Kapitulli i Parë: Vlera e Daues dhe thirrësve të saj
Çdokush që ka pakëz dije e njeh vlerën e lartë të daues, e di se ajo është një çështje madhështore dhe e di se ky ka qenë misioni i të Dërguarve (paqja qoftë mbi ta).
Allahu e ka lartësuar pozitën e dauistëve (njerëzit që ftojnë të tjerët në Islam) dhe i ka lavdëruar ata tej mase.
Allahu thotë në Kur'an (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam nga Muslimanët.”
[Fussilet, 33]
Nuk ka dyshim se ky lavdërim shërben për të nxitur vendosmërinë, për të gjallëruar ndjenjat, për të lehtësuar barrën e daues (që mund të ndiejë ai që bën daue) dhe thërret për të garuar në interes të daues me të gjitha forcat dhe energjitë. Është transmetuar nga Hasan el-Basri, Allahu e mëshiroftë, se ai lexoi këtë ajet (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut…”
[Fussilet, 33]
dhe tha: “Ky person është i afërt tek Allahu, i dashuri i Tij, i zgjedhuri i Tij dhe është më i dashur tek Ai nga të gjithë njerëzit në tokë. Ai i është përgjigjur thirrjes së Allahut dhe i fton njerëzit tek po e njëjta thirrje të cilës iu përgjigj edhe ai vetë. Ai punon vepra të mira duke iu përgjigjur thirrjes (së Allahut) dhe thotë: “Vërtet unë jam nga Muslimanët…”
Ka shumë ajete të tjera Kur’anore dhe hadithe në të cilat përmendet vlera e daues dhe dauistit (ai i që fton të tjerët në Islam). Poashtu, ka shumë hadithe që flasin rreth dërgimit të dauistëve nga Profeti (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të), të cilat janë të mirënjohura për dijetarët. Nga këto ajete është ajeti (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam nga Muslimanët.”
[Fussilet, 33]
Ky ajet fisnik i lavdëron ata njerëz që bëjnë daue duke thënë se nuk ka ndonjë njeri më fjalëmirë sesa ata. Këta dauistë udhëhiqen nga të Dërguarit (paqja qoftë mbi ta) dhe pastaj nga ata që vijnë pas tyre sipas gradës së tyre në dauen që bëjnë, në dije dhe në vlera. Kështu pra, a nuk është nder i madh për ty o robi i Allahut që të ndjekësh të Dërguarit dhe të jesh prej atyre që janë përmendur në këtë ajet të bukur?!
Pra, mësuam se askush nuk është më fjalëmirë sesa dauisti sepse ai i fton njerëzit tek Allahu, i udhëzon ata drejt Tij dhe punon sipas asaj që thërret.
Profeti (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Kushdo që udhëzon dikë për të bërë mirë, ai fiton po të njëjtin shpërblim sikurse ai që e bëri këtë të mirë.”
Ky hadith është tek Sahijhu i Muslimit dhe na tregon se ai që i fton njerëzit që të bëjnë vepra të mira dhe i udhëzon ata tek kjo, merr shpërblim të njëjtë me atë që punon vepra të mira. Me të vërtetë kjo është një vlerë shumë e lartë që i është dhënë daues dhe një nder madhështor për dauistët (ata që i thërrasin të tjerët për në Islam) sepse Allahu i Lartësuar i jep dauistit një shpërblim të ngjashëm siç i jep atij që Ai e udhëzoi nëpërmjet duarve të tij. Çfarë mirësie, çfarë vlere dhe çfarë pozite që gëzon ai! O vëllai im i dashur thirr për tek Zoti yt, për tek Feja jote, për bindje ndaj Profetit (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) dhe fito po të njëjtin shpërblim si ai që udhëzohet nga duart e tua, ky është virtyt dhe bekim madhështor.
Këtu është inkurajimi dhe nxitja e dauistëve që të bëjnë daue dhe të tregohen të duruar në të. Nëse nëpërmjet këtyre mjeteve je i aftë që të fitosh të njëjtin shpërblim që merr ai që e udhëzon Allahu me duart e tua, atëherë është më mirë për ty që të arrish aftësitë, të përgatitesh dhe të nxitosh që të bësh daue dhe të jesh i duruar në të sepse aty ka një përfitim të shumë të madh.
Profeti (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë, siç transmetohet në Sahijhun e Muslimit se: “Kushdo që thërret për në udhëzim do ta ketë shpërblimin njësoj me personin që e ndjek atë pa iu pakësuar atij (pasuesit) shpërblimi aspak.” Me të vërtetë, është një begati e madhe për atë që thërret për në udhëzim sepse fiton të njëjtin shpërblim si ai që e ndjek atë në udhëzim. Kjo është njësoj si hadithi i mësipërm se: “Kushdo që e udhëzon dikë për të bërë mirë, ai fiton po të njëjtin shpërblim sikurse ai që e bëri këtë të mirë.”
Përveç kësaj, një nga mirësitë madhështore të Allahut mbi thirrësin mashkull është se ai bëhet sebep për udhëzimin e babait, mamasë, gruasë dhe fëmijëve të tij. Poashtu, një nga mirësitë madhështore të Allahut mbi gruan është se ajo bëhet sebep për udhëzimin e burrit, babait, mamasë dhe fëmijëve të saj. E mësojmë këtë nga ajeti i bukur që thotë se pranimi i prindërve, grave dhe fëmijëve në Xhenet me të afërmit e tyre vjen si rezultat i mirësisë dhe drejtësisë së tyre.1
1 Këtu bëhet fjalë për ajetin Kur'anor (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Kopshtet e Begatë të Përhershëm të Xhenetit të Adnit në të cilin do të hyjnë ata dhe (gjithashtu) ata të cilët punuan mirësi prej baballarëve, grave dhe pasardhësve të tyre…”
[Ra’d, 23]
Referenca: Marre nga libri i Shejkh Bin Bazit "Keshilla rreth Da'ues"
Përktheu Alban Malaj