga natyrshmëria e drejtë dhe është shtypje; kjo është kontrollim i ndjenjave.

 

Prandaj, nëse çështja e ashpërsisë është kështu siç po e shikoni, atëherë ne duhet të kthehemi te parimet sheriatike. Parimet sheriatike të japin bindjen, sigurinë që Allahu – i Madhërishëm e i Lartësuar – është Ai që na ka vendosur ligj se si duhet të jenë ndjenjat tona, të cilat i ka ligjëruar Allahu – i Madhërishëm e i Lartësuar. Kush është më i ditur se cilët duhet t'i armiqësojmë dhe cilët duhet t'i miqësojmë? Është Allahu – i Madhërishëm e i Lartësuar! Ka thënë Zoti ynë – i Madhërishmi e i Lartësuari – në Kuran:

﴿وَاللَّهُ أَعْلَمُ بِأَعْدَائِكُمْ ۚ وَكَفَىٰ بِاللَّهِ وَلِيًّا وَكَفَىٰ بِاللَّهِ نَصِيرًا﴾

“Allahu e di më së miri kush janë armiqtë tuaj, andaj mjafton Allahu mbrojtës dhe mjafton Allahu ndihmues.” en-Nisaa, 45.

 

Allahu e di më së miri se kush janë armiqtë tanë. Pra, kush e ka sqaruar këtë çështje? Allahu e ka sqaruar!

﴿وَكَذَٰلِكَ جَعَلْنَا لِكُلِّ نَبِيٍّ عَدُوًّا مِّنَ الْمُجْرِمِينَ ۗ وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيًا وَنَصِيرًا﴾

“Po ashtu, Ne kemi nxjerrë armiq prej kriminelëve për çdo Pejgamber. Porse mjafton Zoti yt udhëzues dhe ndihmues.” el-Furkan, 31

 

Njerëzit kanë armiqësuar Allahun! Njerëzit kanë armiqësuar Xhibrilin!

﴿مَن كَانَ عَدُوًّا لِّلَّـهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَرُسُلِهِ وَجِبْرِيلَ وَمِيكَالَ فَإِنَّ اللَّـهَ عَدُوٌّ لِّلْكَافِرِينَ﴾

“Ai që është armik i Allahut, i melaikeve të Tij, i të dërguarve të tij, i Xhibrilit, i Mikailit, atëherë Allahu është armik i pabesimtarëve.” El-Bekare, 98

 

Kështu që, çështjet e dashurisë dhe urrejtjes janë ndjenja. Islami i ushqen këto ndjenja me iman dhe me atë që ka thënë Allahu. Për këto çështje, mos iu refero atyre që i ushqejnë këto ndjenja pa argumente, sepse do të devijosh dhe ndjenjat e imanit tënd do të jenë rob i atij që i ushqen ato jo me argumente të Sheriatit. E as mos ji me ata që i kanë deformuar qëllimisht këto ndjenja, që të jenë në përputhje me ëndjet dhe tekat e despotizmit botëror. Sepse despotizmi botëror në këtë kohë po i ndryshon edhe ndjenjat e njerëzve.

 

__________________

[1] Ibnul-Kajjim el-Xheuzijjeh, Allahu e mëshiroftë, thotë:

Emri i Allahut “es-Selam” do të thotë: Ai që është i pastër nga gabimet dhe mangësitë... dhe ajo që kërkon ky emër është që krijesat të jenë të sigurta nga padrejtësia e Tij ndaj tyre. Pra, Allahu është larg dëshirës që të bëjë padrejtësi dhe të bëjë keq. Pra, duke u nisur nga emërtimi i Tij, nga veprat e Tij dhe përkatësimi i Tij ndaj këtij emri, Ai është i pastër nga cilësitë e mangëta, veprat e mangëta dhe emrat e mangët. Ai i cili nuk ua dëshiron krijesave të tyre padrejtësinë. Për këtë arsye Ai e ka përshkuar Natën e Kadrit se është selam (paqe, siguri, shpëtim) dhe e ka përshkruar Xhenetin se është Darus-Selam (vendi i paqes dhe sigurisë) dhe përshëndetja e banorëve të Xhenetit është selami (es-selamu alejkum). Ai i ka lavdëruar të dashurit e tij me fjalën selam...”

Burimi: Shifaul-‘Alil, 1/179

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari