Autor: Salih Ibn Feuzan Ibn Abdil-Lah el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, mëshira dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Ky është një përkujtim për epideminë që po përjetojnë muslimanët këto ditë, madje po e përjeton e gjithë bota, që është sëmundja apo virusi i fshehtë që quhet "Korona", si pasojë e të cilit kanë vdekur shumë njerëz, e shumë të tjerë janë të kërcënuar nga ai. Është obligim për muslimanët në veçanti dhe për të gjithë njerëzit në përgjithësi, t’i drejtohen Allahut për t'u ruajtur nga ky rrezik dhe për ta larguar atë, sepse Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, është Ai që e ka zbritur atë dhe Ai është i Cili ka mundësi që ta largojë atë dhe t'i ruajë muslimanët prej tij!
Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, thotë:
﴿وَإِذَا مَسَّكُمُ الضُّرُّ فِي الْبَحْرِ ضَلَّ مَن تَدْعُونَ إِلَّا إِيَّاهُ﴾
"Kur ju kap rreziku dhe frika në det, i harroni ata që i adhuronit në vend të Allahut, dhe mbetet vetëm Ai!" [El-Israa, 67]
﴿قُلْ مَن يُنَجِّيكُم مِّن ظُلُمَاتِ الْبَرِّ وَالْبَحْرِ تَدْعُونَهُ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً لَّئِنْ أَنجَانَا مِنْ هَـٰذِهِ لَنَكُونَنَّ مِنَ الشَّاكِرِينَ ﴿٦٣﴾ قُلِ اللَّـهُ يُنَجِّيكُم مِّنْهَا وَمِن كُلِّ كَرْبٍ ثُمَّ أَنتُمْ تُشْرِكُونَ ﴾
"Thuaj (o Muhammed): kush është Ai që ju shpëton juve prej sprovave që ndodhin në errësirën e tokës dhe të detit, kur ju i luteni Atij me përgjërim dhe në fshehtësi thoni: Nëse na shpëton Allahu prej këtij rreziku, ne do të jemi falënderues!" Thuaj: Allahu është Ai që ju shpëton juve prej tij, dhe prej çdo fatkeqësie tjetër, megjithatë ju prap se prap i shoqëroni të tjerë Atij në adhurim!" [El-En'am, 63-64]
Pra, nuk ka shpëtim, as mbrojtje, as strehim, prej këtij rreziku dhe prej çdo rreziku tjetër, vetëm se me kthim tek Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar; të përulesh përpara Tij, t'i shtosh lutjet që Allahu ta largojë dhe t'i rehatojë Muslimanët prej sherrit të tij; madje t'i rehatojë të gjithë njerëzit prej këtij rreziku, sepse Allahu është Ai që e ka zbritur atë dhe vetëm Ai ka mundësi që ta largojë, i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai. Kjo është shumë e lehtë për Allahun!
Në të njëjtën kohë, ne duhet që të përkujtojmë dobësinë tonë dhe nevojën tonë për Allahun, i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai. Duhet t’i shtojmë lutjet, dhënien e sadakasë, bërjen e veprave të mira, duke shpresuar që Allahu, i Madhërishëm e i Lartësuar, ta largojë atë që ka zbritur, sepse Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Është obligim për Muslimanët në veçanti dhe për të gjithë njerëzit në përgjithësi, që të kthehen tek Allahu, për ta larguar këtë sëmundje dhe për të na mbrojtur prej dëmit të saj, sepse vetëm Ai ka mundësi për këtë.
Kjo arrihet me shtimin e lutjeve, shtimin e bamirësisë për të varfërit dhe nevojtarët, duke dhënë sadaka, duke bërë vepra të mira, sepse Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar, i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre. Thotë Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar:
﴿وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ ﴾
"Dhe kur robërit e Mi të të pyesin për mua (o Muhammed), thuaju se Unë jam afër tyre (me Dijen Time)! U përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më lutet! Andaj le të më binden Mua dhe të më besojnë Mua, në mënyrë që të udhëzohen në Rrugën e Drejtë!" [El-Bekare, 186]
Andaj them: O Allah, o Zoti ynë, o Mbrojtësi ynë, ne jemi robërit e Tu, kemi nevojë për Ty, jemi të nënshtruar përpara Teje; të kërkojmë Ty që ta largosh këtë epidemi dhe këtë rrezik prej muslimanëve në veçanti dhe prej të gjithë njerëzve në përgjithësi; dhe të na e zëvendësosh atë me lehtësim dhe mirësi të përgjithshme dhe të veçantë! Askush nuk ka mundësi t'i fal gjynahet përveç Teje dhe askush nuk ka mundësi që ta largojë të keqen përveç Teje! Ti je Zoti ynë, Mbrojtësi ynë, Ti na mjafton neve dhe sa Mbrojtës i mirë që je! O Allah, largoje atë që ke zbritur! O Allah, largoje atë që ke zbritur! O Allah, largoje atë që ke zbritur! Largoje këtë epidemi dhe në vend të saj na sill rehati, lehtësim, mirësi dhe mirëqenie për muslimanët në veçanti dhe për të gjithë njerëzit në përgjithësi, sepse Vetëm Ti ke mundësi ta bësh këtë gjë!
Thotë i Lartësuari:
﴿قُلْ مَن يُنَجِّيكُم مِّن ظُلُمَاتِ الْبَرِّ وَالْبَحْرِ تَدْعُونَهُ تَضَرُّعًا وَخُفْيَةً لَّئِنْ أَنجَانَا مِنْ هَـٰذِهِ لَنَكُونَنَّ مِنَ الشَّاكِرِينَ قُلِ اللَّـهُ يُنَجِّيكُم مِّنْهَا وَمِن كُلِّ كَرْبٍ ثُمَّ أَنتُمْ تُشْرِكُونَ ﴿٦٤﴾ قُلْ هُوَ الْقَادِرُ عَلَىٰ أَن يَبْعَثَ عَلَيْكُمْ عَذَابًا مِّن فَوْقِكُمْ أَوْ مِن تَحْتِ أَرْجُلِكُمْ أَوْ يَلْبِسَكُمْ شِيَعًا وَيُذِيقَ بَعْضَكُم بَأْسَ بَعْضٍ﴾
"Thuaj (o Muhammed): kush është Ai që ju shpëton juve prej sprovave që ndodhin në errësirën e tokës dhe të detit, kur ju i luteni Atij me përgjërim dhe në fshehtësi thoni: Nëse na shpëton Allahu prej këtij rreziku, ne do të jemi falënderues!" Thuaj: Allahu është Ai që ju shpëton juve prej tij, dhe prej çdo fatkeqësie tjetër, megjithatë ju prapëseprapë i shoqëroni të tjerë Atij në adhurim! Thuaj: Ai ka fuqi t'ju dërgoj juve ndëshkim përmbi ju dhe poshtë këmbëve tuaja, apo t'ju përçajë në grupe dhe ta luftoni njëri-tjetrin!" [El-En'am, 63-65]
Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar, është i Plotfuqishëm për çdo gjë! Ai i sprovon robërit e Ti, dhe po të mos ishte mëshira, falja dhe mirësia e Tij, nuk do të kishte mbetur asnjë krijesë mbi sipërfaqen e tokës. Por Ai, i Pastërti nga të metat e i Lartësuari, është Falës i madh, Mëshirues, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë; Ai i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre; Ai është Mbrojtësi dhe i Lavdëruari!
O Allah, Ti je Mbrojtësi ynë, sa Mbrojtës i Mirë që je Ti, sa Ndihmues i Mirë që je Ti! O Allah, largoje atë që ke zbritur! O Allah, largoje atë që ke zbritur! O Allah, largoje atë që ke zbritur, largoje prej nesh, prej muslimanëve në veçanti dhe prej të gjithë njerëzve në përgjithësi! O Allah, na mbro neve prej të sherrit të sherrxhive, prej kurtheve të të shthururve, prej së keqes që vjen natën dhe ditën, sepse Ti je i Plotëfuqishëm për çdo gjë!
Nuk ka shpëtim, as mbrojtje, as strehim prej Teje, vetëm se tek Ti! I Pastër prej të metave je Ti, me të vërtetë që ne ishim të padrejtë! I Pastër prej të metave je Ti, me të vërtetë që ne ishim të padrejtë! I Pastër prej të metave je Ti, me të vërtetë që ne ishim të padrejtë! O Allah, na e largo neve çdo bela dhe çdo epidemi, çdo të keqe dhe çdo fitneh, me të vërtetë që Ti je i Plotëfuqishëm për çdo gjë! Ti je Mbrojtësi ynë, sa Mbrojtës i Mirë që je Ti! Sa Ndihmues i Mirë që je Ti! Na mjafton neve Allahu, e sa Mbrojtës i Mirë që është Ai!
Mëshira dhe shpëtimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhammedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Përktheu: Servet Mata
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org